Kastriot Hasa: Kthimi i duhur në shtëpi me një çmim

Jan 12, 2012 | 12:30

Kastriot Hasa

Filmi është nderuar edhe me tri çmime të tjera në festivale filmi në SHBA

Për të ky ishte kthimi i duhur. Përkundër skeptikëve, Kastriot Hasa ia doli të qëllonte në shenjë qysh me punën e tij të parë si regjisor. Në edicionin e fundit të Tirana International Film Festival, filmi i tij me metrazh të shkurtër “Home” u nderua me çmimin si “Filmi më i mirë shqiptar”. Një çmim ky që paraprihej nga tre të tjerë në festivale të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Hasa jeton prej vitesh dhe ku është angazhuar si aktor në disa filma. Në një intervistë për “Panoramën”, ai rrëfen për filmin e tij “Home”, i cili trajton tema therëse, siç është emigracioni, përfitimi i “ligjshmërisë” në vendin pritës në shkëmbim të shërbimit në luftë etj.
Juria e TIFF, në motivacionin e çmimit si “Filmi shqiptar më i mirë”, thoshte se “ky ishte kthimi i duhur në shtëpi”, ju si do e konsideronit?
“Ka kthime e kthime…”, do shprehej juria. Mendoj se kjo shprehje përgjithëson shumë, jo vetëm ardhjen time në Tiranë me një film cilësor, jo vetëm kthimin e personazhit kryesor të filmit, Artanit, pranë familjes nga Amerika ku ka emigruar, por e çon më tej mesazhin, duke e quajtur kthimin në atdhe, një kthim të duhur. Artani, me pafajësinë dhe brishtësinë e moshës që ka, bashkë me kthimin nga emigracioni pranë familjes, pruri një nga dramat më të rënda për një familje shqiptare. Çmimi “Best Albanian Film”, që TIFF i akordoi filmit tim “Home”, pati një vlerë të veçantë për mua jo vetëm si trofe, por edhe për faktin që TIFF është një festival me prurje të larmishme artistike nga brenda dhe jashtë vendit. Selektimi i filmit tim për konkurrim në vetvete ishte tepër i rëndësishëm, pasi produksioni kthehej për herë të parë në atdhe, pas një viti që ishte xhiruar dhe marrë pjesë në festivale të tjera jashtë Shqipërisë. Organizatorët e festivalit kishin bërë një punë të admirueshme dhe këtu nuk mund të lë pa përmendur një prej tyre, Agron Domin, drejtorin ekzekutiv të festivalit, i cili me pasionin dhe profesionalizmin e tij na krijoi një ambient familjar. “Home” u filmua në Divjakë në shqip dhe me aktorë shqiptarë dhe kudo në festivale në botë është prezantuar si film shqiptar, vetëm post-produksioni u bë në Amerikë.
Me filmin “Home” ju sillni një kompleksitet problematikash sociale, që nuk prekin vetëm shoqërinë shqiptare, që nga varfëria tek emigracioni, deri tek lufta dhe deformimet që shkakton ajo në natyrën njerëzore… Si lindi ky film… cila qe nxitja?
Nxitja për këtë film erdhi duke lexuar ngjarje të ndryshme të familjeve të emigrantëve në SHBA, të cilëve u ofrohen dokumente legale në shkëmbim të pjesëmarrjes në ushtri dhe më pas në luftë të bijve të tyre. Këtë fenomen e quaj të gabuar dhe shfrytëzues të nevojave jetike të tjetrit për interesa të segmenteve të caktuara të qeverisë. Këto shkëmbime nuk janë ekuivalente. Lufta i sjell individit pasoja tejet të mëdha dhe nuk mund të blihet me një pasaportë. Histori të këtij lloji ka shumë në familjet e emigrantëve nga Meksika, por dhe nga Brazili e Guatemala. Këtë fenomen e solla në Shqipëri, pasi edhe ne varemi nga ekonomia e vendeve të fuqishme europiane dhe gjithashtu jemi pre e ofertave të tilla në shkëmbim të të mirave materiale, dhe këtu nuk fus vetëm luftën apo organet shtetërore. Por a është kjo pjesë e karakterit tonë, apo është fakti i varfërisë që për të mbijetuar në këtë botë jo dhe aq miqësore, pranojmë të bëhemi pjesë e grupeve të tilla? Sa fajtor është nevojtari dhe sa ai që shfrytëzon këtë nevojë, duke i ofruar diçka, e cila në fakt do të sjellë një humbje më të madhe për atë që në kushtet që ndodhet, e ka të vështirë të bëjë dallimin dhe vendosë drejt për veten e tij? Varfëria është njëri nga elementet më të fuqishëm, që e detyron njeriun të gjykojë gabim dhe të komprometohet lehtë, ndërton një inferioritet i cili, pa e kuptuar edhe vetë, të çon në rrugë të gabuara, që krijojnë një njeri tjetër. Në të ardhmen këto rrugë do të jenë një shkatërrim jo vetëm për këtë individ, por edhe vendin dhe do sjellin një varësi ekonomike dhe morale të mëtejshme ndaj vendeve më të fuqishme. Ky ishte shqetësimi im dhe prandaj bëra filmin “Home”, duke dashur të apeloj sadopak tek familja shqiptare.
