Këngëtarët, hipokritë pas festivalit në RTSH

Jan 7, 2012 | 14:08

Nuk kanë guxim të shprehin ambicien për çmimin e parë.

Për ta nuk ishte dhe aq e thjeshtë, përderisa u duhej të këndonin “live”. Dhe ndaj kjo e bënte garën më të fortë e më të rrezikshme. Por mbyllja e edicionit të 50-të të Festivalit në RTSH në fund dhjetor, duke shpallur fituese këngëtaren kosovare Rona Nishliu, natyrisht që u shoqërua me pakënaqësi dhe qejfmbetje të këngëtarëve që pretendonin pozicionim të mirë në renditjen e pikëve për këtë festival. Dihet që prej pjesëmarrjes së parë të Shqipërisë në Eurovizion, çmimi i parë i këtij festivali është kthyer gati në një “mollë sherri” mes kompozitorëve e këngëtarëve, të cilët edhe pse tashmë pak shpresojnë se mund të triumfojnë në atë skenë, përsëri e synojnë për ta pasur si një pikë të fortë në CV-të e tyre. Por të pyetur nga gazeta, këngëtarët pas mbylljes së festivalit dhe ndarjes së çmimeve, pavarësisht pakënaqësive të shprehura mes kolegësh, janë treguar të kujdesshëm për të mos i deklaruar hapur hatërmbetjet e tyre. Ja si janë shprehur disa prej atyre që arritën finalen, por nuk mundën të kapnin pikët e Rona Nishliut, që fitoi kupën me këngën “Suus”, pikët e Elton Dedës që zuri vendin e dytë me këngën “Kristal” dhe pikët e Saimir Brahos, që u rendit i treti me këngën “Ajër”.

Endri Prifti: Nuk synonim çmim
Me një baladë të bukur të Voltan Prodanit dhe vargje të Timo Fllokos, dy vëllezërit e njohur korçarë, Stefi dhe Endri Prifti, nuk e tradhtuan as këtë vit Festivalin e RTSH-së, edhe pse kanë qenë pothuaj të vetmit që kanë shprehur vit pas viti pakënaqësitë e tyre me pikët, që kanë arritur të marrin në këtë festival nga juritë përkatëse. I pyetur nga gazeta “Panorama” se me çfarë ndjesie e ka përjetuar vlerësimin e jurisë, Endri Prifti është shprehur: ”Nuk hymë në garë me ndonjë synim për çmim, thjesht na pëlqeu shumë kënga, dhe deshëm të mos e humbnim një këngë të tillë pa e përfshirë në repertorin tonë”.

Samanta: U rendita e katërta, pozicion i mirë për mua
Samanta Karavella, e cila konkurroi me këngën me titull “Zgjomë në një tjetër ëndërr”, të kompozuar nga Gent Myftaraj dhe vargje të Pandi Laços, u rendit e katërta me pikët e jurisë së festivalit. “Kam ngelur e kënaqur, pasi për mua është njësoj si të kem fituar çmimin e tretë”. Për sa i përket shpalljes fituese të Rona Nishliut, ajo ka shprehur konsiderata, duke pohuar  “E vlerësoj si këngëtare, kënga është ndryshe, dhe ajo është këngëtare e veçantë”.
Mariza Ikonomi: Mora çfarë prisja nga ky festival
Po ashtu Mariza Ikonomi me këngën  “Më lër të dua” me muzikë të Sokol Marsit dhe vargje të Jorgo Papingjit, nuk shprehu ndonjë pretendim më shumë në renditjen e saj sipas pikëve që i dha juria e Festivalit. “Ngela e kënaqur me këngën dhe pikët, ndaj nuk kam çfarë të them më shumë”, ka pohuar ajo për gazetën. Mariza është një nga këngëtaret besnike të këtij festivali, pasi numëron gati 20 vite që merr pjesë në këtë garë, që nga dalja e saj e parë kur ishte fëmijë, në duet me Françesk Radin.

