Kontrabanda, në kërkim doganieri i Korçës

Mar 22, 2011 | 9:17

TIRANE – Një doganier i pikës së kalimit kufitar të Kapshticës është shpallur në kërkim nga policia me akuzën se ka lejuar kalimin kontrabandë të një kamioni me produkte ushqimore ditën e diel. Pas operacionit të koduar “Fast-Food” të së dielës mbrëma, kur Antikrimi Ekonomik i Tiranës bllokoi një maune me 2 tonë salcë kontrabandë nga Greqia, i vetmi që përfundoi në pranga ishte shoferi i maunes, Aurel Isa, nga Korça. Në kohën kur policia nisi verifikimet për të ndaluar biznesmenin që kishte porositur sasinë e mallit kontrabandë, personi i arrestuar pranoi të mbante vetë përgjegjësinë për gjithçka, duke deklaruar se malli ishte i tij dhe ai do të kryente shpërndarjen në tregun e Tiranës. Policia bëri të mundur identifikimin e doganierit që ka lejuar kalimin e maunes nga Greqia në Shqipëri, nëpërmjet vendkalimit kufitar të Kapshticës. Burime nga policia thanë se ka nisur procedim penal dhe është shpallur në kërkim doganieri i kontrollit fizik të Kapshticës, Sokol Kamenica, 25 vjeç, i cili ka kaluar makinën dhe mallin pa pasur dokumentacionin e nevojshëm. Maunia e bllokuar mbrëmjen e së dielës në Tiranë kishte transportuar nga Greqia produkte ushqimore për përdorim në Fast-Food, kryesisht salcë “ketchup”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti me targë KO 4398 B, 30 kuti me sallatë ruse, 100 kuti me majonezë, 176 kuti me “ketchup” dhe 60 kuti me “mustardë”, me një peshë totale rreth 2 tonë.

© Panorama.al

Te lidhura