KiE çon“8 majin” në Venecia

Sep 2, 2011 | 10:29
Thorbjorn Jagland

Zgjedhjet e 8 majit shkojnë për herë të dytë në Komisionin e Venecias.Fillimisht, këtë proces elektoral e dërgoi Partia Socialiste përmes katër pyetjeve që kërkojnë përgjigje nga ky komision, ndërsa një javë më parë, për këtë çështje ka kërkuar një përgjigje ligjore edhe Këshilli i Europës. Sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni, Thorbjorn Jagland, i ka dërguar një letër Presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio dhe, për dijeni, përfaqësueses së Shqipërisë në KiE, Margarita Gega. “Pa dyshim që jeni në dijeni të situatës në Shqipëri pas zgjedhjeve lokale dhe në veçanti për mosmarrëveshjet lidhur me zgjedhjen e kreut të Bashkisë së Tiranës. E kam ndjekur situatën me shumë kujdes dhe e kam diskutuar këtë çështje edhe me autoritetet shqiptare, pasi jam i mendimit se Këshilli i Europës duhet të bëjë gjithçka mundet për të ndihmuar Shqipërinë që të evitojë përsëritjen e episodeve të tilla në të ardhmen”, thuhet në letrën e sekretarit të Përgjithshëm të KiE-së. Më tej ai vazhdon duke kërkuar ndërhyrjen e Komisionit për ndryshimet e ardhshme në Kodin Zgjedhor. “Ndaj, do të isha mirënjohës nëse Komisioni i Venecias do të jepte një opinion lidhur me ato që duhen përmirësuar në legjislacionin dhe praktikën elektorale në Shqipëri, në dritën e eksperiencës më të fundit”, vijon letra e Jagland. Zyrtari i lartë i Këshillit të Europës, në vijim të ndërhyrjeve për të zgjidhur çështjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme, në muajin qershor i ka dërguar një letër përfaqësueses së Shqipërisë në këtë institucion, Margarita Gega. “Dëshiroj të ripërsëris synimin tim që menjëherë pas përfundimit të procedurave të sipërpërmendura, t’i kërkoj Komisionit të Venecias opinionin e tij mbi çështjet e mbetura lidhur me sistemin zgjedhor në Shqipëri, me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme të shmangen probleme të tilla të ngjashme”, thekson ai në letër. Jagland ka apeluar që mes palëve të ketë dialog politik, duke respektuar kështu shtetin ligjor dhe institucionet e tij. Nisur nga ajo që ndodhi në Tiranë, socialistët iu drejtuan Komisionit të Venecias në muajin korrik me anë të katër pyetjeve, ku kërkohej një përgjigje për mënyrën se si duhet të trajtoheshin votat e hedhura në kutinë e gabuar.

Teksti i letrës

I dashur President,
Pa dyshim që jeni në dijeni të situatës në Shqipëri pas zgjedhjeve lokale dhe në veçanti për mosmarrëveshjet lidhur me zgjedhjen e kreut të Bashkisë së Tiranës. E kam ndjekur situatën me shumë kujdes dhe e kam diskutuar këtë çështje edhe me autoritetet shqiptare, pasi jam i mendimit se Këshilli i Europës duhet të bëje gjithçka mundet për të ndihmuar Shqipërinë që të evitojë përsëritjen e episodeve të tilla në të ardhmen.

Ndaj, do të isha mirënjohës nëse Komisioni i Venecias do të jepte një opinion lidhur me ato që duhen përmirësuar në legjislacionin dhe praktikën elektorale në Shqipëri, në dritën e eksperiencës më të fundit.

Juaji sinqerisht,
Thorbjorn Jagland

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura