Ndryshimet e fundit në ligjin “Për procedurat tatimore” rrisin ndjeshëm masën e gjobave për ata që nuk zbatojnë detyrimin e deklarimit të punonjësve, apo për ata që nuk lëshojnë kuponin tatimor.Të gjitha këto ndryshime kanë mbërritur tashmë në Parlament dhe pritet që të diskutohen në komisionet parlamentare. Ligji i miratuar në qeveri u lakua si një luftë e hapur ndaj informalitetit, ku për bizneset e paregjistruara, por që ushtrojnë aktivitet, masat u cilësuan si ekstreme. Ndryshimet në këtë ligj lidhur me këtë të fundit sanksionojnë se “në rast se administrata tatimore konstaton se personat që ushtrojnë veprimtari informale të paregjistruar në QKR, duhen marrë masa të tilla, si: konfiskimi i mallit të përdorur për ushtrimin e veprimtarisë së paregjistruar; propozim adresuar organeve kompetente për pezullimin e lejes/licencës/autorizimit të ushtrimit të veprimtarisë për një periudhë gjashtëmujore për rastet e ushtrimit të veprimtarisë në fushën e shërbimeve”, thuhet në projektligj.
Gjobat
Bizneset që nuk deklarojnë punonjësit, apo ata që nuk lëshojnë kupton tatimor, do të përballen me gjoba më të larta. Kështu, sipas projektligjit të ri, në rast se nga Tatimet verifikohet se tatimpaguesi nuk deklaron çdo të punësuar pranë tij, ai dënohet me gjobë. Për biznesin e madh gjoba do të jenë 100 mijë lekë për çdo punonjës të padeklaruar, kurse për tatimpaguesit e tjerë 50 mijë lekë për çdo punonjës. Ndryshimet e tjera në sistemin e gjobave lidhen me përdorimin e pajisjes fiskale. Për të minimizuar numrin e atyre që nuk lëshojnë kupon tatimor, ligji sanksionon disa masa gjobash. Në kontrollin e parë gjoba për biznesin e madh është 200 mijë lekë, ndërsa për tatimpaguesit e tjerë 100 mijë lekë. Në rast se kjo shkelje konstatohet për së dyti, biznesi i madh gjobitet në masën 300 mijë lekë, kurse të tjerët me 200 mijë lekë. Ndërkohë që në rast se kjo konstatohet edhe në kontrollin e tretë, biznesit i vendoset një gjobë në masën 500 mijë lekë, ose i mbyllet biznesi. Edhe për rastet kur tatimpaguesit mund të lëshojnë një kupon me vlerë të pashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara me ligj, parashikohet gjobë në masën 30 mijë lekë. Por, masat kanë kaluar edhe në kahun tjetër për kompanitë e autorizuara të shitjes së kasave, të cilat, nëse nuk ofrojnë shërbimin sipas mënyrës së përcaktuar me ligj, gjobiten 50-100 mijë lekë. Në rast se këto subjekte shesin pajisje të subjekteve të paautorizuara, gjoba arrin vlerën një milionë lekë dhe sekuestrim të pajisjeve.
Gjobat sipas ndryshimeve në ligj
Mosdeklarimi i punonjësve:
Biznesi i madh 100 mijë lekë për punonjës të padeklaruar
Tatimpaguesit e tjerë 50 mijë lekë për punonjës të padeklaruar
Shkelja e fateve të deklarimit:
Tatimpaguesi gjobitet 10 mijë lekë për punonjës të padeklaruar
Kur konstatohet se nuk lëshohet kuponi tatimor:
Kontrolli i parë
Për tatimpagues të mëdhenj 200 mijë lekë
Për tatimpagues të tjerë 100 mijë lekë
Kontrolli i dytë
Tatimpagues i madh 300 mijë lekë
Tatimpagues i vogël 200 mijë lekë
Kontrolli i tretë
Të gjithë tatimpaguesit ose 500 mijë lekë ose mbyllje e aktivitetit deri në 6 muaj
Kur lëshohet kupon tatimor:
Që nuk ka elementet e shtypjes sipas ligjit 30 mijë lekë
Shoqëritë e shitjes së kasave:
Nuk zbatojnë detyrimet e përcaktuara me ligj për shërbimin 50-100 mijë lekë gjobë
Kur këto shoqëri:
Shesin pajisje të subjekteve të tjera të paautorizuara gjobë 1 milionë lekë dhe sekuestrim të pajisjeve
NERTILA MAHO
© Panorama.al











