Miratohet komisioni hetimor për Kuvendin

Mar 17, 2011 | 11:32

TIRANE- Kuvendi ka miratuar ngritjen e komisionit hetimor me kerkese te PS-se per te hetuar veprimtarine e punes se Parlamentit. Me 116 vota pro, 1 kunder dhe 4 abstenim, deputetet i kane hapur rruge ngritjes se ketij komisioni.

Gazeta ‘Panorama’  shkruan sot se Partia Demokratike ka pranuar kërkesën e bërë nga opozita, madje ka dërguar edhe emrat e anëtarëve të saj në këtë komision. Per kete, sot në Kuvend, PD-ja do të kërkojë edhe disa ndryshime në lidhje me objektin e hetimit të këtij komisioni, por do të votojë për ngritjen e tij. Kështu, burime nga PS-ja bëjnë me dije se kryetar i këtij komisioni mund të jetë Erjon Braçe, ndërsa deputetët Ilir Beqja, Arben Isaraj, Damian Gjiknuri e Saimir Tahiri do të përfaqësojnë opozitën në këtë komision. Nga ana e saj, maxhoranca do të ketë shumicën e anëtarëve, 6 nga 11 anëtarë që ka komisioni, duke filluar nga Jemin Gjana, Edmond Spaho, Arenca Trashani, Fatos Beja, Edi Paloka e Paulina Hoti. Me anë të këtij komisioni hetimor, i cili pritet të ketë një veprimtari prej 3 muajsh, do të hetohet vendimmarrja e Kuvendit që nga shërbimi për deputetët e deri tek votimi në seancat plenare. Gjithsesi, PD-ja do të paraqesë disa ndryshime teknike në kërkesën e socialistëve për ngritjen e këtij komisioni hetimor që kanë të bëjnë me pjesën e hetimit, duke tentuar të mos preket ligji për këtë institucion.
Objekti i hetimit
Sipas objektit paraprak që pritet të miratohet, nëse komisioni do të hetojë veprimtarinë e administratës së shërbimeve të Kuvendit, sipas kompetencave të përcaktuara në rregulloren e Kuvendit, ligjin për buxhetin, legjislacionin që rregullon statusin e deputetit dhe legjislacionin për ekzekutimin e buxhetit etj. “Hetimi i Byrosë së administratës së Kuvendit, në lidhje me përcaktimin e strukturës dhe organikës së administratës ndihmëse të Kuvendit dhe zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil apo atij të punës në rekrutimin, transferimin apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punës të personelit të administratës”, thuhet në kërkesën e dorëzuar nga PS-ja për komisionin hetimor. Në këtë kërkesë thuhet më tej se do të hetohet edhe shitja e makinave të deputetëve dhe pasojat që ka pasur në buxhet një veprim i tillë. “Hetimi i funksionimit të stafit ndihmës të Kuvendit, puna që ata kryejnë dhe shpërndarja e punës në komisione, zbatimi i kërkesave ligjore për respektimin e procedurave në shqyrtimin e projektligjeve si dhe emërimet e Kuvendit në institucionet dhe entet në varësi të tij si dhe hetimi i integritetit dhe eficencës së sistemit të votimit elektronik të Kuvendit”, thuhet në kërkesë.

Anëtarët e komisionit

Erjon Braçe         (kryetar)
Ilir Beqja             PS
Saimir Tahiri        PS
Damian Gjiknuri        PS
Arben Isaraj         PS
Jemin Gjana        PD
Edmond Spaho        PD
Arenca Trashani         PD
Fatos Beja        PD
Edi Paloka        PD
Paulina Hoti        PD

© Panorama.al

Te lidhura