TIRANË- Jeta e vështirë dhe pamundësia ekonomike kanë nxjerrë në protestë paraplegjikët në Tiranë. Të mbledhur para Ministrisë së Punës, personat me aftësi të kufizuar kanë kërkuar nga qeveria mbajtjen e premtimeve në adresë të tyre. Ata kërkojnë rritjen e përfitimit të karburantit në masën 80 lekë, rritjen e përfiimit të kujdestarisë dhe mbajtjen e premtimeve për paketën higjieno-sanitare.
“Ne nuk jemi këtu për politikë dhe nuk na intereson politika. Ne duam kushte më të mira jetese, zbatimin e atyre kushteve që vetë qeveria na ka miratuar, të cilat kanë shumë vite pa u zbatuar saktësisht’- ka thënë kryetari i shoqatës, Ali Plaka.
Ata kërkojnë takim me ministrin e Punës, i cili sipas tyre duhet të marrë përgjegjësitë që i takojnë në zbatimin e të drejtave të kësaj kategorie personash me aftësi të kufizuara.











