Jensen me Topin: Shpresoj të merrni statusin për 100-vjetorin

Jan 11, 2012 | 12:08
Topi e Jensen

Presidenti Bamir Topi ka pritur dje në zyrën e tij ambasadorin e Danimarkës në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së. Gjatë takimit, kreu i shtetit u shpreh se integrimi në BE është objektivi kryesor i politikës së jashtme të Shqipërisë. “Objektivi ynë është përshpejtimi i procesit të integrimit të plotë të Shqipërisë dhe ne shpresojmë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian brenda këtij viti, pasi të kemi plotësuar kriteret e duhura, ku më kryesori është dialogu dhe bashkëpunimi politik institucional”, theksoi Presidenti Topi. Kreu i shtetit vlerësoi gjithashtu rolin dhe kontributin e ambasadorit Jensen dhe shprehu bindjen në mbështetjen e plotë të Presidencës daneze për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në BE. Nga ana e tij, diplomati danez tha se “Mbretëria e Danimarkës do të vazhdojë të mbështesë vendin tonë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian duke uruar që Shqipëria të arrijë ta marrë e ta meritojë statusin e vendit kandidat dhe do të ishte një gjë shumë e mirë sikur kjo të ndodhte në këtë vit të njëqindtë të pavarësisë së saj”.

© Panorama.al

Te lidhura