“Jehona e protestës e pritshme, s’ka vende ku zv kryeministrja dhe AKSHI përfshihen në skandale të mëdha” – Enri Ceno: Lëvizja e Salianjit? U bë në kohën e gabuar

Dec 26, 2025 | 15:25

Sekretari i marrëdhënieve me jashtë në PD, Enri Ceno komentoi protestat e nisura nga opozita, skandalet që kanë përfshirë zëvendës kryeministren Belinda Balluku si edhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit (AKSHI).

ceno

Në një intervistë per News 24, ai theksoi se jehona e protestës kombëtare të opozitës ishte e pritshme, referuar faktit se për të shkruajtën edhe mediat ndërkombëtare, duke theksuar se nuk ka asnjë vend tjetër në botë ku zëvendës kryeministrja dhe AKSHI përfshihen në skandale të tilla. Ai u shpreh se është e nevojshme edhe mbështetja ndërkombëtare ndaj opozitës për të bërë të mundur rotacionin e pushtetit, duke shtuar se tashmë situata është në favor të tyre duke marrë parasysh ngjarjet e fundit.

“Jehona ishte e pritshme. Nuk është se ka raste të tjera për vende anëtare të NATO-s ku zëvendës kryeministri apo ministra janë të përfshirë në korrupsion të madh dhe skandali tjetër përveç Ballukut, ai i AKSH-it, që për mua është skandali më i madh në këto vite, se prek sigurinë kombëtare dhe si vende anëtare të NATO-s nuk prek vetëm sigurinë kombëtare por edhe të partnerëve tanë.

Opozita shqiptare duhet të bëjë gjithçka mundet për t’i ofruar shqiptarëve më të mirën të mundshme dhe mundësinë, burimet njerëzore ne i kemi. Influenca ndërkombëtare për shtete si Shqipëria është shumë e madhe. Në RMV ka qenë influenca ndërkombëtare që bëri të mundur për rrëzimin e pushtett të Gruevskit.”, tha ai.

U pyet gjithashtu edhe për takimet e nisura nga Ervin Salianji me bazën demokrate, lëvizje e cila shkaktoi debate brenda partisë por edhe përjashtimit të tij nga kryesia.

Sipas Cenos, lëvizja e Salianjit ndodhi në një kohë të gabuar sepse tërhoqi vëmendjen nga skandali i zëvendës kryeministres dhe AKSHI-t.

“Në PD ndryshe nga PS, në mbledhjet e kryesisë ku jam pjesë e saj gjithmonë ka pasur debat. Me aktivitetin e Salianjit në kryesinë e PD ka patur individë që kanë kërkuar analizën e politike të zgjedhjeve të 11 majit shumë kohë përpara por vendimi i lidershipit që në shtator ishte të pritej raporti i OSBE/ODIHR. Të gjitha aktivitetet që mund të ngjallin një lloj energjie apo përfshirje të individëve që kanë hatërmbetje dhe që kanë përplasje me strukturën e PD janë pozitive. Kam një problem me iniciativën e tij që në perceptimin tim u bë në kohën e gabuar se tërhoqi vëmendjen kur shpërtheu skandali i Ballukut dhe kur përflitej për AKSHI. Mund të ishte bërë më përpara. Por në periudhën kur ndodhi lëvizja unë mendoj që u bë në kohën e gabuar dhe më pas propaganda e Rilindjes bëri të flitej më shumë për këtë çështje sesa për Ballukun e AKSHI”, shtoi ai.

© Panorama.al

Te lidhura