Japoni, shtohen viktimat, mungojnë 30 mijë njerëz

Mar 15, 2011 | 11:39

Gjashtë mijë viktima janë konfirmuar deri tani nga autoritetet në Japoni, por numri do të rritet sërish në mënyrë dramatike, pasi emrat e 30 mijë njerëzve, u mungojnë ende listave të qeverisë.Ndërsa trupat shtohen nga ora në orë, si nën rrënoja ashtu edhe nga prurjet e detit në plazhe, vendit po i përfundojnë rezervat e arkivoleve dhe thasëve për trupat. Në zonat e goditura nga tërmeti nuk ka energji elektrike, nuk ka ujë të pijshëm dhe po mbarojnë edhe rezervat e ushqimit. Banorët e evakuuar në tenda e kalojnë natën në të ftohtë të mbështjellë vetëm me një batanije. Janë të shumtë në numër. Janë ndërtuar mbi 2 mijë qendra evakuimi dhe janë evakuuar rreth 700 mijë persona nga zona verilindore e Japonisë. Dje pati një tjetër dallgë cunami në një prej ishujve të arkipelagut dhe u ndez alarmi në të gjithë Paqësorin se mund të kishte cunam të ri. Ka pasur të paktën 275 dridhje të tjera toke që nga tërmeti i tmerrshëm i së premtes në Japoni. Tërmeti më i fortë që ndodhi gjatë së hënës ishte 5,8 ballë. Tronditjet e pas-tërmetit 9 ballësh në Japoni, mund të zgjasin për muaj të tërë. Sizmologu Rainer Kind, i qendrës gjermane në Potsdam, tha se ndonjë prej dridhjeve të ardhshme të tokës në Japoni, nuk përjashtohet të ketë përmasat e asaj të së premtes. Kështu, popullsia japoneze do të jetë jo vetëm pa ujë e pa ushqim, por edhe me pasoja të rënda psikologjike. Rreth 70 vende kanë dërguar skuadra shpëtimi për t’u solidarizuar me Japoninë. Kryeministri japonez, Naoto Kan, ka dyfishuar një ditë më parë numrin e ushtarëve të angazhuar për operacionit e shpëtimit. Tashmë ata janë 100 mijë. Pamjet televizive kanë treguar qindra mijëra njerëz nga të mbijetuarit, që janë strukur në qendrat e emergjencës në errësirë apo janë futur nëpër klasa shkollash, duke u tmerruar herë pas herë nga tronditjet e reja të tokës dhe duke duruar temperaturat e ftohta dimërore. Ministri japonez i Mbrojtjes, Toshimi Kitazawa, tha se “ka kaq shumë njerëz që janë ende të izoluar dhe po presin për ndihmë. Realitet është shumë i zymtë”. Portet, aeroportet, autostradat dhe fabrikat janë mbyllur, duke e çuar qeverinë e Japonisë të parashikojë ndikim të konsiderueshëm në një shkallë të gjerë në ekonominë e vendit.

Ndëshkim nga qielli

Guvernatori i Tokios, Shintaro Ishihara, e ka konsideruar tërmetin një ndëshkim nga qielli. Lajmin e raportoi e përditshmja “Asahi Shinbun”. “Identiteti i japonezëve është egoist. Duke përdorur këtë cunam, për të paktën një herë është e nevojshme të lashë egoizmin. Pra, unë mendoj se është një ndëshkim nga qielli”, tha guvernatori. Për sa i përket viktimave të cunamit, Ishihara komentoi vetëm me një fjalë: “kawaisou”, që do të thotë “të shkretët”.

Perandori në terr

Perandori dhe perandoresha e Japonisë kanë kërkuar që rezidencat e tyre të mos përjashtohen nga aplikimi i “black out”-ve të programuara nga qeveria për të kursyer energjinë. Lajmi u publikua në faqen online të gazetës japoneze “Yomiuri Shinbun”. “Duam të jetojmë pakënaqësitë e qytetarëve”, ka kërkuar çifti perandorak. Akihito e Michiko kanë anuluar takimet e parashikuara për ditët e ardhshme, mes të cilëve edhe ai me çiftin mbretëror norvegjez.

Fëmijët në lëmoshë

Janë të paktën 100 mijë fëmijë japonezë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, pas tërmetit dhe cunamit të tri ditëve më parë. Vlerësimin e ka bërë “Save the children” (shpëtoni fëmijët), që ka hedhur edhe një apel për mbledhjen e 5 milionë dollarëve për t’i ndihmuar ata. Stephen Mcdonald, koordinator i ndërhyrjes së shpejtë të kësaj shoqate, shpjegon nga Japonia se janë të shumtë fëmijët që kanë mbetur pa shtëpi dhe janë ndarë nga prindërit e tyre”.

© Panorama.al

Te lidhura