Forca të komisariatit të policisë nr.1, efektiva të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe agjentë të sektorit të operacioneve speciale, kanë vënë në pranga dy shtetas në një banesë, ku janë gjetur një sërë materialesh dhe pajisjesh të dyshimta. Sipas burimeve zyrtare nga policia, shtetasit e arrestuar janë, Artan Hasanaj dhe Endri Ahmetaj, njëri prej tyre me precedentë penalë të mëparshëm. Sipas burimeve nga policia e Tiranës, arrestimi i dy personave është bërë në një apartament, në të cilin kryhej montimi i bombave dhe lidhja e tyre me telekomandë për shpërthim në distancë. Zyrtarët e policisë, kanë pohuar se në apartamentin që ndodhet përballë Liceut Artistik, është arritur të sekuestrohen një sasi e konsiderueshme pajisjesh elektronike dhe lëndë eksplozive. Sipas burimeve policore, arrestimi i dy shtetasve është bërë në kohën kur ata po përgatisnin mekanizmin e një bombe me telekomandë, e cila dyshohet se do të përdorej për realizimin e një atentati. Burimet e policisë thanë se dy të dyshuarit janë arrestuar me akuzën “vrasje e mbetur në tentativë”, pasi nga hetimet është arritur të provohet se kishin kryer të gjitha përgatitjet për realizimin e atentatit.
Hetimi
Pas një hetimi disa ditor, agjentët e forcave speciale të policisë, kanë mbërritur dje pranë pallatit ku është gjetur “punishtja” e bombave me telekomandë. Në kuadër të veprimeve operacionale, forcat e policisë kanë rrethuar zonën dhe në orët e para të mëngjesit kanë qenë gati për veprim. Forcat e rendit kanë ndërhyrë para se dy personat të dilnin nga apartamenti ku ishin duke kryer montimin e mekanizmit shpërthyes, që mësohet se do të aktivizohej me anë të një telekomande në distancë. Pasi kanë shpërthyer derën e apartamentit dhe kanë vënë në pranga dy personat, policia ka konstatuar se njëri prej tyre ishte plagosur me armë zjarri. Një zyrtar i policisë tha dje se brenda në banesë, është arritur të gjendet predha e cila kishte goditur të plagosurin. Nisur nga ky fakt, dyshimet e policisë janë se “punishtja” e bombave me telekomandë ka mbledhur në atë vend edhe persona të tjerë veç dy të arrestuarve. Pas dërgimit në spital të personit të plagosur, forcat e policisë kanë kryer sekuestrimin e provave në vendin e ngjarjes, duke bllokuar lëndë eksplozive, pajisje transmetimi dhe telekomandimi në distancë të mjeteve shpërthyese.
Atentatet, industria e bombave me celularë
Bombat e telekomanduara me celularë janë kthyer në një nga metodat vrasëse me të sofistikuara në Shqipëri vitet e fundit. Shfaqjet e para të kësaj forme kriminale u ndeshën nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, në vitin 2005 e në vazhdim, fillimisht në Shkodër dhe më pas edhe në disa rrethe të tjera të vendit. Zakonisht janë teknikë pajisjesh elektronike (televizorësh apo celularësh), ata që kryejnë montimin e bombave me telekomandë. Mekanizmi në fjalë funksionon me anë të dy celularëve. Njëri celular ngjitet me bombën dhe qarku i tij elektronik lidhet me detonatorin, që aktivizohet me anë të mikrorrymës elektrike. Në këtë celular vendoset një numër telefoni, që dihet vetëm nga i interesuari për vrasjen. Pas vendosjes së bombës në vendin e caktuar, me anë të një celulari të dytë bëhet thirrja në numrin e celularit që është vendosur tek bomba. Telefonata aktivizon rrymën në qark, dhe për pasojë detonatori kryen shpërthimin.











