Kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, Grupi i PS mblidhet të enjten për vendosur për votimin

Feb 24, 2026 | 12:51

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, do të mblidhet të enjten në orën 11:00, datë 26 shkurt, në Pallatin e Brigadave, për të vendosur lidhur me votimin për kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku.

rama balluku grupi i ps

Mbledhja vjen pas asaj të Këshillit të Imunitetit ditën e hënë, ku socialistët dhe demokratët dolën me dy raporte pavarësisht fakteve të prezantuara nga prokurorët e SPAK, Klodian Braho, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, se Balluku ka intimiduar dhe kërcënuar dëshmitarë dhe se pozita ndaj sa është rënduar duke rrezikuar deri në 35 vite burg.

“Në masat e para të kërkuara znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, deklaruan Prokurorët e SPAK në mbedhje.

QËNDRIMI I PS DHE PD

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla theksoi në një prononcim për mediat pas mbledhjes se nuk ishin dakord për dhënien e menjëhershëm të autorizimit për heqjen e imunitetit të Ballukut, ashtu sikurse ka propozuar Partia Demokratike, duke shtuar se për këtë vendoset në seancën e Kuvendit.

“Me arsye të plota Kuvendi ka marrë kohën e nevojshme për këtë proces pas edhe përfshirjes së Gjykatës Kushtetuese. Diskutimi i sotëm dhe pyetjet e anëtarëve të këshillit ka hedhur dritë mbi elementin thelbësor, prezumimin e pafajësisë. Askush nuk është i fajshëm sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë të gjykatës.

Pala tjetër nuk kishte nevojë për shqyrtim se e kishin marrë vendimin e tyre për qëndrimin. Në rastin tonë, në emër të 5 deputetëve të PS kam informuar këshillin e mandateve se sa i përket propozimit të grupit të PD për dhënien e autorizimit ne nuk ishim dakord me atë mënyrë si është propozuar dhe do kemi një diskutim dhe një informim nga ana ime në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PS.

Nuk e jep autorizimin këshilli, por e jep seanca plenare. Pas atij komunikimi i cili grupi i PS, në përfundim të këtij procesi sapo kolegu im Ulsi Manja të ketë hartuar plotësisht raportin në emrin e 5 deputetëve tanë, do kemi dy relatorë, zoti Manja do hartojë raportin tonë ndërkohë që PD do sjellë raportin e saj.”, tha Balla.

Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha pas mbledhjes se mazhoranca po i bëhet mburojë të të inkriminuarës Belinda Balluku, edhe pse SPAK solli prova që rëndojnë pozitën penale të zv/kryeministres së pezulluar.

“Edi Rama ka urdhëruar 5 anëtarët e tij të komisionit të bëhen mburojë të të inkriminuarës Belinda Balluku. Po SPAK tha sot se pozita e Ballukut është rënduar me provat e reja. Por masat nuk mbrojnë dot hetimin e pavarur dhe të plotë të çështjes. Prokuroria tha sot në Komision se masat në GJKKO i ka kërkuar fillimisht kur veprat që akuzohej Balluku parashikonin dënim me 10 vite burg, kurse tani me provat e reja, zonja Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Pra jemi në një situatë të rënduar të krimeve të saj”, tha Bardhi ndër të tjera.

“Prokurorët i kanë vendosur në dispozicion këshillit të Mandateve provat se si Balluku është e lidhur me persona të krimit të organizuar dhe përmes tyre, që prokurorët i cilësuan të fortë, kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë në favor të Ballukut dhe gjithashtu intimiduar anëtarë të kabinetit të Ballukut. Pra dy forma, njëra me kërcënim se do hiqeshin nga puna, ata, familjarët e të tjerë. Dhe tjetra me para, që ata të hapnin gojën se sa donin që ata të ndryshonin dëshmitë. Ndaj ne kërkonim edhe prezencën e medias në mbledhje, që të dëgjonit se si kërcënoheshin dëshmitarët, se si intimidoheshin me bukën e gojës qytetarët. Prokuroria konfirmoi se nuk bëhet fjalë vetëm për të pandehur, por edhe për dëshmitarë që do thirren nga SPAK e për shkak të atyre që do dëshmojnë, janë intimiduar dhe kërcënuar në ato dy forma që thashë më sipër, pra persona që janë të pandehur apo persona pjesë e kabinetit ë zv/kryeministres”, tha ligjvënësi opozitar.

Bardhi: Prokurorët thanë se pozita e saj është rënduar

Në vijim të pyetjeve të bëra nga Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ndaj prokurorëve në mbledhje, Prokuroria konfirmoi se janë konstatuar fakte të tjera penale për Ballukun.

Po sipas Bardhit, që i referohet prokurorëve, gjendja procedurale e Ballukut është rënduar dhe ajo ka rrezik të prish provat dhe të kryejë krime të tjera.

“Gjithashtu, konfirmoi se në datë 20 Nëntor 2025 ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë.

Po ashtu, prokuroria informoi se ka prova se disa persona “të fortë” (duke nënkuptuar elementë të krimit të organizuar) kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të zonjës Balluku. Për këtë kanë paraqitur edhe provat në mbledhjen e Këshillit – transkripte të bisedave.

Sipas prokurorisë Balluku apo avokatët e saj nuk kanë ngritur asnjë pretendim për ndikim politik/përndjekje politike nga prokuroria. Hetimi nuk ka sfond politik. Ky fakt u konfirmua edhe nga avokatët e Balluku, të cilët u shprehen se nuk kanë ndonjë pretendim të këtij lloji”, thuhet në konkluzionet e nxjerra nga Bardhi pas pyetjeve të ngritura prej tij në Këshillin e Mandateve.

© Panorama.al

Te lidhura