Karshillëk

Mar 27, 2011 | 10:28

EDMOND TUPJA

Më në fund, pas zigzagesh të gjata heshtjeje, mëdyshjesh e dyzimesh plot suspens për popullin e Tiranës, qoftë ky vende-vende dhe herë pas here popull “opozitar” ose “i majtë”, sipas shprehjes mjerane të vetë kryebashkiakut (në largim?) Rama, më në fund, pra, ky zotëri apo (ende?) dopiokryetar, e shpalli publikisht e zyrtarisht kandidaturën e tij për një mandat të katërt në krye të Bashkisë së kryeqytetit të Republikës së Shqipërisë. Kështu, pra, Lulzim Basha, kandidati demokrat për kryebashkiak, e di cili është “antagonisti” i tij, ai që, thënë në të folmen tiranase, “ka për t’i bo karshillik”. Duhet pranuar ndershmërisht se të bërit karshillëk është më shumë një specialitet i Ramës, sesa i Bashës, meqë kryebashkiaku aktual, falë karizmit të tij, karakterizohet nga një natyrë  karshillëkse, d.m.th. sfiduese, në tërë karrierën e tij politike, gjatë së cilës ende nuk po gjen karar, aq të shumta i ka karambolet me personalitete të tjera politike si jashtë, ashtu dhe brenda radhëve të partisë që udhëheq, duke zbrazur pa fund karikatorët e gojëtarisë së tij demagogjike e populiste. Gjithsesi, karshillëku më i madh që zoti Rama ka bërë dhe vazhdon të bëjë i ka kapërcyer caqet e politikës politikane dhe është shtrirë deri te politika e përditshmërisë së qytetarëve shqiptarë. Në këtë pikë, le të më lejojë lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës që të sjell një shembull konkret: Lidhur me pronën – si nocion dhe praktikë – vëmë re se zoti Rama zbaton parimin pragmatist, por njëkohësisht edhe makiavelik, që shprehet me formulën “ca të nënës e ca të njerkës”. Të nënës janë, ndër të tjerë, ata pronarë trojesh në Tiranë që kishin toka të hipotekuara në emrin e tyre dhe të cilëve, sigurisht, me kushte të favorshme për vetë Bashkinë ose për Kryebashkiakun, po të shprehemi me një figurë stilistikore të quajtur “metonimi”, iu dha leja e ndërtimit, siç është rasti në ish-lulishten e madhe buzë Lanës, te vendi ende i quajtur “Ekspozita Shqipëria sot”, ose në ish-lulishten pranë selisë së Partisë Demokratike, ku lartësohet një kullë në formë kunji, parcela të cilat iu blenë pronarëve në situata dhe me kushte që unë nuk i di, por që i marr fare lehtë me mend; përkundrazi, të njerkës janë, ndër të tjerë, ata pronarë trojesh në Tiranë që kanë toka të hipotekuara në emrin e tyre midis blloqeve me pallate banimi apo ndërtesa të një natyre tjetër, dhe të cilëve Bashkia ose Kryebashkiaku, po të shprehemi me të njëjtën figurë stilistikore si pak më lart, nuk pranon as t’u japë leje ndërtimi e as t’ua blejë, por kërkon me çdo kusht t’i shndërrojë falas në lulishte apo në objekte të tjera të përdorimit mbarëqytetar, duke pretenduar se janë prona publike, të cilat Komisioni i Kthimit të Pronave paska bërë gabim që ua ka kthyer pronarëve tê ligjshëm (!!!). Po si mund të quhet “pronë publike” një truall që ka pronar dhe që figuron i hipotekuar në emër të tij? Është e qartë se atje ku kanë interesa që të ndërtohen kulla, Bashkia dhe/ose, për metonimi (por jo vetëm), kryetari i saj japin leje ndërtimi duke siguruar që këto troje, pavarësisht se janë lulishte, kanë pronarë, kurse atje ku ata nuk kanë interesa ndërtimi, thonë se këto troje duhen kthyer në lulishte apo rrugë sepse janë “pronë publike”. Mos vallë Bashkia e Tiranës dhe, natyrisht, pa diskutim e absolutisht, edhe kryetari i saj e perceptojnë dhe e përdorin togfjalëshin “pronë publike” në kuptimin komunist, kolektivist apo, më saktë, enverist si “pronë të popullit” e jo të individit kur aksh truall ka vërtet pronar të ligjshëm? Kjo më kujton, fatkeqësisht, shprehjen tjetër kobzezë të kohës së diktaturës: “Në emër të popullit…!”, e cila më sjell në mendje krimet e panumërta të saj (arrestime, dënime, pushkatime, internime etj., etj.) me vendim gjykatash ushtarake e civile, me verdikte turmash servile. Jo, përsëri jo dhe përherë jo, kam dëshirë t’i them zotit Rama, prona private nuk është pronë publike, sepse i përket individit dhe jo popullit, aq më pak “popullit opozitar” apo “të majtë”, sipas shprehjes suaj mjerane! Kjo praktikë skandaloze më kujton gjithashtu edhe togfjalëshin “shtëpi publike”, thënë ndryshe “bordel, kuplara, qirtore”. Pikërisht për këtë arsye dëshiroj ta bëj me dije zotin Kryebashkiak (në largim?) se pronat e ligjshme të tiranasve, qoftë edhe pas masakrimit që kanë pësuar gjatë këtyre njëzet vjetëve të tranzicionit tonë, por sidomos, kryesisht e veçanërisht gjatë tri mandateve të njëpasnjëshme të qëndrimit të tij në krye të Bashkisë, nuk janë dhe nuk duhen konsideruar si kurva që mund t’i shalojë, kalërojë e pallojë çdokush paska gjoja tagër mbi to në kuadrin e strukturave të pushtetit vendor.
Së fundi, dua t’i kujtoj zotit Rama (ende?) në krye të Bashkisë së Tiranës, njërit prej kryeqyteteve më të betonizuar, më të ndotur, më të shkarravitur e më të zymtë të Europës, se pavarësisht mistikës së vet djallëzore, karshillëku i tij i padurueshëm e vrastar do ta karmojë, në mos karbonizojë, një ditë jo fort të largët edhe vetë Partinë Socialiste që ai udhëheq me karizmin e tij karakteristik, sepse, siç e përcaktonte edhe francezi Péguy: “Çdo parti jeton falë mistikës së vet, por vdes nga politika që bën”!

© Panorama.al

Te lidhura