I riu që u bë i njohur në emisionin “Kafazi i Artë”, ka rënë në pranga bashkë me dy miq të tij. Efektivat e Komisariatit nr.2 të Tiranës, teksa kryenin një aksion për sekuestrimin e armëve pa leje, zbuluan një pistoletë në makinën me të cilën po lëvizte Alban Rexha, bashkë me dy persona të tjerë, përgjatë rrugës “Medar Shtylla”. Pistoleta tip “Bereta” 15-she, që u zbulua poshtë sediljes së mikut të Rexhës, Enea Gega, çoi në pranga tre pasagjerët që ndodheshin në taksinë e palicencuar, pasi asnjëri prej tyre nuk pranoi të tregojë se e cilit ishte arma. Burime nga policia thanë, se të arrestuarit janë: Alban Rexha, Enea Gega dhe Ernest Qorbja, ky i fundit shqiptaro-maqedonas, futbollist i një ekipi anglez. Mësohet se paraprakisht u shoqërua edhe drejtuesi i mjetit, i cili më pas u la i lirë, ndërsa makina u sekuestrua.
ARRESTIMI
Kontrolli i makinës ku ndodhej Alban Rexha, nuk ishte thjesht në kuadër të masave, që ka marrë policia e Tiranës për bllokimin e armëve pa leje. Policia tha, se qe një informacion i siguruar në rrugë operative, që ka çuar efektivat e Komisariatit nr.2 në ndjekje të makinës që shërbente si taksi, me të cilën po lëviznin përgjatë rrugës “Mendar Shtylla”, tek “Komuna e Parisit”, Alban Rexha, Enea Gega dhe Ernest Qorbja. Një patrullë policie i ka bërë shenjë për të ndaluar drejtuesit të mjetit, rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe fillimisht asnjë prej pasagjerëve nuk ka komunikuar me efektivat e policisë, deri në momentin kur u është kërkuar që të zbrisnin pasi do të kontrollohej mjeti, gjithashtu ndaj tyre do ushtrohej kontroll fizik. Burimet sqaruan se gjatë kontrollit në brendësi të makinës, poshtë sediljes së pasme, ku ishte ulur Enea Gega, është gjetur një pistoletë, së cilës asnjëri prej 3 pasagjerëve dhe drejtuesi i mjetit nuk i kanë dalë “për zot”. Për këtë arsye, të katërt janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit nr.2, ku janë marrë në pyetje përgjatë gjithë paradites së djeshme. Të bindur që drejtuesi i mjetit nuk kishte lidhje me armën dhe 3 pasagjerët, edhe pas konsultimit me prokurorin, është kryer arrestimi i Rexhës, Gegës dhe Qorbjas.
Rexha u arrestua një vit në ambientet e gjykatës
Alban Rexha u arrestua për herë të fundit, një vit më parë, në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë. Rexha u prangos teksa ishte paraqitur me dëshirën e tij në Prokurori. Ai ishte shpallur person në kërkim policor, që prej ditëve të para të janarit të vitit 2010 dhe për të ekzistonte një urdhër arresti nga Gjykata për Krimet e Rënda. Kjo për shkak se mbrëmjen e 29 dhjetorit 2009, ai dhe tri persona të tjerë, u përfshinë në një shkëmbim zjarri me një patrullë policie, në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë. Mësohet se Rexha ndodhej në gjykatë më 26 shkurt 2010, për shkak të ambienteve të përbashkëta që ajo ka me godinën e Prokurorisë për Krimet e Rënda. Avokatët mbrojtës të Rexhës, pohuan se bëhej fjalë për një “vetëdorëzim” dhe se klienti i tyre u arrestua jashtë çdo rregulli. Sipas avokatëve, Alban Rexha, do të paraqitej në Prokurori, për të ndihmuar hetimin ndaj tij dhe për të vijuar më tej me procedurat e nevojshme.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











