E kemi parë në disa variante në filma që protagonistja të përpiqet me të gjitha mënyrat të bëjë gjithfarë punësh për të kursyer ca para, për të paguar qiranë e shtëpis, apo për të arritur një ëndërr të fëmijërisë. Në bisedat tona të përditshme këto gjëra nuk ndodhin, apo jo?! Sado që të gjithë bëhemi moralistë, lëvdojmë punën e të tjera si këto, në fakt, Klea Konomi, nuk ka zgjedhur të punojë në restorant as për të paguar qiranë e shtëpisë, as sepse e shtrëngojnë kushtet e jetesës. Në profesion ajo është aktore, mirëpret ofertat për role sa herë që t’i paraqiten. Vetëm se kur vijnë, dita i bëhet më e ngarkuar, por jo e papërballueshme. Atyre që u ka rënë rasti të hanë në restorantin e saj, e dinë mirë se Klea vjen të merr porosinë, të shërben pjatën, deri sa shkon ora që duhet të kujdeset për vajzën apo që të shkojë për prova në teatër. Së fundmi, e kemi parë në ekran, në teatër (për ata që e kanë parë tashmë shfaqjen) apo në të gjitha reklamimet e tjera, që Klea është një nga 5 femrat e shfaqjes “Salla e Banjës”, me regji të Inis Gjonit. Por si ka qenë dita e Kleas me restorantin, provat e shfaqjes, vajzën e vogël, dhe gjithë gjërat që duhet të bënte gjatë ditës.
Ju drejtoni “Vilën 100” bashkë me bashkëshortin, por ndryshe nga drejtuesit e tjerë, keni preferuar të bëni gjithçka vetë. A nuk ju merr kjo punë kohë nga profesioni juaj?

Që kur menduam të hapnim një biznes të tillë, e menduam si biznes familjar. Do të kujdeseshim gradualisht vetë për të gjitha. Ju e shihni, jemi duke punuar nga muaji në muaj për të përmirësuar pamjen e të gjitha kushtet. Kemi bërë gjithçka vetë ose me ndihmë të miqve. E kemi marrë të dy këtë përvojë në Itali ku kemi jetuar dhe e sollëm këtu. Sa për kohën që mund të më marrë, është vetëm lodhje më tepër në kohën kur kam shfaqje, por jo e pamundur. Zgjohem në mëngjes, hap lokalin, kujdesem për gjërat e ditës, pasdite në prova… e kështu i dilet.
Po vajzën?
E kam marrë shpesh me vete. Ndodhte që të na ndërpritej e gjithë puna, sepse ajo e përjetonte rolin tim sikur të ishte i vërtetë. Nëse më duhet të qaja, qante edhe ajo, nëse më duhej të qeshja, gjithashtu. E sigurisht që puna nuk mund të vijojë kur sheh një fëmijë të qajë, kështu që të gjitha gocat ktheheshin e merreshin me Jumën.
Do vazhdoni t’i mbani të dyja impenjimet, nëse ritmet e ndonjërës prej të dyjave shtohen?
Për sa të mundem, po. Deri tani nuk kam ndërmend të heq dorë nga asnjëra. Më pëlqen profesioni im, e kam zgjedhur dhe do ta rris. Nga ana tjetër më pëlqen edhe të punoj, rolet në teatër nuk janë në çdo kohë.
Meqë jemi te zgjedhja, sa ka ndikuar mamaja juaj, Hajrie Rondo, në profesion?
Nuk është se ka ndikuar drejt për së drejti ajo, ka qenë ambienti në përgjithësi ku ti rritesh e formohesh. Duke qenë pas saj, duke parë ambientin e punës, gjërat rrjedhin vetvetiu. Duke qenë ajo shtysa e duke pasur unë dëshirën, gjërat realizohen.
Na tregoni pak për rolin tuaj tek komedia franceze, “Salla e banjës”?
Kam rolin e Marias, të vetmit personazh të martuar nga 5 femrat në shfaqje. Maria ka fëmijë, bën një jetë familjare të ngarkuar dhe shfaq gjithë problemet, shqetësimet a pakënaqësitë që mund të të japë një jetë familjare.
Si është ta kesh mamanë kolege në skenë? A ndahen dot këto dy raporte?
E shohim njëra-tjetrën si kolege. Unë kam mbajtur qëndrim të ftohtë në këtë pikëpamje. Kur jemi në teatër, jemi në punë, jashtë saj është gjë tjetër.
Megjithatë, për vajzën duhet të jetë më e lehtë. Kam përshtypjen që ajo nuk mund të distancohet me kaq sa bëni ju, apo…?
Është e vërtetë që për nënën është më e vështirë, por edhe ajo është përpjekur të mos ndërhyjë në kohën kur punojmë. Pastaj, jashtë shkëmbejmë të dyja mendimet, pakënaqësitë apo këshillat kur ka vend për to.
Është hera e parë që jeni në skenë bashkë?
Jo, e dyta. Kemi qenë edhe më parë te “Tartufi”.
Si ka qenë angazhimi juaj në teatër, në ç’ përmasa?
I kam nisur studimet në Akademi që në vitin ’96-të, por për shkak të trazirave që u krijuan, një vit më pas u shkëputa dhe shkova në Itali ku studiova literaturë angleze. U riktheva në vitin 2002 për të rifilluar atje ku e kisha lënë e për t’i përfunduar. Në kohën e rikthimit më janë besuar gjithnjë role kryesore, nga më të vështirat e dramaturgjisë. Por, pas diplomimit linda vajzën, kështu që u desh një tjetër shkëputje. Nisa pas kësaj kohe me “Alegreto Albania” me regji të Altin Bashës, një nga profesorët e mi bazë të fakultetit. Pikërisht kjo pjesë ka marrë çmimin e parë të teatrove në “Bienalen e Frankfurtit”, hera e parë që fitoi Shqipëria. Pas kësaj, për çdo vit kam pasur nga një rol, deri sivjet me Marian në “Salla e Banjës”.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