Filmi juaj ka marrë pjesë edhe në festivale të tjera, si është  pritur, duke ditur që problematika e traumave të luftës është shumë e prekshme në SHBA, p.sh., por jo vetëm…?
Filmi “Home” është pritur me shumë interes edhe në festivalet e tjera jashtë Shqipërisë, si në Kanada dhe Meksikë. Por në mënyrë të veçantë në SHBA, ku është vlerësuar dhe me tri çmime të rëndësishme: “Top Short Narrative Award” në Warrensburg, “Award Of Excelence” dhe “Best Cinematography” në Los Angeles. Ndaj filmit ka pasur reagime të ndryshme, dikush ka pëlqyer aktorët, dikush regjisurën, dikush kamerën, dikush ka lotuar. Vëmendje të veçantë kanë tërhequr aktorët dhe, kur u tregoja se pjesa më e madhe janë amatorë, që dilnin për herë të parë përpara kamerës, dhe jo vetëm kaq, por nuk kishin lexuar as tekstin, ata buzëqeshnin dhe bënin sikur më besonin. Me këtë rast dua të përmend punën e jashtëzakonshme të aktorëve Nikolla Lena, Klevis Bega, Omer Hamiti, Marilda Furrxhi, Eduart Rrëza, Viktor Xharo, Jack Londo. Ndërsa stafi im i xhirimeve ishte me të vërtetë korrekt dhe profesional. Në pamundësi për t’i përmendur të gjithë, po përmend vetëm një, Elvis Ikonomi, operatori i zërit, i cili bëri një punë profesionale të cilësisë së lartë, çka u përgëzua dhe nga studioja që miksoi zërin në Los Angeles.
Herën e fundit që ishit në Tiranë, ju kërkuat mbështetjen e Qendrës Kinematografike për këtë projekt, pa e marrë atë, nuk mendoni se është koha që QKK të ketë më shumë besim tek krijuesit e rinj shqiptare?
Për këtë film aplikova dhe nuk u pranua për t’u financuar nga komisioni i QKK-së dhe sigurisht që ata kanë pasur arsyet e tyre. Ky projekt ishte edhe puna ime e parë si regjisor dhe nuk kisha një punë regjisoriale të mëparshme për të mbështetur aftësitë e mia. Punët e mëparshme të miat ishin si aktor. Kjo mund të ketë qenë njëra nga arsyet për mosmbështetjen e këtij projekti nga Qendra. Por unë vazhdova me realizimin e tij, duke mos e braktisur. Duke mos pasur buxhet, m’u desh të mbuloja vetë shumë aspekte krijuese të filmit, veç asaj të skenaristit dhe regjisorit, si produksionin, montazhin dhe muzikën. Besoj se suksesi i këtij projekti me katër çmime në festivale ndërkombëtare, duke përfshirë edhe “Best albanian movie”, por dhe këmbëngulja ime në realizimin e tij, shpresoj të krijojë në QKK një besueshmëri në aftësitë e mia si regjisor dhe producent, me shpresën që në projektin tim të ardhshëm të gjej mbështetjen e saj.
Ju jeni lidhur me artin fillimisht përmes muzikës, pastaj u dashuruat pas aktrimit e tani u hodhët në regji… cili është plani i radhës?
E drejtë. Në dukje të jepet përshtypja e lëvizjes nga një krijimtari në tjetrën. Edhe vetë nuk e di si erdhi kjo renditje e këtyre degëve. Por le ta shikojmë nga më e fundit, nga regjisura. Një regjisori i duhet me patjetër të njohë aktrimin, pasi i duhet të konceptojë drejt personazhet e skenarit dhe të jetë në gjendje të drejtoje aktorët, të cilët me interpretimin e tyre e dështojnë ose e bëjnë të suksesshme një vepër filmike. Aktorët janë ata që përcjellin emocionin tek spektatori. Në rastin tim, të qenët aktor më jep shumë lehtësi në punën me ta, dhe jo vetëm me aktorët profesionistë, por edhe amatorë, siç ishte rasti i filmit “Home”. Por kjo nuk do të thotë se kam hequr dorë nga aktrimi, atë e vazhdoj paralelisht me regjisurën. Ndërsa muzika merr pjesë në një vepër filmike, por është komponent i dorës së dytë, e megjithatë tepër e rëndësishme në ndërtimin emocional të një skene, sigurisht nëse ai është kompozim filmik, që shkrihet me skenën, dhe jo kompozim në vetvete.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura