Kompozitorët: Kujt i takonte çmimi i madh i “Top Fest 8”

Jun 11, 2011 | 13:57

17 këngë garuan të shtunën e 5 qershorit për çmimin e madh të “Top Fest 8”, një kupë që e rrëmbeu Elvana Gjata me baladën “Me ty”, një dedikim i Flori Mumajesit për ndarjen nga jeta në moshën 21-vjeçare të këngëtares Emmy. Nën zë apo në tavolina të ndryshme gjithmonë ndodh të bëhen komente për fituesin, për stonimet gjatë këndimit live, për këngëtarin që do kishim dashur të fitonte apo për melodinë që vërtet të ngelet në mendje. Por, larg qëndrimeve subjektive, gjithmonë pas një gare të tillë të muzikës, më shumë do të duhej mendimi profesionist. Kemi mundur të marrim opinionet e katër kompozitorëve: Edmond Zhulali, Gent Lako, Gent Myftaraj dhe Sokol Marsi. Disa nga pyetjet që u kemi drejtuar janë se në këtë festival të muzikës moderne shqiptare a u përfaqësuan të gjitha rrymat muzikore, pse kaq shumë balada këtë vit, a janë dakord kompozitorët me çmimet e jurisë dhe publikut, për shijet e tyre, kujt do të mund t’ia kishin dhënë çmimin e parë dhe të tjera pyetje në lidhje performancat e natës finale.

Edmond Zhulali: Sugjeroj që praktika e dhënies së çmimeve të bëhet e hapur

Në “Top Fest 8” ishin 17 këngë në finale, meqenëse konsiderohet festivali i muzikës moderne shqiptare, mendon se u përfaqësuan të gjitha rrymat?
Mendoj se “Top Fest” në tërësinë e tij ka kontribuar në zhvillimin e këngës së re shqiptare. Për sa i përket përfaqësimit të rrymave moderne, kishte përpjekje në këtë drejtim.  Është i dyti vit që “Top Fest” tenton drejt realizimit live. Në fillimet e tij, në mënyrën se si i paraqiti këngët pra, me produksione të plota krijoi mundësinë e përfaqësimit të një game më të gjerë të rrymave moderne muzikore. Kjo vjen si rezultat i realizimit të produksioneve muzikore nëpër studio, ku mundësia e realizimit të muzikës së re moderne është shumë e madhe. Duke ndryshuar strukturën e shoqërimit të këngës me orkestrën live, mundësia e realizimit të disa rrymave muzikore moderne si hip-hop, rap, r&b, tecno, house etj zvogëlohet shumë. Ishin këto rryma muzikore të cilat e bënë këtë festival më të veçantë dhe më afër të rinjve. Realizimi me orkestrën live i festivalit e çon atë drejt një standardi dhe mënyre organizimi tjetër. Ai shkon më afër festivalit tradicional të Shqipërisë, që zhvillohet në RTSH, duke anuar kryesisht drejt rrymave muzikore si pop, rock etj. Për mendimin tim, ai duhet të bëhet në këtë mënyrë, këngëtarët të këndojnë live dhe baza orkestrale të jetë play back. Do të jepja një shembull nga Italia fqinje, një shtet me potenciale të jashtëzakonshme muzikore, i cili për interesa kombëtarë nuk e dublon festivalin e Sanremos.
Ç’mendim ke për baladat, a i duhen muzikës shqiptare kaq shumë balada në një vit?
Balada është një ndër rrymat më të ndjera të muzikës dhe ato janë shumë të pëlqyera nga publiku, megjithatë në qoftë se ajo bëhet qëllim në vetvete, natyrisht nuk është e pranueshme.
U ndanë shumë çmime, në shijet e tua si krijues profesionit, ishe dakord me shijet e publikut dhe të jurisë?
Unë nuk dua të diskutoj çmimet që u ndanë në “Top Fest”, por do të sugjeroja që praktika e dhënies së çmimeve të jetë transparente për publikun, pra të jetë çdo gjë e hapur.
Kalojmë te i kënduari ‘live”, stonuan këngëtarët në përgjithësi dhe do të veçoje emra të këngëtarëve që performuan pa gabuar?
Në përgjithësi, këngëtaret kënduan mirë, por unë si muzikant profesionist, do të thosha që jeta artistike live në Shqipëri është shumë e pakët dhe për të dalë në një konkurrim duhet shumë punë, por edhe përvojë. Një pjesë e madhe e këngëtarëve, të vetmen mundësi të kënduari live e kanë në Festivalin e Këngës në RTSH që bëhet gjithmonë live dhe, së fundmi në Top Fest. Këto dy aktivitete janë shumë pak që një këngëtar të formohet dhe të ketë një mundësi të aftësohet.
Për shijet e tua, cilit këngëtar do ia kishe dhënë çmimin e parë?
Nuk dua të hyj në këtë diskutim, por Elvana ishte dinjitoze në këngën e saj.

Genti Lako: Çmimin e parë do ia jepja Xhensilës, e vetmja këngë që më mbajti mbërthyer

Në “Top Fest 8” ishin 17 këngë në finale, meqenëse konsiderohet festivali i muzikës moderne shqiptare, mendon se u përfaqësuan te gjitha rrymat?
Vura re që kishte mungesë të 2 rrymave shumë prezente në Top Fest-et e kaluara, hip-hop dhe metal underground.
Ç’mendim ke për baladat, a i duhen muzikës shqiptare kaq shumë balada në një vit?
Të them të drejtën, shumë balada krijojnë pak monotoni, por ajo që më shqetëson mua është kopjimi deri në detaj i artistëve të mëdhenj botërorë. Me vjen keq që artistë të mëdhenj shqiptarë me emër performojnë dhe realizojnë këngët e tyre, si Rihanna, Beyonce, Timberland etj. Unë s’kam dëgjuar asnjë Rihanna greke, Beyonce italiane apo Timberland turk. Me sa di, këngëtarët më të mëdhenj të këtyre vendeve janë shumë origjinalë. Këto kompeticione duken si garë e emrave të rinj që performojnë këngë te suksesshme nga bota.
Cilin do të veçoje si tekstin më të mirë dhe tekstin më të varfër?
Meqenëse është viti i dytë që unë nuk marr pjesë me asnjë krijim timin në Top Fest, e kam ndjekur pak për të fiksuar konkretisht ndonjë tekst.
Ndërkohë që u ndanë shume çmime, në shijet e tua si krijues profesionit, ishe dakord me shijet e publikut dhe të jurisë?
Nuk e di sa ndikim në përqindje ka pasur juria në krahasim me publikun në dhënien e çmimeve. Unë asnjëherë nuk kam qenë dakord me vendimet e jurive dhe do kisha dëshirë që në kompeticionet shqiptare juria të mos ketë fare ndikim, por vetëm publiku.
Kalojmë te i kënduari ‘live”, stonuan këngëtarët në përgjithësi dhe do të veçoje emra të këngëtarëve që performuan pa gabuar?
Duke pasur parasysh që këndimi ishte live, mund të kishte ndonjë luhatje të papërfillshme që mund ta kuptojë vetëm ndonjë profesionist. Gjëra që i ndodhin edhe këngëtarëve të mëdhenj në botë gjatë të kënduarit live. Në përgjithësi, këngëtarët ishin të nivelit të lartë profesional. NRG Band dihen dhe njihen për aftësitë vokale që ka solisti i grupit, ndërsa Xhensila më ka habitur për interpretimin e mrekullueshëm, duke mos u sforcuar në asnjë sekondë.
Në kontributin që festivale të tilla i japin muzikës, si do ta kishe përshkruar këtë edicion të “Top Fest”?
Investim shumë i madh si nga ana skenike, ashtu dhe nga ana teknike për të realizuar veglat dhe vokalin live. Festivale të tilla i duhen tashmë Shqipërisë, sepse largojnë këngëtaret modele që nuk ia kanë idenë të kënduarit live dhe që kishin zënë goxha vend në treg, në krahasim me profesionistet. Gjëja që nuk jam dakord është se emri i madh nuk konkurron në mënyrë të barabartë me emrin e ri dhe çmimet bëhen të parashikueshme. Fatkeqësisht, kjo ndodh në të gjitha kompeticionet. Gara është e bukur kur të mban në ankth deri në momentin e fundit.
Për shijet e tua, cilit këngëtar do ia kishe dhënë çmimin e parë?
Pa dyshim Xhensilës, perveç interpretimit të bukur, edhe kënga ishte shumë e bukur. Ishte e vetmja këngë që më la para ekranit deri në sekondën e fundit.

