
Prokuroria e Tiranës filloi dje verifikimet për padinë e bërë nga deputeti i PS, Sajmir Tahiri, i cili ka denoncuar mesazhet e mbërritura në adresë të tij në të cilat kanoset për jetën. Materiali i depozituar në sekretarinë e regjistrit penal në Prokurorinë e Tiranës tri ditë më parë, dje është transferuar në zyrën e zv.prokurorit të linjës, i cili mandej ka caktuar prokurorin që do të ndjekë hetimet. Organi i akuzës nuk ka bërë të ditura shumë detaje, ndërkohë që edhe deputeti socialist ka preferuar të komentojë duke pohuar vetëm faktin se është kërcënuar ditët e fundit para Kongresit të PS. Ndërkohë, nga burimet e grupit hetimor mësohet se kërcënimet në adresë të Sajmir Tahirit kanë mbërritur në internet nga adresa anonime. Sipas burimeve nga Prokuroria, grupi hetimor do të kërkojë informacion në lidhje me identitetin e dërguesve të mesazheve të tilla në internet. Informacioni në fjalë do të kërkohet për identifikimin e IP-ve të linjës, nga e cila është bërë dërgimi i mesazheve kërcënuese. Prokuroria e Tiranës tha se po verifikon në padinë e Sajmir Tahirit elementet e veprës penale “kanosje për shkak të detyrës”. Ditët e fundit, Prokuroria e Tiranës ka zbardhur ndërkohë edhe numrin telefonik nga i cili dy javë më parë janë bërë thirrje e mesazhe kërcënuese në adresë të deputetit Taulant Balla.











