Belind Këlliçi ka sqaruar kontratën e lobimit të Partisë Demokratike me një kompani amerikane pranë avokatit të presidentit Donald Trump me vlerë 6 milionë dollarë me një kohëzgjatje prej 24 muajsh.

I ftuar në emisionin “Log.” në News24, Këlliçi hodhi poshtë pretendimet se janë paguar 6 mln dollarë, ndërsa theksoi se kjo kontratë është marrë përsipër që të financohet nga një komunitet shqiptarësh që jetojnë dhe punojnë në Amerikë prej vitesh.
Ai shpjegoi se kontrata është nënshkruar më 4 prill dhe ka një pagesë fikse mujore prej 250 mijë dollarësh. Ai theksoi se kontrata parashikon një mundësi të ndalimit të shërbimit pas muajit të tretë.
Belind Këlliçi: Edi Rama gënjen, dhe kushdo që thotë se janë paguar 6 mln dollarë për këtë marrëveshje gënjen. Të nxjerrin një provë të një transaksioni që janë paguar 6 mln dollarë.
Ajo kontratë është një kontratë me një kohëzgjatje 24 muaj. Është lidhur në 4 prill, pra 25 ditë më parë. Ka një pagesë fikse mujore 250 mijë dollarë dhe ka të drejtë ndalimi të këtij shërbimi fill pas muajit të tretë. Sipas kontratës në rastin maksimal mund të jenë paguar vetëm tre muajt e kësaj kontratë që janë të barasvlershme me 9 ditë të inceneratorit të Tiranës që nuk ekziston. Kjo është një marrëveshje që është firmosur nga fondacioni Make Albania Great Again në SHBA që ka objekt edhe lobimin në rast se kërkohet. Janë njerëz që njihen në komunitetin shqiptari amerikan, e dinë se kush është zoti Seci që ka firmosur. Është e ligjshme dhe praktike normale në SHBA. Lobimi njihet në cdo moment.
© Panorama.al