Kamela Islamaj: Nga festivali ngela me shije të mirë
Me një look të ndryshuar, me flokët kaçurrela Kamela Islamaj këndoi këngën “Mbi yje”, një këngë me muzikë të Alban Males dhe vargje të Iris Sojlit. Ndonëse është një nga këngëtaret që është bërë shumë e njohur në programet e “Top Channel” dhe po ashtu paralelisht ka konkurruar në festivale, ajo nuk e ka provuar kupën e çmimit të parë. Pa preferuar të thellohet shumë në detaje, ka pohuar se kjo garë i ka lënë një shije të mirë dhe se ka ngelur e kënaqur me pikët që ka marrë.

Xhensila Myrtezaj: finalja do të thotë shumë për mua
Ajo ka shumë pak këngë në repertorin e saj, sepse është shumë e re, vetëm 18 vjeç. Në këtë garë konkurroi me një këngë të kompozitorit Bojken Lako, që arriti të pëlqehej shumë shpejt nga publiku. Kënga “Lule mbledh për hënën”, me vargje të Perikli Papingjit, ishte një nga finalistet që synonin çmim. E pyetur nga “Panorama”, Xhensila ka pohuar: “Ngela e kënaqur për faktin se arrita të prek finalen dhe të jem në garë më këngëtarë BIG dhe kjo për mua do të thoshte shumë”. Kënga më ngjiti, e shijova në skenë, dhe po ashtu kam marrë shumë komente të mira nga fansat dhe publiku, ndaj do e kujtoj si një eksperiencë të bukur në karrierën time si këngëtare e re”.

Frederik Ndoci: Me Ronën për herë të parë do dalim mirë në Eurosong
Ai është një nga këngëtarët me karrierë, që edhe pse e ka prekur ëndërrën e Eurosongut, ka marrë pjesë sërish në këtë festival jubile me këngën “Oh,.. jeta ime”, me muzikë të tijën dhe vargje të Ledia Agollit. Edhe pse e ka përkufizuar shpalljen e Rona Nishliut fituese si një vendim politik, ai sërish e ka mbështetur.  Madje ka pohuar për mediat se “kjo është hera e parë që ne me Rona Nishliun, përfaqësuese në Eurosong, do të dalim vërtet mirë, gjë që s’e kemi arritur dot më parë”. Le të shohim nëse ky parashikim i Ndocit do të përmbushet në Eurosongun 2012, që mbahet këtë vit në Azerbajxhan.

Elton Deda, Mariza Ikonomi dhe Saimir Braho ishin kandidatë për të fituar Festivalin
Pavarësisht dëshmive të këngëtarëve gjithë diplomaci dhe kujdes, në fakt në tavolina mes miqsh pothuaj të gjithë kanë qenë të pakënaqur, ndërsa kanë pritur më shumë pikë nga juria dhe më shumë vlerësim. Por dihet që në një garë një është fitues, dhe disa iu gëzuan dy kupave, ku në këtë rast Rona ka fituar edhe çmimin e interpretimit, ndërkohë teksti më i mirë është fituar nga Sokol Marsi për vargjet e “Kristal” të Elton Dedës, melodia më e mirë e fituar nga Endri Sina” për këngën “Mijëra vjet”, çmimi i kritikës për Frederik Ndocin me “Jeta ime”, dhe orkestracioni më i mirë, çmim me të cilin u vlerësua Klodian Qafoku. Por mes njëzet këngëve që u performuan “live” në natën jubile, emrat e diskutuar për fitues kishin filluar të përmendeshin para fillimit të festivalit. Kështu u diskutua se mund ta fitonte Elton Deda pas kthimit të tij nga Amerika, Saimir Braho, ndërsa flitej se kishte një këngë vërtet të bukur, dhe po ashtu Mariza Ikonomi. Ndërsa Rona Nishliu nuk denjoi ta shprehte hapur në një intervistë dhënë për “Panorama plus” pak ditë para fillimit të festivalit, se ishte e vetmja pjesëmarrëse nga Kosova dhe synonte kupën.

© Panorama.al

Te lidhura