Komiteti Amerikan i Helsinkit u bëri thirrje autoriteteve shqiptare dhe të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhjet vendore të 8 majit, të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar se procesi zgjedhor do të realizohet në përputhje me angazhimet dhe normat e OSBE-së. Në një deklaratë të publikuar dje, kryetari i Komitetit, Kris Smith, tha se “është e nevojshme që të ketë transparencë maksimale, si dhe një angazhim të shprehur nga ana e zyrtarëve zgjedhorë për një proces të lirë dhe të drejtë”. Sipas tij, votuesit duhet ta dinë se vendimi i tyre në kutinë e votimit do të respektohet dhe do të numërohet. “Ky vit duhet të jetë një pikë kthese ku të mbizotërojnë parimet demokratike dhe ku njerëzit të kenë besim të vërtetë në saktësinë e rezultatit të zgjedhjeve”, theksoi Smith. Ndërkaq, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve dhe i KAH, Robert Aderholt, që e ka vizituar Shqipërinë, tha se shpreson që këto zgjedhje të jenë të drejta dhe të pasqyrojnë vullnetin e popullit, në mënyrë që ata që do të zgjidhen, qofshin në shumicë apo në pakicë, të mund të punojnë në mënyrë konstruktive në nivel vendor.











