Japonia po drejtohet sërish në një situatë katastrofe, pas rritjes masive të niveleve të radioaktivitetit dje në këtë vend.Dyshimet se situata do të menaxhohet dhe zgjidhjet brenda një muaji, siç kanë raportuar grupet e përfshira, janë rritur së tepërmi, sidomos pas pranimit të ekspertëve se kanë gabuar në matjet e niveleve të radioaktivitetit në reaktorët e centralit të dëmtuar nga tërmeti dhe cunami i fuqishëm i 11 marsit. Gabimi, i cili kishte të bënte me tri zero, ka nxitur dje urdhërimin e evakuimit të menjëhershëm nga zona. “Tokyo Electric Power”, Tepco, fillimisht kishte raportuar se nivelet e radioaktivitetit ishin 10 mijë herë më të larta se normalja, por dje kjo shifër arriti në 10 milionë herë më shumë se normalja. Sidoqoftë, ata thanë se shifra ekstremisht e lartë mund të jetë e gabuar dhe matjet do të kryhen edhe një herë tjetër. Dendësia më e madhe e radioaktivitetit është në reaktorin numër dy, pjesë të cilit u deklaruan të pariparueshme, pa detajuar për sa kohë. Është rritur në mënyrë të ndjeshme edhe niveli i jodit, që ka shkuar në 1850 herë më shumë se norma. Dje ishin sinjalizuar përpjekje të reja për të hedhur, me qëllim ftohjen e reaktorëve, që nuk janë riparuar përfundimisht. Por puna është ndërprerë, pasi është rritur alarmi i radioaktivitetit. Një pjesë e mirë e teknikëve që punojnë në këtë zonë, janë evakuuar, ndërsa janë në pritje të matjeve të reja dhe të urdhrave për kthim. Ndërsa punimet janë pezulluar, rritet ndjeshëm edhe alarmi i popullsisë për nivelin e ndotjes. Deri tani, uji i rubinetit është shpallur i papërdorshëm deri në Tokio. Me situatën e fundit në reaktorin numër dy, ekspertët mendojnë se ka ndonjë pikë rrjedhjeje të lëndës radioaktive, që do të thotë se toka mund të ndotet dhe më shumë dhe se ushqimet e burimet e ujit shumë kilometra përreth asaj zone do të jenë tejet të rrezikshme për përdorim. Provat për rrezikun e lartë të kontaminimit në reaktorin numër dy janë publikuar disa ditë pasi tre punëtorë u ekspozuan në nivele të larta të radioaktivitetit, ndërsa përpiqeshin të riparonin një pjesë të reaktorit numër 3. Dy prej tyre dyshoheshin për djegie me rreze beta, pasi kanë kaluar në ujin me radioaktivitet, në atë reaktor 10,000 herë më të lartë se normalja. Progres modest është bërë për të hequr ujin e kontaminuar nga pishinat ftohëse për ta zëvendësuar atë me ujë të pastër. Yukiya Amano, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, paralajmëroi se emergjenca mund të zgjasë për disa javë, madje edhe muaj. “Ky është një aksident shumë serioz nga të gjitha standardet”, tha Amano për “New York Times”. “Dhe nuk ka marrë ende fund”, shtoi ai.
10 milione
herë më i lartë se shifrat normale është niveli real i radioaktivitetit në centralin “Fukushima”, pas pranimit të ekspertëve japonezë dje, se kanë bërë gabime në matje.
Gjermani, kompanitë nukleare hedhin në gjyq shtetin
Katër kompani të prodhimit të energjisë nukleare në Gjermani po përgatiten të hedhin në gjyq qeverinë e vendit, pas marrjes së vendimit për të pezulluar punën në shtatë nga shtatëmbëdhjetë stacionet nukleare të vendit, që pas incidentit në Fukushima, Japoni. Por edhe lëvizja kundër përdorimit të nukleares është e mbështetur fort në Gjermani. Të shtunën, 250,000 njerëz kanë protestuar kundër energjisë nukleare në katër qytete të mëdha të vendit.
Mafia “Yakuza” shpërndan ndihma për viktimat e tërmetit
Mijëra tonelata ndihma u janë shpërndarë viktimave të tërmetit në Japoni, nga rrjeti i krimit të organizuar, “Yakuza”. Kamionë me dërgesa ushqimesh, uji, batanijesh dhe sende te higjienës personale, u nisën në qendrat e evakuimit. “Yakuza”, mafia që fiton nga bixhozi, pornografia dhe prostitucioni, ka një kod që ndalon te nxjerrësh përfitime, kur të tjerët vuajnë. “Bamirësia e bandave është e mbështetur tek kodi i tyre “ninkyo”. Ne këtë rast, ata i dërgojnë të ardhurat e tyre aty ku gjenden gojët e uritura”, tha eksperti Xhejk Adelstein.
© Panorama.al











