Komandanti i divizionit: Si u goditëm për filmin e ndaluar kushtuar Enverit

Mar 27, 2011 | 10:07
Një nga fotot e Enver Hoxhës, që gjatë periudhës së komunizmit, ishte e ndaluar të qarkullonte në mjediset publike

Ajo çka përjetuar komandanti i Divizionit të Fierit mesditën e 13 qershorit 1986, ka qënë diçka e befasishme. I sapokthyer në zyrë nga një inspektim në terren, lajmi i parë që ka marrë ka qënë vërtet tronditës: Shkarkohesh nga detyra për mungesë të theksuar vigjilence. Nga ligjërata e pazakontë e ministrit të Mbrojtjes që ia kishte komunikuar urdhrin me telefon, i ishte fiksuar togfjalëshi “ngjarje e rëndë” dhe diçka që bënte fjalë për emrin e komandantit legjendar.“Ishte koha kur Enveri i vdekur qëllonte me fantazmën e tij”, kujton Nevruz Dervishaj, ish-ushtaraku i lartë i kryqëzuar për shfaqjen e një filmi të ndaluar kushtuar diktatorit në Shtëpinë e Ushtarakëve të njësisë. E gjitha kjo, shton ish-komandanti i divizionit të Fierit, për pamjen e Mehmet Shehut në një dokumentar të viteve ‘70, kur ai ishte shpallur poliagjent e tradhtar. Nga tërë ajo histori, njeriu që vuri në rrezik karrierën disavjeçare, ruan kopejen e letrës adresuar ministrit të Mbrojtjes, Prokop Murra, në përfundim të aksionit për identifikimin e përgjegjësive për “ngjarjen e rëndë”. Në rrëfimin për “Panorama”, Nevrus Dervishaj, që njihet si një nga shtatmadhorët e sukseshëm të ushtrisë shqiptare, zbulon rrethanat e ndodhisë, mekanizmin që vuri në lëvizje Komitetin Qëndror e krerët e Ministrisë së Brendshme dhe ballafaqimet pafund në zyrën e Pali Miskës, ish-sekretarit të Parë të Partisë së rrethit…
Zoti Nevrus! Në një letër drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Prokop Murra, kur kryenit detyrën e komandantit të Divizionit të Fierit, mbani qëndrim autokritik për shfaqjen e një filmi të ndaluar për Enver Hoxhën. Ju kujtohet ngjarja…
Në mos gaboj, ishte qershori i vitit 1986 (Diku në shënimet e mbajtura, e kam edhe datën fikse.) Në rutinën e përditshme, dega e propagandës e Shtëpisë së Ushtarakëve të Fierit, kishte shfaqur në Kinostudion “Shqipëria e Re” një