Sokol Marsi: Është e pamundur që në live të mos ketë firo të vogla

Ne “Top Fest 8” ishin 17 këngë në finale, meqenëse konsiderohet festivali i muzikës moderne shqiptare, mendon se u përfaqësuan të gjitha rrymat?
Muzikës shqiptare i duhet çdo gjë e bukur për të cilën ajo ka gjithmonë nevojë. E rëndësishme është cilësia dhe jo sasia për mendimin tim.
Ndërkohë që u ndanë shumë çmime, ne shijet e tua si krijues profesionit, ishe dakord me shijet e publikut dhe te jurise?
Për mua, e rëndësishme mbetet krijimtaria, pra produkti dhe realizimi i qëllimit të kompeticionit. Aprovimi i publikut, me sa arrita të kuptoj, ishte pozitiv dhe mbështetës.
Kalojmë te i kënduari ‘live”, stonuan këngëtarët në përgjithësi dhe do të veçoje emra të këngetarëve që performuan pa gabuar?
Është e pamundur që në event live të mos ketë firo të vogla. Unë dua t’i komplimentoj organizatorët dhe gjithë artistët për rikthimin e të kënduarit dhe performuarit live në evente të tilla. Mendoj se tashmë ka ardhur koha të orientohemi tërësisht te live dhe faktet treguan se i kemi te gjitha mundësitë.
Për shijet e tua, cilit këngëtar do ia kishe dhënë çmimin e parë?
Kjo është një e drejtë ekskluzive qe i përket një anëtari jurie. Me lejo ta rezervoj gjykimin tim personal për një rast të tillë.

Gent Myftaraj: Perfomancat më të mira Endri, Genti dhe Anjeza

Në “Top Fest 8” ishin 17 këngë në finale, meqenëse konsiderohet festivali i muzikës moderne shqiptare, mendon se u përfaqësuan të gjitha rrymat?
Nga pikëpamja sasiore, mendoj se po, por në këto rrethana duhet të na lindë pyetja se sa cilësisht ishin te prezantuara këto rryma.
Ç’mendim ke për baladat, a i duhen muzikës shqiptare kaq shumë balada në një vit?
Kur një këngë është e bukur dhe baladë, sigurisht që i duhet muzikës sonë.
Ndërkohë që u ndanë shumë çmime, në shijet e tua si krijues profesionit, ishe dakord me shijet e publikut dhe te jurisë?
Nuk u jap shumë rëndësi çmimeve në të tilla kompeticione, e rëndësishme për mua është se cila këngë do jetojë të nesërmen.
Kalojmë te i kënduari ‘live”,  stonuan këngëtarët ne përgjithësi dhe do të veçoje emra të këngëtarëve qe performuan pa gabuar?
Të mos harrojmë që shumica e këngëtarëve që marrin pjesë nuk janë shumë të rrahur me eksperienca live, do të veçoja për një performancë të shkëlqyer Endri Priftin, Eugent Bushpepajn, Anjeza Shahinin.
Në kontributin që festivale të tilla i japin muzikës, si do ta kishe përshkruar këtë edicion të “Top Fest”?
Përgjigjja klishe do të ishte që festivale të tilla sjellin modernizëm dhe rryma bashkëkohore. Por, kaq është shumë pak, nëse do të flisnim për kontribute në muzikë.
Për shijet e tua, cilit këngëtar do ia kishe dhënë çmimin e parë?
Në qoftë se do të gjendesha para zgjedhjes për këngën fituese, do luhatesha midis E.Priftit dhe E.Gjatës.

Këngëtarët Big që nuk arritën të prekin finalen

Në këtë garë pati disa emra këngëtarësh që nuk u përmendën në listën me 17 tituj këngës, që u përzgjodhën për të garuar në natën finale për çmimin e madh. Mes këngëtarëve që ndoshta publiku nuk do t’i kishte imagjinuar jashtë finales, do të veçonim Linda Halimin, që erdhi me një bashkëpunim, dedikim për aktorin e madh Bekim Fehmiu, grupin kosovar “Fisnikët” me një këngë me titull “Vdeksha për ty”, Kastro Zizo, i cili hyri në garë me ambicie të madhe, por nuk u përfshi në finale apo Samanta Karavella, e cila nuk u kualifikua, pasi nuk i kishte paguar këngën autorit Big Basta.

Ermela dhe Mirjeta japin çmimin e “Kandidatit për burrë”

Të dyja shquhen për sensin e humorit e ndaj, dy ish-banoret e “Big Brother 4”, të përzgjedhura për të dorëzuar kupën e “Best male” në “Top Fest 8”, kanë mundur të bëjnë pak humor duke e cilësuar çmimin për kandidatin më të mirë burrë. Të veshura në stil ekstravagant, ajo janë pritur mirë nga publiku në momentin që janë ngjitur në skenë, ndërkohë që për to ka qenë një moment i bukur për të provuar diçka ndryshe nga ish-banorët e tjerë. Tashmë, Ermela dhe Mirjeta janë shoqe shumë të mira, pasi argëtohen e kalojnë pushimet bashkë.

 

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura