Korçë, parulla kundër konsullit

Mar 12, 2011 | 10:31

“Rroftë Çamëria”, “Të dua Çamëri”, apo “Mos harroni Çamërinë”, ishin ndër parullat që janë shkruar gjatë natës në vende publike të qytetit, si shenjë reagimi ndaj qëndrimeve të konsullit grek, Theodoros Ikonomus. Ai bëri deklarata nacionaliste pro Vorio-Epirit në rastin e 20 vjetorit të themelimit të organizatës OMONIA në Korçë.
Ende nuk dihet se nga kush janë shkruar parullat me bojë të kuqe. Madje, ata kanë treguar një kujdes të veçantë që ato të jenë të ekspozuara në vendet më të frekuentuara të qytetit. Parullat janë shkruar në një fasadë të një pallati përballë bashkisë, një tjetër në fasadë tek vendi i qëndrimit të furgonëve në qytet, tek një prej shesheve kryesore, “Trekëndëshi”, si dhe pranë ambienteve të universitetit “Fan Noli”. Shkrimi i tyre është bërë në mënyrë të fshehtë gjatë orëve të natës dhe ditën e enjte një pjesë e qytetit është gdhirë me këto parulla me bojë të kuqe. Në qytetin e Korçës nuk ka banorë çamë dhe kjo është hera e parë që shkruhen parulla pro Çamërisë. Kjo situatë është krijuar menjëherë pas reagimit të Këshillit Bashkiak të qytetit, që dënoi me një deklaratë të tij rikthimin në detyrë të konsullit Ikonomus. Gjithashtu, me votë unanime këshilltarët kërkuan largimin e tij nga detyra, për shkak të deklaratës nacionaliste. Vetë shkrimi i parullave, sipas të dhënave nga burime të rezervuara të policisë, dyshohet se është kryer nga të rinj. Por një veprim i tillë nuk është konsideruar si një shkelje, ndaj nuk do të ketë persona që do të hetohen nga ana e policisë. Pak vite më parë, në qytetin e Korçës është shkruar në afërsi të Konsullatës një parullë kundër Greqisë, ndërsa këtë herë mendohet se reagimi kundër deklaratave të Konsullit grek, Theodoros Ikonomus, ka qenë duke shkruar parulla në përkrahje të Çamërisë. Me deklaratën e tij për praninë e grekëve të shumtë në Korçë, forcim të helenizmit në prag të regjistrimit të popullsisë dhe deklarimit të fesë e kombësisë, u provokuan reagime të shumta deri në kërkesat për ta shpallur atë si një person të padëshiruar. Dhe në fakt, pas këtij deklarimi dhe reagimeve që shkaktoi pretendimi i përfaqësuesit diplomatik të qeverisë greke në Korçë, Ikonomus nuk ka qenë i pranishëm në detyrë. Ai u shkarkua nga Ministria e Jashtme greke, por më pas, i njëjti dikaster vendosi që përfaqësuesi i saj në Korçë të rikthehej në detyrë, deri në fund të mandatit të tij.

Këshilli Bashkiak kundërshtoi rikthimin
Anëtarët e Këshillit Bashkiak në Korçë firmosën një deklaratë të përbashkët, ku i kërkuan qeverisë shqiptare dhe asaj greke që të zëvendësohej konsulli, i cili me deklaratat e tij nacionaliste kishte sjellë reagime të shumta. “Mos u trembni nga regjistrimi i popullsisë, por shpallni origjinën reale. Kjo vlen për të gjithë ata që janë në dyshim dhe me frikë dhe pyesin veten “jam me siguri grek?”. Kjo është deklarata e konsullit që shkaktoi polemika në Korçë, e rrjedhimisht solli edhe reagimin e këshilltarëve të të gjitha forcave politike, duke kërkuar shkarkimin e tij.

 

KORÇE/ GEZIM ASHIMI

© Panorama.al

Te lidhura