Korçë, mjekët: Fëmija i lehonës së vdekur, në gjendje të rëndë

Jan 11, 2012 | 13:22
Viktima Erjola Dinoshi

KORÇE – Reagimet e familjarëve të Erjola Dinoshit dhe akuzat e ngritura prej tyre ndaj mjekëve kanë nxitur një mbledhje urgjente në Shtëpinë e lindjes së Korçës, ku një ekip mjekësor ka diskutuar edhe një herë në lidhje me shkakun që ka çuar në vdekjen e pacientes 22-vjeçare. Grupi i kryesuar nga mjeku kirurg, Bujar Isak, është mbledhur mëngjesin e së martës për të gjetur një shkak real në pritje të përgjigjes së ekspertizës më të specializuar që do të kryhet në Tiranë, pavarësisht faktit se në momentin e ngjarjes nga mjekët është dhënë si shkak për vdekjen një aksident vaskular apo hemorragji e vazhdueshme, që çoi 22-vjeçaren drejt vdekjes. Kjo mbledhje ka dështuar për shkak të mungesës së drejtorit të spitalit. Ndërkohë mësohet se edhe fëmija i porsalindur ka probleme shëndetësore. Sipas mjekëve pediatër, foshnja është në gjendje kritike për shkak se ka vuajtur në barkun e nënës, pra disa orë para se të sillej në jetë. Fëmija i lindur me peshë normale 3.7 kg dhe gjatësi 51 cm, sipas mjekëve ka probleme të shumta shëndetësore, pasi ka vuajtur për të paktën 4 orë para se të sillej në jetë nga nëna e tij 22-vjeçare, e cila humbi jetën një orë pas lindjes. Mjeku pediatër, Edion Kollçinaku, ka sqaruar se pavarësisht se parametrat jetësorë të fëmijës mbahen të stabilizuar nga aparaturat, bebja vijon të jetë i sëmurë. I vendosur prej datës 6 janar në inkubator dhe i lidhur me oksigjenin, foshnja që ende nuk ka një emër, sipas specialistit nuk ka nevojën për t’u trajtuar në spitale të pajisura me aparatura më të specializuara, edhe për faktin se problemet e tij shëndetësore trajtohen në të njëjtën formë edhe jashtë vendit. Ai ushqehet përmes një sonde, ndërsa është i lidhur vazhdimisht me oksigjenin, për shkak se nuk mund të marrë frymë vetë. Ndonëse ka shpresa për jetën e tij, mjeku ka sqaruar se fëmija është i sëmurë edhe për shkak të problemeve neurologjike që ka. Ende nuk dihet fati i kësaj foshnjeje, i cili së bashku me djalin 2-vjeçar të viktimës ka mbetur jetim dhe është duke luftuar për jetën. Familja, e cila ka varur shpresat për zbardhjen e shkakut të vërtetë të vdekjes vetëm një ditë më parë, pohoi se dyshimet e tyre shkojnë drejt bluzave të bardha. Ekspertiza mjekoligjore do të jetë ajo e cila do të nxjerrë në dritë shkakun e vërtetë për vdekjen e nënës 22-vjeçare.                    dh.d

© Panorama.al

Te lidhura