Vetëm se anija tanimë është një traget normal i linjës Durrës-Bari, ai është një pasagjer i thjeshtë dhe nga ai zbarkim tragjik dhe monumental i vitit 1991 kanë kaluar 20 vjet. Është kthyer në Bari për një dokumentar të Daniele Vicarit, prodhim i “Indigo Film” me mbështetjen e Apulia Film Commision. E shoqëron e shoqja, Tatiana, teksa shëtisin pasdite përgjatë bregut. “Çdo hap që hedh në këtë qytet ka një domethënie shumë të veçantë, hap një ditare në kujtime dhe emocionet janë të njëjtat si 20 vjet më parë. Çuditërisht të paprekura, shenjat e asaj eksperience kanë ndryshuar jetën time”.
Kapiten, keni drejtuar anijen “Vlora” drejt historisë bashkëkohore, ishit i ndërgjegjshëm për këtë?
Duhet të them që e kam kuptuar më mirë më vonë, kur kam parë fotografitë e anijes, lexova gazetat e
më së shumti kur u përballa me italianët. Por atë ditë ama u ndërgjegjësova se po ndodhte diçka e paimagjinueshme, e pakomandueshme. Ishte mëngjesi i 7 gushtit 1991 dhe në Portin e Durrësit po shkarkonin sheqerin e transportuar nga Kuba. Papritur pashë që mijëra persona po vinin drejt anijes. Ngjiteshin si të mundnin. Kangjellat ndarëse ishin hedhur përtokë dhe nuk kishte më policë për të ruajtur portin. U përpoqa t’i ndaloja, duke folur me ta, por ishte e pamundur.
Çfarë thoshin njerëzit?
Në të vërtetë e kishim motorin qendror me avari, por disa prej tyre më kërcënuan me armë. Donin të iknin, të shkonin në Itali, donin një jetë më të mirë. Nëse do ta kisha lënë anijen në duart e njerëzve joekspertë, mund të kishte ndodhur e pandreqshmja. Provuam të riparonim motorin dhe e vumë anijen në lëvizje, por kushtet teknike ishin të tmerrshme. Pa llogaritur që për gjithë këta njerëz në bord nuk kishte as ushqim dhe as ujë, aq të ngjeshur, sa siç thuhet nga anët tona, nuk binte molla në shesh.
Filloi kështu, ai që ju e quani “eksodi i dytë”…
Po, i pari kishte qenë në mars dhe kishte sjellë në Brindizi shumë bashkëkombas të mitë. Por nuk kishte të krahasuar ky i dyti për shumë arsye. Në Brindizi arritën me mijëra, por në grupe më të vogla. Në Bari mund të ishin ndoshta 20 mijë, një det njerëzish që shteti italian mendoi t’i riatdhesonte menjëherë, por më parë i mbylli në stadium
in “Vittoria”, për t’i ngarkuar më pas nëpër anije dhe avionë.
Ç’menduat për atë vendim?
Nuk mund të kritikoj, por as ta lëvdoj.
Cila ishte frika juaj më e madhe ndërsa lundronit?
Në ato momente, nuk mendohet shumë. Doja vetëm që të çoja shëndoshë e mirë ata njerëz në një port. Jeta njerëzore është e para dhe një gabim çfarëdo, apo një problem mund të kishte çuar në një tragjedi, në një tragjedi detare. Kam ndenjur më shumë se një ditë në vendin tim, në timon, deri sa mbërritëm. Drejtoja një anije pa radar, sepse për shkak të numrit të madh të njerëzve nuk funksiononte. Evituam edhe një përplasje. Fatmirësisht, kushtet e detit ishin shumë të mira.
Në Brindizi, kapiteneria ju ndaloi të hynit. Si i bindët ata të Barit?
U thashë që në bord kisha fëmijë, gra, të moshuar që rrezikonin jetën, ishte një i plagosur për vdekje dhe më duhej ta çoja anijen patjetër në port. Nuk ndalova, po lundroja me shpejtësi minimale, deri sa ia dola dhe nuk e di se si përderisa nuk shihja asnjë gjë.
Flitet edhe këto ditë për emergjencë refugjatësh dhe imazhet e “Vlorës” kthehen në kujtesën tonë.
Mendoj se një eksod i atyre përmasave nuk mund të përsëritet sërish.
Si ka ndryshuar Shqipëria që atëherë?
Shumë ia dinë për nder eknomisë së rimëkëmbur për shkak të njerëzve që erdhën në Itali në eksodin e parë dhe të dytë. Shumica e tyre i është falenderues popullit italian.
Ç’fat ka pasur anija “Vlora”?
Unë kam ndenjur me “Vlorën” në Portin e Barit për 45 ditë dhe pastaj e ktheva bashkë me ekuipazhin tim në Shqipëri dhe vazhdoja të merresha me transportin e mallrave deri në dhjetorin e vitin 1994. Anija bëri edhe disa udhëtime të tjera në vitin 1995, por më pas i humba gjurmët e saj. Në vitin 1991 kishte 30 vite jetë, por ishte e fortë. Ishte ndërtuar në vitin 1961, në Xhenova.
Pra, ishte një anije italiane…
“Vlora” ishte një anije e bukur italiane…
* La Repubblica