Nevrus Dervishi, kur ishte në detyrë

dokumentar që i kushtohej  Enver Hoxhës. E kishin ndjekur ushtarakët dhe familjet e tyre. Një orë pas kësaj, më telefonuan urgjent nga Tirana. “Ç’po ndodh aty?” “Të gjithë në gjumë ju e kërkoni armikun në kufi dhe i shtroni sofrën në mes të qytetit”. Pas kësaj ligjërate të tensionuar, telefonuesi nga Komiteti Qëndror më shpjegoi edhe ngjarjen. Sa përfundova telefonatën me të, zyrën e pushtoi një zile e zgjatur. Nga krahu tjetër dëgjova zërin e ministrit të Mbrojtjes. Toni i tij ishte më i vrazhdë dhe artikulimi më qortues. Nga gjithë sa shqiptoi, në mendje m’u fiksuan fjalët e fundit “A mund ta quani më veten komandant divizioni pas kësaj?!”, që nënkuptonte pezullimin e menjëhershëm nga detyra. Nuk dija ç’t’i thonja, por as ai nuk më la ta sqaroja. Foli shpejt e shpejt dhe mbylli telefonin i xhindosur. Një moment mbeta si i ngrirë. Nuk dija ç’kishte ndodhur. Hapa derën dhe u futa në zyrën e komisarit. Pamja e tij më la të kuptoj se bomba kishte rënë dhe aty. Madje, siç më shpjegoi pak më vonë, atij sa i kishin komunikuar shkarkimin nga detyra për mungesë të theksuar vigjilence…
Çfarë kishte ndodhur që kaq papritur u gjendët të kryqëzuar?
Ato çaste nuk e kuptonim përse bëhej fjalë. Ngjarjen e morëm vesh nga zyrtarët, që erdhën me urgjencë nga Tirana. “Hataja”, sipas tyre, kishte ndodhur nën hundën tonë, në mes të qytetit, ku ishte shfaqur një film i ndaluar. Diçka vërtet e rëndë, ca më tepër që dokumentari i kushtohej Enver Hoxhës. Të gjendur në befasi, nxituam të mësojmë të vërtetën. Thirrëm menjëherë shefen e shtëpisë së kulturës, Argjiro Beqiri, dhe kinoperatorin e divizionit, Petraq Ristën. I pyetëm gjerë e gjatë për rrethanat e ngjarjes dhe objektin e filmit. Na shpjeguan sa mundën, por rrëfimi i tyre ishte i përgjithshëm. Nga çasti në çast, situata bëhej kritike. Sakaq, kishin mbërritur edhe krerët e Sigurimit të Ushtrisë. Ata folën shkoqur që në krye të herës, duke këmbëngulur te përgjegjësia penale. Çështja ishte tmerrësisht delikate. Nuk kishim të bënim me një pakujdesi të rëndomtë, me një dokumentar të zakonshëm, me një ngjarje periferike…
Për një film të ndaluar ku shfaqej Enveri…
Pse pak ishte kjo?! Diçka e jashtëzakonëshme që në atë kohë vinte në lëvizje gjithë herakinë partiake e shtetërore. Të guxoje atëherë të shfaqje një film të ndaluar, të nxjerrë nga qarkullimi për aryse politike, ca më tepër kur bëhej fjalë për Enverin, ishte aventurë vetëvrasëse…
Për çfarë arsyesh mund të dilte nga qarkullimi një film për Enverin?
Arsyet ishin nga më të ndryshmet, por ndër më kryesoret ishin ato politike. Kjo ndodhte jo vetëm në rastin e filmit. Zbulimi periodik i armiqve, që në të gjitha rastet i atribuohej Partisë dhe kryesisht diktatorit, diktonte nevojën e pastrimit të dokumenteve, dosjeve zyrtare, arkivave, bibliotekave, filmave e deri te albumet personale. Kjo bëhej nga grupe të autorizuara, të cilat kalonin në sitë gjithçka, duke hequr pjesët ku shfaqeshin emrat, fotografitë, profilet dhe bëmat e armiqëve, mjaft syresh ish-shokë e bashkëpunëtorë të Enverit, ish-liderë të konvertuar rishtas në tradhtarë etj. Rasti më tipik, me sa më kujtohet, është ripunimi i librit “Kur lindi Partia”, i cili u hoq nga qarkullimi tri herë dhe u rishkrua tri herë nga e para. Veç  botimeve, operacione të tilla, madje më të bujshme, përfshinin fushën e kinemasë, sidomos fondin e kinoditarëve, ku zine pjesën e luanit figura e diktatorit. Herë pas here, dokumentarët e prodhuar nga Kinostudioja kontrolloheshin me lupë të imët, ndërkohë që ekspertët e propagandës qëmtonin çdo frazë të    artikuluar në kinoditar. Nga kjo histeri patologjike nuk shpëtonte asnjë gjë që servirej për publikun nga ‘kombinati’ i propagandës komuniste…
Atëherë, si kishte shpëtuar nga kjo procedurë filmi që u shfaq në Shtëpinë e Ushtarakëve në Fier?
Të them të vërtetën, asnjëherë nuk e mora vesh si mbërriti tek ne ai film i ndaluar. Kinopetarori i divizionit përbetohej se e kishte tërhequr ato ditë nga fondi përkatës i Kinostudios, siç operonte shpesh. Drejtuesit e kësaj të fundit, nga ana tjetër, vinin dorën në zjarr se një produkt i tillë nuk kishte dalë nga institucioni i tyre. Çfarë nuk bëmë ato ditë për të shkuar tek e vërteta, por ishte e pamundur t’i shkonim deri në fund. Sidoqoftë, nuk mbetëm pa gjë në ndarjen e përgjegjësive dhe ndëshkimeve, për të cilat intereshej drejtpërdrejt kupola e Tiranës.
Mbani mend pse ishte shpallur i ndaluar filmi i Enverit që u penalizoi në vitin 1986?
Me sa më kujtohet, ai kinoditar i kushtohej vizitës së Enverit në Dibër në vitin 1967. Prania e Komandantit aty lidhej me përfundimin e aksionit për zhdukjen e pasojave të tërmetit të para një muaji. Pas shkatërrimeve të mëdha, Enveri shkonte të uronte banorët për shtëpitë e reja të ndërtuara në një kohë rekord. Ishte në stilin e propagandës komuniste t’u jepte jehonë të jashtëzakonshme ngjarjeve të tilla. Filmi i xhiruar në këtë rast, bënte pjesë në fondin e dokumentarëve specialë që shfaqeshin në çdo cepë të vëndit. I parë e riparë me mijëra herë që nga viti i prodhimit, me sa duket ajo që nuk shkonte në të, i kishte shpëtuar syrit të kompetentëve. Rasti e solli të zbulohej në Fier. Pastaj, ky vigjilenti ynë do ndizte furtunën e tmerrshme…
Çfarë kishte që stononte në pamjet e Enverit gjatë vizitës në Dibër?
Enveri, aty shfaqej mrekullisht, por e keqja kishte të bënte me praninë e Mehemt Shehut, kryeministrit të kohës në krah të tij, kur ishte dënuar si poliagjent e tradhtar para pesë vitesh. Padyshim, kjo ishte e rëndë, e patolerueshme. Vigjilenti që e kishte dalluar gjatë shfaqjes në Shtëpinë e Oficerëve, lajmëroi menjëherë Tiranën. Që andej shpërtheu alarmi për të vijuar me mbledhje, analiza e ballafaqime për ditë e javë të tëra…
E gjithë kjo për një film, që në fund të fundit ishte tërhequr zyrtarisht në sektorin përkatës në Kinostudio…
Drejtuesit e Kinostudios, fillimisht u munduan ta adresojnë përgjegjësinë tek ne (ato ditë ishin në Fier sekretari i Byrosë dhe kryeinxhinieri i saj). Sipas tyre, një film i tillë ishte hequr nga qarkullimi që në vitin 1982. Ndërkaq, kinoperatori i divizionit pretendonte se e kishte tërhequr në Kinostudio ato ditë. Përplasjet vazhduan për ditë të tëra në zyrën e Pali Miskës, ish-sekretarit të parë të Partisë së rrethit. Më në fund, faji na mbeti ne. Minsitri i Mbrojtjes, Prokop Murra, fillimisht komunikoi shkarkimin e komandantit dhe komisarit të divizionit, por më vonë u tërhoq, duke mbetur te paralajmërimi. Megjithatë çështja nuk u mbyll këtu. Masat më të rënda u morën për shefen e Shtëpisë së Ushtarakëve, Argjiro Beqiri, dhe kinooperatorin Petraq Rista, të cilët u pushuan menjëherë nga puna. Ndërkohë, ngritëm grupe pune për të kontrolluar në të gjitha njësitë dhe repartet.
Dhe çfarë kontrollonit?
Nuk bëhet fjalë këtu vetëm për kontrollin e filmave të destinuar për tu shfaqur për efektivat e reparte. Në rastin e tyre u dogjëm nga qulli dhe duhej t’i frynim edhe kosit. Një çështje delikate, po kaq sa ajo e dokumentarëve, ishte pastrimi i bibliotekave nga literatura e ndaluar, sidomos nga librat dhe rregulloret me emrin e Mehmet Shehut që ishin me shumicë në arkivat e reparteve. Ndërkaq, rifreskuam tërë agjitacionin figurativ në një kohë rekord, duke bërë pastrimin e citateve dhe fotografive që kishin lidhje me emrat e liderëve të shpallur armiq e tradhtar. Ishte ky një aksion i jashtëzakonshëm që e ndoqëm me përgjegjësi nga dita e parë deri në fund…

“Situata u zbut me ndërhyrjen e Pali Miskës”

Letra e drejtuesve kryesorë të Divizionit të Fierit për Prokop Murrën

Fakti që ishte shfaqur në mes të qytetit një film i ndaluar për Enver Hoxhën, përbënte një ngjarje të rëndë dhe delikate njëherësh. Për këtë arsye, operacioni për të ndarë përgjegjësitë dhe penalitetet, zhvillohej në fshehtësi në zyrën e sekretarit të parë të Fierit. Autokritika përballë Pali Miskës fillimisht zbuti masat ndëshkuese ndaj komisarit dhe komandantit të divizionit, të  pezulluar rishtaz nga detyra me urdhër të ministrit të Mbrojtjes. Në letrën e drejtuesve kryesorë të njësisë, Nevrus Dervishi e Andon Dollaku për Prokop Murrën, pasi ishin thirrur më parë në raport nga ky i fundit, ndërsa zbardhet me detaje reflektimi i thellë ndaj ngjarjes së rëndë, nuk hidhet dritë mbi identitetin e  autoritetit zyrtar, që kishte urdhëruar heqjen nga qarkullimi të  dokumentarit për Enver Hoxhën. Po çfarë raportojnë tjetër titullarët e Divizionit të Fierit për ministrin e Mbrojtjes në këtë letër që mban datën 19 qershor 1986…

