Në Kosovë ka dështuar një përpjekje për të rrëzuar pushtetin e ri, Qeverinë dhe Presidentin. Lajmin e ka publikuar e përditshmja “Express”, ku sipas burimeve të saj, Klubi për Politikë të Jashtme ka provuar të organizojë demonstrata kundër institucioneve të Kosovës. Zyrtarë të KPJ-së nuk e mohojnë se një nga qëllimet ka qenë edhe rrëzimi i pushtetit. Ata hartuan edhe Planin e Veprimit. Kishte koordinim edhe me opozitën. Por, plani u refuzua nga shumica e OJQ-ve. Hashim Thaçi tha se pushteti nuk mund të merret me dhunë, e as të uzurpohet. Sipas “Express”, Klubi për Politikë të Jashtme (KPJ) i Veton Surroit, përveç si kritikues i ashpër ndaj pushtetit në Kosovë, javëve të fundit ka hartuar plane konkrete për demonstrata, që si qëllim final do të kishin edhe rrëzimin e koalicionit qeverisës. Pas një diskutimi joformal mes pjesëtarëve të KPJ-së dhe disa OJQ-ve, më 3 mars është mbajtur një takim i përfaqësuesve të disa OJQ-ve. Menjëherë OJQ-ve u është dërguar një plan veprimi, në të cilin janë propozuar hollësisht hapat që duhet ndërmarrë shoqëria civile “për shprehjen e organizuar të pakënaqësisë dhe mospajtimit qytetar me zhvillimet e fundit politike, të cilat e shkelin vullnetin qytetar dhe Kushtetutën e vendit”. Në plan ishin paraparë hollësisht aktivitetet që është dashur të fillojnë më 7 mars. Gjithçka do të përfundonte më 20 mars, me protestën e madhe para Qeverisë.











