PRISHTINE- Qeveria e Kosovës nuk ka ndër mend të ndalë dialogun me Serbinë, edhe pse Kosova nuk ka president. Javën tjetër, përfaqësues të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ekspertë të EULEX-it dhe përfaqësues të autoritetit të regjistrave civile në Serbi do të takohen në Bruksel për t`u marrë vesh rreth regjistrave civilë. Ne takim, mesohet se nuk do te jene dy perfaqesuesit zyrtare, as dita Tahiri e as Borko Stefanoviq. Kjo, pasi takimi do të jetë i nivelit teknik. Grupi i ekspertëve do të quhet Komiteti për verifikimin e regjistrave civilë. Gazeta “Koha Ditore”, shkruan sot se ekspertët serbë, me vete do të sjellin edhe regjistrat civilë që Serbia i ka rrëmbyer nga Kosova, në kohën kur ushtria dhe policia serbe po tërhiqeshin nga vendi, në vitin 1999.
Kosova nuk do të marrë origjinalin e dokumenteve.
Ekspertët, sidomos ata të EULEX-it, do të ndihmojnë në verifikimin e kopjeve që do të sjellë Serbia. Nëse ato dalin si të qëndrueshme, do të certifikohen. Burimet kanë specifikuar, se takimi nuk do të mund të mbahet këtë javë, por se janë duke u bërë të gjitha përpjekjet që ai të ndodhë javën tjetër.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, pas mbledhjes së Qeverisë, i është shmangur komentimit të origjinalitetit të regjistrave civilë, por ka rikonfirmuar se dialogu me Serbinë do të vazhdojë, me gjithë mungesën e presidentit.
“Kosova duhet të vazhdojë rrugën e vet të suksesit me gjithë zhvillimet e brendshme. Ne do të jemi në rrugëtim, çfarëdo rasti që mund të kemi, nuk guxojmë të kemi trandje në kuptimin e obligimit që kemi përballë qytetarëve, por edhe përballë pritjeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ne do t’i kryejmë punët tona dhe këtu duhet të kemi secili nga pak tejkalim të vetes dhe qëndrimeve partiake”, ka thënë Kuçi.
Sipas tij, institucionet e Kosovës edhe ashtu shumë shpejt do ta bëjnë “zgjedhjen e presidentit”.
Në kushte anonimiteti, një zyrtar i lartë evropian ka shpjeguar se ende nuk është vendosur mënyra se si lehtësuesi i bisedimeve Robert Cooper do t’ua prezantojë arritjet. Mes takimit të parë dhe të dytë, Cooper e pati vizituar Prishtinën e Beogradin, për t`u treguar palëve përparimet që ishin bërë dhe për t`u marrë vesh për temat që do të diskutoheshin në të dytin. Kësaj radhe mund të mos ndodhë kështu.
Sipas tij, verifikimi i kopjeve të regjistrave civilë, dhe certifikimi i tyre, do t`i bëjë të barasvlershme kopjet me origjinalin.
Në këtë mënyrë do të shënohet edhe përparimi i parë konkret në dialog, me çka një çështje do të konsiderohej e zgjidhur.
Në dy takime sa janë mbajtur gjithsej, përveç regjistrave civilë, delegacionet e udhëhequra nga zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri dhe shefi i delegacionit serb Borko Stefanoviq, kanë biseduar edhe për vulat e Doganave të Kosovës në kufi me Serbinë, trafikun ajror, energjinë elektrike dhe telekomunikacionin.
Udhëheqësja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, i ka paralajmëruar dëmet e luftës, çështjen e të zhdukurve, fondet pensionale dhe bashkëpunimin rajonal, si tema që do të trajtohen në takimet e ardhshme.











