Japonia mbetet ende në alarm bërthamor, edhe pas përpjekjeve dyjavore për rivendosjen e kontrollit në centralin Fukushima Daiki. Ekspertët kanë raportuar dje, pas lajmeve të mira për rifunksionimin e ftohësve në disa prej gjashtë reaktorëve të Fukushimës, se në reaktorin numër tre situata është alarmante, pasi janë sinjalizuar rrjedhje të lëndës radioaktive. Edhe në reaktorin numër një të Fukushimës situata nuk është e qetë, pasi ende po luftohet për të marrë kontrollin e mekanizmave ftohës të lëndës nukleare, gjë që nuk është realizuar. Ndërkohë, përpjekjet pengohen vazhdimisht nga tërmete të përditshme. Edhe dje janë shënuar lëkundje të forta të tokës, për të cilat matjet treguan se ishin 6.2 ballë. Ekspertët në centralin Fukushima kanë kërkuar edhe një muaj tjetër kohë për të arritur ftohjen e plotë të reaktorëve, ose të paktën për të tentuar. Që më 11 mars, gjashtë reaktorët e centralit Fukushima Daiki kanë pësuar defekte të gradave të ndryshme. Në reaktorin numër 1 vazhdon presioni dhe temperaturat e larta. Autoritetet shpresojnë të nisin hedhjen e ujit të ëmbël, dhe jo më ujë deti, për të mbushur pishinën e këtij reaktori. Sipas grupeve të industrisë nukleare, bazuar në të dhënat nga qeveria, korja e reaktorit nr. 1 është dëmtuar, por jo ena e përmbajtjes. Reaktori është i dëmtuar nga një shpërthim i mëparshëm hidrogjeni. Ndriçimi është riparuar në të dhe në reaktorin nr. 2. Edhe reaktori i dytë ka pasur sinjalizime emetimi radioaktiviteti. Korja e këtij reaktori është dëmtuar, por presioni konsiderohet i qëndrueshëm. Në reaktorin e tretë matjet kanë treguar radioaktivitet 10 000 herë më të lartë se normalja. Kontaminimi vjen nga korja e reaktorit dhe ka rrjedhje. Deri tani nuk ka plan veprimi të qartë. Në reaktorët 4, 5 dhe 6 presioni vazhdon të jetë i qëndrueshëm. Por edhe në reaktorin 4 ka mundësi të jetë dëmtuar ena e lëndës. Reaktori 5 duket më i sigurt nga të gjithë, ndërsa në reaktorin 6, edhe pse duket i sigurt, ka monitorime të vazhdueshme që pas hapjes së tri vrimave në cipën rrethuese për të ulur presionin e brendshëm.
Rruga rekord, rregullohet për 6 ditë
Një rrugë e shkatërruar nga tërmeti i Japonisë më 11 mars është rindërtuar për gjashtë ditë. Rruga në Naka, në prefekturën e Ibarakit, kishte çarje 2 metra të thella, në 150 metra gjatësi. Por vetëm gjashtë ditë më vonë nga fillimi i ndërtimeve, fotografitë e publikuara nga “East Nippon Expressway” e tregonin atë plotësisht të rregulluar, ku s’kishte asnjë shenjë nga tërmeti 9-ballësh. Shpejtësia e rindërtimit në Japoni ishte marramendëse. Duke e krahasuar me Britaninë, një banor kishte komentuar se në këshillin tyre bashkiak ata ishin ankuar që para katër vitesh për prishjen e një rruge dhe ende s’ishte bërë asgjë.