LETRA
Shokut Prokop Murra
Shoku ministër,
Pas thirrjes në raport nga ana juaj për shfaqjen e filmit “Takimi i shokut Enver Hoxha me zgjedhësit”, i vitit 1978, të hequr nga qarkullimi, mblodhëm menjëherë shtabin e divizionit, bëmë autokritikë të thellë për ngjarjen, për mosinformim dhe moskontroll. Iu bënë të njohura shokëve edhe masat disiplinore që morët ndaj nesh, të cilat i konsiderojmë të drejta e do të na shërbejnë në përmirësimin e metodës së punës. Edhe shokët e shtabit e të aparatit të Komitetit të Partisë bënë autokritikë, duke e ndjerë përgjegjësinë për moskontroll të veprimtarive që zhvillohen në Shtëpinë e Ushtarakëve dhe sidomos për një koncept më të qartë për domosdoshmërinë e informacionit të shpejtë e të saktë. Sipas porosisë suaj, shkuam tek shoku Pali Miska, sekretar i parë i Komitetit të Partisë së rrethit dhe anëtar i Byrosë Politike, bëmë autokritikë dhe problemet ia thamë, ashtu si na i shtruat ju. Me punonjësit e Shtëpisë së Oficerëve bëmë analizë të veçantë dhe nxorëm përgjegjësinë e secilit, duke mos u pajtuar me asnjë justifikim. Ngjarja nuk u parandalua thjesht për shfaqje të liberalizmit, për mungesë kontrolli e vigjilencë. Nga analiza doli se janë lejuar shkelje e pakujdesi të ndryshme. Me këtë shpjegohet rasti që kinomekaniku ka përdorur për ambalazh materiale nga revistat e hequra nga qarkullimi, duke çuar materiale të Shtëpisë së Oficerëve në reparte. Kështu, më datën 5.6.1986, ky çoi disa fotografi të shokut Enver Hoxha në baterinë bregdetare të Radostinës të R15ABD të mbështjella në kapakun e revistës “10 Korriku”, që kishte brenda një fotografi të veprës së poliagjentit Mehmet Shehu. Sapo u verifikua, u gris nga metodisti dhe komandanti i baterisë. Përgjegjësen e Shtëpisë së Ushtarakëve, shoqen Argjiro Beqiri, e shkarkuam nga detyra, ndërsa kinooperatorin Petraq Rista e pushuam nga puna. U mblodh edhe Komiteti i Partisë, ku mbajtën qëndrim autokritik dhe u miratuan masat e marra si komandë. Gjithashtu, në takimin që bëmë me komandat e njësive e të repartave e trajtuam këtë ngjarje, bëmë autokritike dhe tërhoqëm vëmendjen për forcimin e vigjilencës konkrete në të gjitha drejtimet, sidomos në ruajtjen e objekteve ushtarake, të dokumenteve etj. Më datën 15 qershor 1986, erdhën në divizion shokët e Kinostudios, sekretari i Byrosë së Partisë dhe kryeinxhinieri, të cilët bënë autokritikë për dhënien e filmit, si dhe na informuan për masat që kishin marrë në rrugë partie e shtetërore. Edhe ne pranuam gabimet tona për mungesë vigjilence e kontrolli, në mënyrë që ajo ç’ka u shpëtoi atyre, të ishte parandaluar prej nesh.
Ne, nga këto probleme, shoku ministër, po nxjerrim detyra konkrete. Krahas forcimit te vigjilencës, kontrollit e rikontrollit të detyrave, do t’u kushtojmë vëmendje te veçantë. Me këtë objekt është edhe puna që po bëjmë për të parë metodën e punës në disa njësi e reparte. Kemi dhënë urdhër që të kontrollohet në reparte e nënreparte tërë literatura, revistat, gazetat e do të na raportohet me përgjegjësi se mos kemi edhe në ndonjë vend tjetër ndonjë material të tillë.
Ju premtojmë se do të punojmë me të gjitha forcat, që t’ia shpërblejmë me punë Partisë gabimin që bëmë dhe mësimet që nxorëm nga kjo ngjarje do t’i zbatojmë në jetë.

Komisari i Rep. Usht. 6561
Andon Dollaku
Komandanti i Rep. Usht. 6561
Nevrus Dervishaj

 

Nga: AFRIM IMAJ

© Panorama.al

Te lidhura