Kamera survejimi në dhomat e izolimit

Nov 21, 2011 | 9:29

Hysni Burgaj, drejtori i pergjithshem i policise se shtetit

Raporti: Në polici nuk jepet ndihma mjekësore për të ndaluarit e plagosur, tejkalohen afatet e shoqërimit. SHKB inspektim për plotësimin e standardeve të BE në komisariate

Sipas një inspektimi, ambientet e izolimit nuk plotësojnë parametrat jetësorë të sigurisë. Në Komisariatin Nr.6 të Tiranës nuk ekzistojnë dhomat e sigurisë, në Komisariatin Nr.4 këto dhoma ndodhen nën tokë, ndërsa në atë të Kavajës nuk janë të pajisura me shtretër. Personat që shoqërohen për verifikim në rajonet e policisë, në shumicën e rasteve mbahen më shumë se 10 orë, duke tejkaluar afatin e përcaktuar në ligj për shoqërimit. Në disa raste të tjera ushtrohet dhunë ndaj të ndaluarve dhe nuk u jepet ndihma e nevojshme mjekësore, në rastet kur janë të plagosur. Këto janë disa nga konkluzionet përfundimtare që janë renditur në raportin e hartuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, pas një inspektimi të kryer në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në 6 komisariatet e kryeqytetit dhe në atë të Kavajës. Inspektimi është kryer pas një urdhri të dhënë nga drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Objekti i tij është konstatimi i gjendjes aktuale të trajtimit të personave të shoqëruar, ndaluar apo arrestuar nga strukturat e Policisë, në zbatim të 12 rekomandimeve të Raportit Analitik për vitin 2010 të Komisionit Europian. Raporti përfundimtar është ndërtuar në bazë të intervistimeve të drejtuesve të Policisë, përgjegjësve të sigurisë, personave të shoqëruar, ndaluar apo arrestuar, si dhe verifikimi i dokumentacionit përkatës për çdo veprim të oficerëve të Policisë, ku gjithashtu janë konstatuar parregullsi.
RAPORTI
Inspektimi i kryer rreth 2 javë më parë në ambientet e Drejtorisë dhe komisariateve të Policisë së Tiranës nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, është përmbledhur në një raport, të cilit do t’i bashkëngjiten në vazhdim edhe konkluzionet e inspektimeve në rrethe që vazhdojnë të kryhen. Fillimisht, grupi i inspektimit mori kontakt me drejtorin e Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj, i cili prezantoi kushtet aktuale të dhomave të sigurisë, trajtimin e personave të shoqëruar, ndaluar apo arrestuar, si dhe problemet që dalin gjatë dinamikës së përditshme të punës. “Komisariatet e Policisë së Tiranës kanë ambiente shoqërimi dhe dhoma sigurie, me përjashtim të Komisariatit Nr.6, i cili ka vetëm ambiente shoqërimi, ndërsa si dhoma sigurie, ky komisariat përdor ato të Komisariatit Nr.2. Kushtet e dhomave të sigurisë nuk janë në nivelin e kërkuar, përveç Komisariatit Nr.5 dhe atij të Kavajës”, ka deklaruar Muçaj. Ndërsa ka shtuar se janë në pritje të zbatimit të një fondi të posaçëm prej 5 milionë lekësh të rinj, për rikonstruksionin e dhomave të sigurisë. Gjithashtu, ai ka deklaruar se lidhur me trajtimin ushqimor të personave të ndaluar apo arrestuar, është parashikuar trajtimi ushqimor, për garantimin e të cilit është lidhur një kontratë shërbimi (catering) me një subjekt privat.
REKOMANDIMET
Në përfundim të raportit të inspektimit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, rendit disa rekomandime, si dhe sugjerime, në drejtim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Një prej rekomandimeve është për përcaktimin e fondeve nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme për instalimin e kamerave në dhomat e sigurisë. Gjithashtu, përmirësimi dhe koordinimi i punës ndërmjet strukturave të Policisë dhe atyre të Drejtorisë së Burgjeve lidhur me zhvendosjen në kohë në vendin e vuajtjes së dënimit ose institucionin e paraburgimit të personave të arrestuar, që kanë marrë masën e sigurisë “burg pa afat”, apo janë të dënuar me vendim të formës së prerë.

Procedurat e shoqërimit, ndalimit e arrestimit
Ligji i njeh Policisë së Shtetit një sërë kompetencash për ushtrimin e funksioneve të saj, si shoqërimin, arrestimin, kontrollin, sekuestrimin, përdorimin e forcës etj. Kompetenca këto që kanë të bëjnë me privimin e qytetarëve nga liria, ndërhyrjen në jetën private etj, por vetëm për qëllime të ligjshme dhe në interes të publikut. Procedura e shoqërimit, ndalimit dhe arrestimit duhet të jetë në përputhje të plotë me legjislacionin vendës dhe atë ndërkombëtar. Në ambientet ku akomodohen, të shoqëruarve, të ndaluarve apo të arrestuarve, duhet t’u garantohet trajtim njerëzor dhe kushte infrastrukturore, të cilat nuk duhet të cenojnë shëndetin fizik apo mendor të tyre.

KONKLUZIONE
1. Ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, me përjashtim të Komisariatit Nr.5 dhe Kavajë, nuk përmbushnin asnjë nga kushtet dhe kriteret për dhomat e sigurisë, të parashikuar në Urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm.

2. Në të gjitha strukturat mungonte nyja për larjen e trupit dhe tualeti ishte i përbashkët.

3. Në fashikullin e personave të ndaluar/arrestuar (për ato struktura ku u gjetën persona të kësaj kategorie DPQ, Komisariati Nr.2, 3 dhe Kavajë), mungonte formulari i identifikimit me tre fotografi dhe kartela daktiloskopike.

4. Stafi mjekësor i Policisë së Tiranës nuk kryente vizitën mjekësore dhe regjistrimin e të gjithë personave të ndaluar/arrestuar në regjistrin e vizitave mjekësore në dhomat e sigurisë, brenda 24 orëve të para.

5. Në regjistrin e vizitave mjekësore dhe atë të sendeve personale nuk shënoheshin të gjithë personat.

6. Në Komisariatin Nr.3 në një dhomë ndodheshin tre persona respektivisht; 1 me vendim të formës së prerë, 1 përdorues i lëndëve narkotike, 1 me probleme shëndetësore (nga një aksident i ndodhur). Ky i fundit paraqiti edhe pretendime për ushtrim dhune nga ana e oficerëve të Policisë në momentin e arrestimit.

7. Në Komisariatin Nr.6 nuk ka dhoma sigurie.

8. Në Komisariatin Nr.4, dhomat e sigurisë ndodhen në ambient nëntokësor.

9. Në Komisariatin e Kavajës mungojnë shtretërit.

10. Regjistrat e personave të shoqëruar nuk ishin në përputhje me Urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Orari i shoqërimit shënohej në momentin kur personi futej në komisariat.

11. Gjatë plotësimit të regjistrave të shoqërimit, në rubrikat ku kërkohet emri i punonjësit që ka bërë shoqërimin, përdoreshin kode policore, dhe në rubrikën “Arsyeja e shoqërimit” u vërejt shpesh termi “verifikim”, duke mos pasqyruar saktë shkakun e ndalimit.

© Panorama.al

Te lidhura