TIRANË – Një çift është grabitur mbrëmë me armë në Kamzë nga dy persona. Sipas burimeve nga policia, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00. Dy personat e dyshuar si autorë të ngjarjes, kanë qenë duke lëvizur me motor, në momentin kur kanë vendosur të ndjekin nga pas automjetin ku ndodheshin shtetasit e grabitur. Pasi e kanë ndjekur makinën për disa minuta, derisa ajo ka dalë nga rruga kryesore dhe ka hyrë në rrugica, autorët janë afruar dhe kanë qëlluar me armë në ajër. Ata u kanë kërkuar dy personave që ndodheshin në makinë, që të dilnin jashtë dhe më pas u kanë bërë atyre një kontroll personal. Dy autorët e krimit kanë kontrolluar më pas automjetin dhe në përfundim, u kanë marrë të dëmtuarve të gjitha paratë që kishin me vete, një shumë rreth 20 mijë lekë të reja. Pa shkaktuar dëmtime në njerëz, dy autorët e ngjarjes janë larguar, ndërsa drejtuesi i mjetit, që ndodhej me bashkëshorten, ka lajmëruar policinë. Burimet nga policia e kryeqytetit thanë se forca të shumta të policisë janë dërguar në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimin dhe kërkimet për kapjen e autorëve që janë larguar me motor nga vendi ku ndodhi grabitja.











