Japonia veriore bëhet moçal, s’ka kufi mes detit dhe tokës

Mar 13, 2011 | 11:15

Të shtunën paradite, kur dielli lindi në Japoninë veriore, njerëzit ishin ende të tmerruar nga dridhjet e vazhdueshme të tokës pas tërmetit 8,9 ballë të së premtes, dhe në qytetet bregdetare nuk mund të gjendej kufiri mes detit dhe tokës.Por tmerri i banorëve nuk ka marrë fund, pasi ende pritet një cunami i ri. I tërë qyteti Minamisoma ishte i përmbytur. Nga lart mund të shiheshin vetëm pika të bardha betoni, të cilat të kujtonin shtëpitë që qëndronin aty një ditë më parë, para se të përlaheshin nga cunamin vdekjeprurës. Banorë të zonave të tmerrit kërkonin të frikësuar në listat qeveritare emrat e të evakuuarve, për të parë nëse familjarët e tyre ishin mirë. Dikush gjente vetëm disa, dikush nuk lexonte asnjë të njohur. Sipas një bujku që dëshmoi ngjarjen, “cunami mbuloi të gjitha fushat e fermës në një moment”. 61-vjeçari Chusei Sato tha se të premten kishte parë gjigantin ujor të mbushur me mbeturina, që kishte kaluar mbi ndërtesat disa metra të larta, duke shkatërruar të gjithë zonën. Dallga masive mund të ishte rreth 200 metra larg, kur ai e dalloi, por ajo ishte afruar me një shpejtësi marramendëse. Fermeri kishte mundur të shpëtonte, pasi ishte fshehur pas një kodre, por dy të afërmit e tij janë zhdukur. Të shtunën në mëngjes, ai kishte kërkuar në zonën ku kishte qenë shtëpia e kushërinjve të tij, dhe kishte mësuar se e gjithë lagjja ishte “fshirë” nga cunami. Kishte vetëm mbeturina shtëpish dhe makinash. Ndërsa korrespondenti i BBC-së shkruan nga qyteti i Sendait se pamja është vërtet tronditëse. Anije gjigante mallrash janë përplasur me ndërtesat në tokë, rrugëve mund të shiheshin vetëm pemë dhe rrënoja. Rrugët ishin mbuluar me baltë. Dhjetëra makina dukeshin të shtypura, të përmbysura e të shkatërruara nga fuqia e dallgës gjigante. Furnizimi me gaz dhe ujë është ndërprerë, vatrat e zjarrit vazhdojnë të digjen dhe qindra e qindra njerëz kanë vdekur. Sipas autoriteteve, 1,4 milionë shtëpi kanë mbetur pa ujë të pijshëm dhe 3 milionë pa drita. Ekziston mundësia që energjia elektrike të shkëputet në të gjithë Tokion. Sipas “Tokyo Electric Power”, dëmtimet e rënda të provokuara nga tërmeti i së premtes në centralet e të gjithë vendit mund të lënë pa drita Tokion dhe rrethinat e saj. Benzina në qytetin Sendai, më i afërti me epiqendrën e tërmetit të së premtes, është bërë me racion dhe në ata pak distributorë që kanë mbetur hapur dhe i kanë shpëtuar shkatërrimit, radhët e makinave janë shumë të gjata. Banorët kanë qëndruar deri në pesë orë në radhë për 20 litra benzinë, racioni i parashikuar për çdo mjet. Në të gjitha zonat e përmbytura nga dallgët gjigante të cunamit, tashmë vërtiten me varka apo anije të vogla punonjësit e skuadrave të shpëtimit, të cilët kërkojnë për njerëz, apo të paktën trupat e tyre në ndërtesat e rrëzuara përtokë e të mbuluara me ujë. Njerëzit janë me fat nëse në këto zona shohin objekte të qarta, pasi shumica janë rrënoja. Sipas korrespondentes së AP, diku mund të shihet një karrige, një piano…objektet e tjera në sipërfaqen e ujit janë të dëmtuara. Qytetet ishin shndërruar në djerrina moçalore. Pjesa më e madhe e shtëpive janë rrafshuar tërësisht. Rreth 250 mijë njerëz ndodhen të strehuar nëpër çadra dhe gjithsej janë angazhuar 50 mijë punonjës të skuadrave të shpëtimit. Në supermarketet që janë hapur, edhe pse pa energji elektrike, njerëzit janë dyndur të marrin furnizimet më të domosdoshme për ditët e këqija që i presin përpara.

