Një grup banorësh të fshatit Kryezjarr, në Bashkinë e Elbasanit, zhvilluan paraditen e sotme një protestë pranë nënstacionit të ri elektrik, duke ngritur shqetësimin për dëmet që, sipas tyre, janë shkaktuar në infrastrukturën rrugore rurale gjatë punimeve të kryera nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST).
Banorët deklaruan se prej më shumë se dy vitesh përballen me vështirësi të shumta për shkak të degradimit të rrugëve që lidhin zonën me parcelat bujqësore dhe sipërfaqet e pemëtarisë.
Sipas tyre, mjetet e rënda që u përdorën gjatë ndërtimit të nënstacionit elektrik dëmtuan ndjeshëm segmentet rrugore, duke e bërë të vështirë lëvizjen e fermerëve dhe transportin e produkteve bujqësore.
Protestuesit të cilët mbanin në duar pankarta të shumta ,pohuan se në fillim të projektit kishin marrë garanci nga përfaqësues të OST-së se infrastruktura e dëmtuar do të rehabilitohej pas përfundimit të punimeve.
Megjithatë, edhe pse nënstacioni ka përfunduar prej kohësh dhe është vënë në funksion, ata thonë se asnjë ndërhyrje konkrete nuk është kryer për rikthimin e rrugëve në gjendjen e mëparshme.
Gjatë protestës, banorët kërkuan që institucionet përgjegjëse të reagojnë sa më shpejt dhe të marrin masa për rikonstruksionin e akseve të dëmtuara, duke theksuar se mungesa e infrastrukturës po ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre ekonomik dhe jetën e përditshme.
Ata paralajmëruan se, nëse kërkesat e tyre nuk marrin përgjigje, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, deri në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete për rehabilitimin e rrugëve që shërbejnë për qindra banorë dhe fermerë të zonës.
Sipas tyre, pjesa më e madhe e banorëve janë të moshuar, të cilët përballen çdo ditë me vështirësi në lëvizje për shkak të amortizimit të rrugës. Ata theksuan se kërkesa e tyre është e qartë: rikthimi i rrugës në gjendjen që kishte para nisjes së punimeve dhe jo zgjidhje të përkohshme.
Banorët paralajmëruan se nëse institucionet dhe kompania nuk marrin masa konkrete, protestat do të përshkallëzohen. Ata deklaruan se janë të gatshëm të bllokojnë plotësisht rrugën e fshatit dhe të mos lejojnë hyrjen e asnjë mjeti që i shërben nënstacionit elektrik, duke pezulluar kështu funksionimin normal të aktivitetit në zonë.
Pak minuta pas nisjes së protestës, në vendngjarje mbërriti kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cili zhvilloi një takim me një përfaqësi të banorëve, si dhe me përfaqësuesit e kompanisë dhe nënkontraktorët që po zbatojnë projektin.
Takimi u zhvillua me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar dhe shmangien e përshkallëzimit të protestës. Në përfundim të bisedimeve, banorëve iu komunikua se kompania ishte e gatshme të ndërhynte vetëm për arnimin e rrugës së dëmtuar.
Por kjo ofertë nuk u prit pozitivisht nga protestuesit, të cilët e konsideruan një zgjidhje të pamjaftueshme për problemin. Ata deklaruan se nuk do të pranojnë ndërhyrje sipërfaqësore dhe se do të vazhdojnë të kërkojnë rikonstruksionin e plotë të rrugës, në mënyrë që ajo të rikthehet në gjendjen që kishte para nisjes së punimeve për ndërtimin e nënstacionit.
Banorët e Kryezjarrit shprehen të vendosur për të vijuar reagimin e tyre qytetar deri në realizimin e kërkesave, ndërsa presin që institucionet përgjegjëse dhe kompania zbatuese të japin një zgjidhje konkrete dhe afatgjatë për një problem që, sipas tyre, zvarritet prej tre vitesh.
© Panorama.al
















