
Shtatë personat e arrestuar 4 ditë më parë për kryerjen e veprës penale të kontrabandës të naftës janë lënë në burg nga Gjykata e Durrësit. Pasi u njoh me provat e Prokurorisë trupi gjykues, drejtuar nga gjyqtari Kastriot Selita, vendosi masën “arrest me burg” për të pandehurit. Ai ka vlerësuar se personat e ndaluar nuk kishin përgjegjësi të njëjtë për këtë vepër penale e, për këtë arsye, dënimi i dhënë për ta ka qenë i ndryshëm. Më të penalizuarit kanë qenë dy shoferët e boteve, përkatësisht shtetasit Afrim Meça e Pëllumb Mallollari, agjenti doganor, Klodian Çullhaj dhe magazinieri Laurent Bega. Të katër këta shtetas janë lënë në burg pa afat. Ndërkohë, të pandehurit e tjerë kanë marrë masa më të lehta: burg me afat 30 ditë për doganierin Ylli Troplini, 20 ditë për doganierin Selman Doçin, si dhe 10 ditë burg për Artur Mustafajn, të tre me detyrë doganierë në portin Romano-Port. Prokuroria paraqiti para gjykatës provat që sipas organit të akuzës implikojnë të arrestuarit me kontrabandën e mallrave, për të cilat paguhet akcizë. Ndalimi i këtyre shtetasve u bë në vazhdën e operacionit policor “Siguria”. Sipas hetimeve të kryera nga struktura policore kundër krimit financiar, rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.11.2011, gjatë orëve të natës, kanë mundësuar kalimin kontrabandë nga porti Romano-Port të një sasie prej 41.500 litrash karburant. Burime zyrtare policore bënë të ditur se i gjithë itinerari i personave të ndaluar u mbikëqyr hap pas hapi nga agjentët e policisë dhe ndërhyrja e efektivave blu u krye pasi u siguruan provat materiale që implikonin këta shtetas me veprën penale të evazionit fiskal dhe kontrabandë.











