VLORË- Ka nisur nga qyteti i Vlorës nënshkrimi i peticionit kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.
Në “Sheshin e Flamurit”, janë mbledhur dhjetëra përfaqësues të organizatave të ndryshme për t’iu bashkuar nismës kundër regjistrimit etnik e fetar, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Nisma ka të bëjë me mbledhjen e 20 mijë firmave kundër proçesit dhe i pari që ka vënë firmën në këtë peticion ka qenë numri dy i Këshillit të lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, e pas tij, edhe të tjerë.
Sipas tij, ky lloj regjistrimi është i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me rrezik për asimilimin e kombit. “Ne duhet ta ruajmë të pastër flamurin tonë kombëtar”- ka thënë Spahiu, duke e cilësuar unike nismën dhe vullnetin e popullit.
Për Spahiun, shqiptarët nuk janë identifikuar me fenë. “Feja e shqiptarit është shqiptaria. Shtete të tjera mund të bëjnë dallime fetare ndërsa ne jemi krenar për bashkëjetesën fetare që na karkaterizon” tha ai.
Nisma për firmosjen e peticionit kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare i nisur nga Vlora do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.
© Panorama.al











