Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin projektin për projektin e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP), duke e vlerësuar atë si me rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe nga i cili do të përfitojë i gjithë rajoni.
Dekarata është bërë nga Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton gjatë takimit të zhvilluar me ministrin tonë të jashtëm, Edmond Haxhinasto.
Sipas një njoftimi të MPJ, mësohet se gjatë këtij aktivitetit Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme pati një bisedë me Sekretaren Klinton, ku u diskutua mbi angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s në Libi dhe vendet e Afrikës veriore, si dhe për projektin e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP).
Haxhinasto e siguroi Sekretaren Klinton për rritjen e vazhdueshme të kontributeve të Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe gatishmërinë e saj për të asistuar dhe për t’i ofruar eksperiencën e vet vendeve në tranzicion nga regjime totalitare drejt shoqërive të hapura dhe demokratike.
Nga ana e saj, znj. Klinton vlerësoi kontributin e Shqipërisë në kuadër të NATO-s, si dhe angazhimin e vendit tonë në Libi dhe Tunizi, gjatë proceseve tranzitore në të cilat këto vende dhe vende të tjera të rajonit janë përfshire.
© Panorama.al