Te dhena pas cunamit

. 6,4 ballë ka qenë tërmeti i ri i Japonisë, me epiqendër pranë centralit nuklear Fukushima, paraditen e djeshme

. 46 800 persona në një rreze 10 kilometrash duheshin evakuuar dje nga autoritetet japoneze, në zonën e centralit Fukushima

. 55 reaktorë nuklearë janë në funksion në të gjithë Japoninë në 17 zona dhe 11 prej tyre janë prekur nga tërmeti i dhunshëm që goditi këtë vend

. 20 herë më i lartë se normalja është radioaktiviteti në impiantin Fukushima 1, një pjesë e të cilit shpërtheu dje, fatmirësisht pa prekur materialin nuklear

. 250 km larg Tokios ndodhet impianti nuklear Fukushima

. 4 punëtorë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi i reaktorit Fukushima 1

. 220 000 banorë të brigjeve lindore të Filipineve janë rikthyer në shtëpitë e tyre, pas evakuimit të një dite më parë

. 215 grupe turistësh kinezë në Japoni, të gjithë 4578 persona, janë gjetur. Nuk ka të plagosur mes tyre

. 1 orë frymëmarrje aktualisht në zonën e Fukushimës është e barasvlershme me marrjen e një sasie radioaktiviteti, që normalisht mund të merret në një vit, sipas TV publik japonez, Nkh

. 20 punonjës profesionistë të skuadrave të shpëtimit, tre analistë  të strukturave të shembura dhe 10 qen të specializuar për gjetjen e personave nën rrënoja janë nisur nga Meksika në Japoni

. 4 prefektura japoneze janë ende në rrezik cunami. Ato janë Iwate, Miyagi, Fukushima dhe Aomori

. 20 km u zgjerua harta e evakuimeve rreth zonës së Fukushimës

. 200 mjekë e psikologë ka dërguar Rusia në Japoni

. 400 trupa pa jetë u gjendën në portin e Rikuzentakatas

. 1000 herë më i lartë se normali është niveli i radioaktivitetit në Fukushima

. 60 vende i kanë shprehur solidaritetin e tyre kryeministrit japonez, Naoto Kan, mes të cilave edhe Shqipëria

. 12 fabrika ka mbyllur në Japoni, për shkak të sigurisë së stafit, gjiganti “Toyota Motor Corporation”

. 1 i vdekur është raportuar në provincën indoneziane të Papuas

. 3 m të larta pritet të jenë dallgët anormale në rast të një cunami tjetër, ndryshe nga dallgët 10 metra të larta të së premtes

. 40 km thellësi kishte tërmeti i ri i magnitudës 6.6 në verilindje të Japonisë

. 1 nga 25 impiantet më të mëdha në botë është impianti i Fukushimës, i cili pati shpërthime dje

. 300 mijë njerëz janë evakuuar nga zona veriore e Japonisë dhe ky numër pritet të rritet

Zinxhiri i protestës

Rreth 60 mijë persona kanë formuar dje në Gjermani një zinxhir njerëzor 45 km të gjatë për të protestuar kundër përdorimit të energjisë nukleare në botë, ndërkohë që në Japoni po ndodh katastrofa e Fukushimës, i provokuar nga tërmeti 8,9 ballësh i së premtes. Radha e gjatë e manifestuesve kundër nukleareve, e organizuar nga shoqata të ndryshme gjermane që përpiqen për mbylljen e centraleve nukleare në vend, ka lidhur centralin e Neckarwestheim-it, në Baden-Wuerttemberg (jug[perëndim), me pallatin e guvernatorit të Landit, Vilën Reitzenstein në Stocarda.

Treni i zhdukur

Gjendet treni i pasagjerëve, gjurmët e të cilit gjatë cunamit të së premtes në Japoni ishin zhdukur tërësisht. Pamjet satelitore e tregojnë trenin të copëtuar, vagonët të shpërndarë secili më vete, dhe nuk ka gjurmë të mbijetuarish. Treni ndodhej në një zonë të izoluar, të “pushtuar” nga balta dhe besohet se është treni i zhdukur një ditë më parë. Nuk ka as raportime zyrtare se sa njerëz mund të gjendeshin në tren, por thuhet se mund të kishte mbi 100 vetë. Treni ishte të premten në shërbim në zonën bregdetare të prefekturës së Miyagi-t, në Japoninë verilindore, në linjën që lidhte qytetet Sendai dhe Ishinomaki.

1700  njerez thuhet të jetë bilanci i viktimave nga tërmeti 8.9 ballësh i Japonisë, por numri pritet të rritet në mënyrë drastike, pasi vetëm në një nga qytete e goditura prej tërmetit, në Minamisanrikucho ,në prefekturën e Miyagi-t, mungojnë 9500 apo 10 mijë vetë. Shifrat nga raportimet zyrtare janë 574 të vdekur dhe 586 të humbur, me 1105 të plagosur

© Panorama.al

Te lidhura