Kohë librash, kohë historish

Nov 29, 2011 | 9:51

Adriatik Kelmendi
NUK E MBAJ MEND tash e shumë vjet të ketë pasur një periudhë prej disa muajsh kaq të mbushur me libra që zënë vend në listën “detyrimisht për lexim”. Ajo ndjenja e dëshirës për të lexuar njëkohësisht disa libra. Dhe ç’është më e rëndësishmja, që të gjithë këta në shqip. E, për më tepër, nga të dyja qendrat e mëdha të shqipes, Prishtina dhe Tirana Në anën tjetër, një vlerë e re ka filluar të përcillet me shumicën nga këta libra për të cilët e kam fjalën. Rrëfimi. Është rrëfimi për ato që kanë ndodhur e po ndodhin. Histori të disa dhjetëvjeçarëve, ose të viteve të fundit. Herë në formë biografie, autobiografie, intervistë biografike e të ngjashme. Por, të gjitha që shërbejnë për një qëllim: rrëfimin e historive. Si kontribut për historinë.
RRËFIME PËR OSE nga Helena Kadare, Arbën Xhaferri, Enver Hoxha, Fadil Hoxha, Edi Rama, Shkëlzen Maliqi, Bekim Fehmiu, Fatos Kongoli, Spartak Ngjela, Ramiz Kelmendi e të tjerë. Që të gjithë persona e personalitete me ndikim në historinë e shqiptarëve dhe shteteve ku ata jetojnë, ose kanë jetuar. Më ngjan kjo si një trend i qëlluar i kundërpërgjigjeve në historitë e ngarkuara e shpesh të fabrikuara për momente, ngjarje dhe personalitete që janë shkruar përgjatë shumë dhjetëvjeçarëve të gjatë si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë. Kundërpërgjigje për kohët kur historitë janë shkruar në shërbim të shumëçkaje tjetër, përveç historisë pa doreza. Pozitivja tash është se këta libra shkruhen nga autorë me emër dhe mbiemër, ose për të treguar bëmat e veta, ose të të tjerëve. Dhe të njëjtit, qoftë vetëm autorë, qoftë edhe autorë e personazhe njëkohësisht, janë të gjallë (përveç Fehmiut) dhe mund të përballen me debatet që nxisin ato që kanë shkruar. Këtu mbase qëndron edhe e bukura tjetër e këtyre rrëfimeve. Ato nuk shërbejnë më si pjesë të shkruara të mbyllura, të vdekura, në njëfarë mënyre si “versione zyrtare” të jetëve ose ngjarjeve. Secili nga këto rrëfime ka ngjallur dhe po ngjall reagime dhe debate nga më të ndryshmet nga shumë palë dhe me anë të këtyre debateve vetëm sa po plotësohen ato për të cilat po shkruhen. Tekefundit, të gjithë do të duhej ta kuptonin se e vërteta është një kategori abstrakte dhe gjithçka është një interpretim, shpesh me nuanca të forta subjektiviteti. Por, në shumësinë e interpretimeve, sigurisht që do të arrihet sa më afër shpjegimit të asaj që ka ndodhur. Diçka me të cilën thuaja historikisht është manipuluar, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, kryesisht bazuar në ata që kanë qenë të fortë në pushtet në kohë të caktuara, të cilët, thuaja pa dallim, kanë tentuar që historitë t’i bëjnë të fillojnë dhe të mbarojnë me ta.
EDHE NJË ÇËSHTJE tjetër ogurmirë është se me botimet e fundit përfundimisht po hiqet “mallkimi” i tirazheve përçmuese të librave në këta rreth 20 vjet të fundit. Secili nga këta libra, në një formë ose tjetër, mund të quhen me plot gojë – bestsellerë. E, duke qenë të këtillë dhe të shumtë në numër, gjithsesi që do të duhej të ndikonin që lexuesve t’u kthehet kënaqësia e leximit. Të mos ndalen vetëm me kaq. Si dhe autorëve t’u kthehet besimi se kanë për kë të shkruajnë.
Pastaj, tregu i lirë, gjithsesi, do të ndikojë që secilit t’ua tregojë vendin, qoftë për biblioteka që mbesin, qoftë për koshin e bërllokut.
P.S: SIDOQOFTË, BESOJ SE mbetet edhe një anë tjetër në të cilën do të duhej të fokusoheshin autorët dhe botuesit tanë, në mënyrë që të zihet hapi me pjesën tjetër lexuese të botës. Janë librat elektronikë, të cilët në masë të konsiderueshme kanë filluar bile të tejkalojnë edhe shitjen e librave tradicionalë në letër. Në kohën kur tabletët e e-readerët mund të blihen edhe me çmim fillestar prej rreth 50 eurosh dhe ofrojnë vend për mijëra libra, jam shumë kureshtar të shoh se cila shtëpi botuese në shqip do ta ndërmarrë e para hapin e pashmangshëm historik.
Deri atëherë, lexim të këndshëm.

© Panorama.al

Te lidhura