“Jemi më të fuqishëm sesa e mendoni, jemi Maratonomakë”- Aktivisti: Shqipërisë po i nënshkruajnë certifikatën e vdekjes, mijëra largohen çdo ditë

Jul 20, 2026 | 20:45

Shqipëria po shpopullohet çdo ditë dhe më shumë, ku lindshmëria ka rënë, çiftet e reja largohen nga vendi dhe emigracioni është në kulm, duke i nënshkruar Shqipërisë “certifikatën e vdekjes”.

Kështu u shpreh nga podiumi i protestës në ditën e 51-të të saj, një aktivist i ri.

Ai mori fjalën para Kryeministrisë me tone dhe akuza të forta ndaj qeverisë, duke ngritur shqetësimin për emigracionin, rënien demografike dhe largimin e të rinjve nga vendi.

“Do të flas katër minuta. Në katër minuta një nënë ka sjellë në jetë një bebe, po aq mjaftojnë që një njeri të bëjë gati valixhen. A do t’i përgatisim ne Shqipërisë certifikatën e vdekjes? Shqipërisë ia kemi nënshkruar certifikatën e vdekjes, sepse mijëra largohen çdo ditë”, u shpreh ai.

Aktivisti deklaroi se gjatë vitit të fundit janë larguar rreth 50 mijë qytetarë, duke e krahasuar këtë shifër me zhdukjen nga harta të disa prej qyteteve më të mëdha të vendit.

“Kemi larguar 50 mijë njerëz nga Shqipëria. Është sikur të marrësh Vlorën, Durrësin, Sarandën dhe Shkodrën nga harta, jo nga një fatkeqësi natyrore”, tha ai.

Në fjalën e tij, ai theksoi se çdo ditë dhjetëra çifte martohen, hapen biznese të reja dhe diplomohen studentë, por sipas tij, të rinjtë detyrohen të ndërtojnë jetën jashtë Shqipërisë.

“Çdo ditë 44 çifte vendosin të martohen, 43 individë hapin biznes pavarësisht bandave dhe ryshfetit, ndërsa 77 studentë diplomohen dhe ne i dërgojmë të ndërtojnë të ardhmen e Anglisë, Gjermanisë apo SHBA-së. Pse të mos e ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri?”, u shpreh ai.

i riu tubim

Dhe shtoi se:

“43 individë çdo ditë vendosin të hapin biznes në Shqipëri pavarësisht bandave dhe ryshfetit ata mendojnë se do ia dalin. 77 studentë diplomohen çdo ditë dhe ne i dërgojmë të ndërtojnë të ardhmen e Anglisë, Gjermanisë, SHBA pse mos të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri, pse t’i dëbojmë? Kur shohin të ardhmen në sy ata nuk tremben ashtu si ata që vendosin të qëndrojnë këtu sepse studentët janë këtu. Policia është me ne, sepse ata janë njerëzit tanë e duhet të jemi tolerantë. Ne e dashurojmë atdheun dhe e duam njëri-tjetrin. Jeni shumë herë më të fuqishëm sesa e mendoni sepse nuk ka imagjinatë që nuk mund ta arrini, ëndërroni në mënyrë të shfrenuar, le të punojmë së bashku për t’i realizuar ëndrrat në shesh. U themi njerëzve në rrjetet sociale ejani në protestë, e politikanëve që këtu vendosim ne”. 

Në fund të fjalimit, aktivisti u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen me protestën dhe të vazhdojnë mobilizimin.

“Kemi 51 ditë që vijmë këtu për të treguar se jemi Maratonomakët më të fortë që ka parë Shqipëria. Nuk jemi komunistë, nuk jemi nazistë, por jemi shqiptarë”, përfundoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura