Këshilli i Mandateve mblidhet më 28 janar për “Ballukun”, Bardhi: Bllokimi 6 javor ka cenuar hetimet dhe i kanë dhënë mundësi të tentojë prishjen e provave

Jan 12, 2026 | 17:12

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pasi kryetari i Kuvendit ka urdhëruar mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për çështjen e Belinda Ballukut më 28 janar.

gazment bardhi

Sipas Bardhit, ky bllokim 6 javor është një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e maxhorancës, “që ka vendosur të jetë bunkeri i të korruptuarve të qeverisë së Edi Ramës.”

Ai shton se akte të tilla tregojnë se drejtësia më në fund po shkon te kryeministri Rama dhe “se sa të shpejtë dhe të dhimbshëm do ta ketë fundin e tij.”

“Pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cënuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve. Edi Rama nuk fshihet më në vullnetin e tij për të mbrojtur korrupsionin qeveritar. Akte si këto, të diktuara nga tmerri se drejtësia po i afrohet më në fund atij vetë, tregojnë se sa të shpejtë dhe të dhimbshëm do ta ketë fundin e tij.“, shkruan Bardhi.

Kujtojmë që pasi më 19 dhjetor, në mbledhjen e parë të Këshillit të Mandateve, ku nuk arrit dakordësi, demokratët i janë drejtuar disa herë Kuvendit me shkresa, ku kërkonin mbledhjen e radhës për ta shqyrtuar sa më shpejt kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të të pandehurës me qëllim dhënien e një masë më të rëndë sigurie ndaj saj.

Krahas kërkesës, SPAK depozitoi në Kuvend edhe dosjen mbi 16 mijë faqe kundër zëvendës kryeministres.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur për shkeljet në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për shumë procedura të tjera tenderuese, përfshirë Lotet e Unazës së Madhe në kryeqytet.

Reagimi i plotë i Bardhit: 
Pas kallëzimit penal për shpërdorim detyre nga Grupi Parlamentar i PD, sot pasdite Niko Peleshi ka njoftuar se do të mbledhë Këshillin e Mandateve në datën 28 Janar 2026, pra fiks 6 javë pasi SPAK ka paraqitur kërkesën.

Ky bllokim 6-javor është i paprecedent dhe një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste, që ka vendosur të jetë bunkeri i të korruptuarve të qeverisë së Edi Ramës.

Pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cënuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve.

Edi Rama nuk fshihet më në vullnetin e tij për të mbrojtur korrupsionin qeveritar. Akte si këto, të diktuara nga tmerri se drejtësia po i afrohet më në fund atij vetë, tregojnë se sa të shpejtë dhe të dhimbshëm do ta ketë fundin e tij.

Në emër të Grupit Parlamentar të PD dënoj me forcë shkeljen e Rregullores nga Niko Peleshi dhe zbatimin prej tij të urdhërit politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë.

Postimi i Gazment Bardhit
Postimi i Gazment Bardhit
Njoftimi i Kuvendit:

Me Urdhrin nr. 3, datë 12.01.2026, është thirrur mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në datën 28 janar 2026, ora 12:00, në Kryesinë e Kuvendit, për vijimin e shqyrtimit procedural të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, që ka për objekt dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, sipas procedurave të parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit.

© Panorama.al

Te lidhura