Kodi, OSBE: Partneritet e konsensus mes palëve

Nov 17, 2011 | 13:23
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Vollfarth

TIRANË- Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, ambasadori Eugen Volfarth, duke përgëzuar palët për konsensusin në miratimin e ngritjes së komisionit për reformën zgjedhore ka inkurajuar palët për bashkëpunim në çuarjen përpara të kësaj reforme në të mirë të zgjedhjeve demokratike.

“Shqipëria ka zgjedhur të ndërmarrë një rrugë konstruktive përpara. E mirëpres vendimin zyrtar të Kuvendit për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore dhe përgëzoj të gjitha palët politike për angazhimin e tyre në dialogun e nevojshëm ndërpartiak për arritjen e këtij vendimi. Ky është një fillim inkurajues. Tani është e rëndësishme që të gjitha palët politike të vazhdojnë të punojnë në partneritet të vërtetë për të shënuar një progres real dhe thelbësor në çuarjen përpara të reformës zgjedhore dhe axhendës më të gjerë të reformave”  thuhet në deklaratën e tij, publikuar pak minuta pas miratimit të komisionin në Kuvend.

Sipas tij, partitë politike tani duhet të mbështesin miratimin e ndryshimeve të nevojshme legjislative për të pasqyruar rekomandimet e bëra nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), si dhe standarde të tjera ndërkombëtare përkatëse për zgjedhje demokratike.

Sipas kreut të OSBE, drejtuesit e partive kryesore politike duhet të garantojnë që ky proces, tashmë në rrugë e sipër, të prodhojë një reformë të plotë dhe jetëgjatë deri në pranverën e vitit 2012, bazuar në një konsensus të gjerë.

© Panorama.al

Te lidhura