Futbollistët e Kombëtares shqiptare dhe stafi teknik do të marrin 100 mijë euro shpërblim për fitoren e arritur ndaj Bjellorusisë.Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta në FSHF, si dhe konfirmohet nga disa lojtarë. Këta të fundit tregojnë se para ndeshjes, presidenti i federatës, z.Armand Duka, në takimin që kishte pasur me ekipin kishte premtuar haptazi një premio ekstra, veç atij të vendosur që në fillim të edicionit nga Komitetit Ekzekutiv i FSHF-së.
Shpërblimi – Që në fillim të kualifikimeve, është vendosur se për çdo fitore lojtarët e Kombëtares dhe stafi teknik do të marrin nga tre mijë euro për kokë. Ndërsa për çdo barazim, nga një mijë euro. Por duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj sfide, presidenti Duka rriti shifrën e shpërblimit, për të motivuar edhe më shumë kuqezinjtë. Kështu, sipas informacioneve, veç tri mijë eurove, në xhepat e secilit lojtar do të shkojnë edhe dy mijë euro plus, duke e çuar këtë shifër në pesë mijë euro për kokë. Konsideruar ekipin që ishte i përzgjedhur nga trajneri Kuzhe për këtë ndeshje, si dhe stafin teknik, me një llogari të thjeshtë i bie që premio për fitoren ndaj bjellorusëve të shkojë deri në 100 mijë euro. Ndërkaq, federata do të konsiderojë seriozisht edhe për një shpërblim në transfertën e 7 qershorit ndaj Bosnjës, rezultati pozitiv i së cilës do të na hapë përfundimisht një vend për në Evropianin e 2012-ës.
Motivimi – Kjo nuk është hera e parë që FSHF-ja stimulon lojtarët e Kombëtares, kur arrihen rezultate. Kujtojmë se para ndeshjeve me Bosnjë-Hercegovinën në Tirane më 8 tetor dhe me Bjellorusinë, katër ditë më vonë, u proklamua një premio që shkonte deri në 250 mijë euro në total, nëse kuqezinjtë do të mund të merrnin një fitore dhe një barazim, pra 4 pikë. Madje, në rast se Kombëtarja do të merrte 6 pikë të plota, atëherë përfitimi do të shkonte deri në 300 mijë euro. Gjithsesi, pas këtyre dy takimeve, lojtarët së bashku me stafin teknik, nuk morën më shumë se një mijë euro secili (për barazimin me Bosnjën), shifër kjo e vendosur që më parë. Kujtojmë se shpërndarja e premiove bëhet nga vetë federata dhe jo të gjithë lojtarët marrin të njëjtën shifër. Normalishtj ata që luajnë si titullarëj përfitojnë më shumë se ata që “ngrohin pankinën”. Një gjë e tillë është bërë edhe për të shtyrë lojtarët që me angazhimin dhe lojën e tyre të vënë në presion trajnerin në rastin e përzgjedhjes fillimisht të 18-ës për çdo ndeshje dhe më pas të formacionit titullar.
Berisha: Qeveria do shpërblejë Kombëtaren
Sali Berisha, kryeministri i Shqipërisë, deklaroi dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së se qeveria që ai drejton do të shpërblejë Kombëtaren shqiptare të futbollit për fitoren ndaj Bjellorusisë me rezultatin 1-0, në stadiumin “Qemal Stafa”. “Qeveria do të shpërblejë ekipin kombëtar për ndeshjen e fituar, një nga ndeshjet më të bukura të Kombëtares sonë. Kjo ishte performanca më e mirë dhe paraqitja më dinjitoze e Shqipërisë”, deklaroi Berisha. Gjithashtu, kryeministri i vendit siguroi se viti 2012 “do të jetë viti i finalizimit të stadiumit kuqezi”, projekti i të cilit është gati për zbatim. Punimet, sipas të gjitha gjasave, do të fillojnë në shtator të këtij viti, por përfundimi i tyre zor se do të arrihet për 100-vjetorin e pavarësisë, sikundër ka proklamuar Berisha.
Rekordi, hera e parë, 8 pikë në 5 ndeshje
Pas fitores që arriti me Bjellorusinë, Shqipëria mundi të siglojë edhe një rekord, për sa i përket pikëve të grumbulluara pas pesë ndeshjeve të para në kualifikime. Është hera e parë që ekipi ynë përfaqësues merr tetë pikë pas pesë ndeshjesh, duke bërë një hap të madh drejt ngjitjes graduale në klasifikimin e skuadrave në FIFA dhe UEFA. Për herë të fundit, në kualifikimet e Evropianit të 2008-s grumbulluam gjashtë pikë pas pesë ndeshjeve të para. Asokohe, Kombëtarja jonë drejtohej nga kroati Oto Bariç dhe po të mos kishim humbur në shtëpi 2-4 pikërisht ndaj Bjellorusisë, jo vetëm që do kishim bërë një hap më përpara (një vazo më lart), por do kishin thyer edhe rekordin e 13 pikëve të vendosur nga gjermani Hans Peter Brigel. Gjithsesi, duke theksuar se në kohën e këtij të fundit Shqipëria ishte në një grup me 7 skuadra, nga ku dy prej tyre ishin më të dobëta se skuadra jonë (Kazakistani dhe Gjeorgjia).
Kuzhe fiton sfidën e sezonit dhe një kontratë
Ndeshja me Bjellorusinë ka qenë basti i trajnerit të Kombëtares, Josip Kuzhe. Nëse Shqipëria do të kishte humbur, atëherë kroati 57-vjeçar thjesht do të përfundonte kontratën e tij deri në fund të këtij edicioni me kuqezinjtë dhe më pas do të largohej nga drejtimi i ekipit. Burime të sigurta në FSHF patën pohuar se Kuzhe luante gjithçka ndaj Bjellorusisë, madje flitej edhe për një shkarkim të mundshëm në rast të ndonjë humbjeje të turpshme. Por nuk ndodhi kështu, ndaj gjithçka kthehet në kahun tjetër, aq sa tani flitet për një rinovim kontrate edhe për kualifikimet e Botërorit 2014. Kuzhe ka pasur si objektiv vendin e katërt në grup dhe pas fitores me bjellorusët kjo gjë duket më se e arritshme. Duke pasuar parasysh se do luajmë ndaj Francës dy herë, Bosnjës në transfertë, me Luksemburgun dhe në fund me Rumaninë në Tiranë, me llogari i takon që minimalisht Shqipëria të grumbullojë 11 pikë në këto eliminatore, po aq sa Bariç. Në këtë kontekst, objektivi duket i arritshëm dhe për kualifikimet e 2014-ës Shqipëria mund të jetë një vazo më lart në short. Kjo gjë do t’i jepte të drejtë Kuzhesë që të kërkonte një rinovim të ri të kontratës së tij dhe drejtuesve të federatës, në veçanti presidentit Duka që t’i besonte edhe një 2-vjeçar tjetër Kombëtaren këtij të fundit.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











