Japoni, alarm serioz nuklear

Mar 14, 2011 | 12:01

Japonia është në alarm serioz nuklear, pasi situata nuk po përmirësohet, përkundrazi, defektet në impiantet bërthamore që pas tërmetit 9-ballësh, sa vijnë e shtohen.Dje një tjetër reaktor në impiantin Fukushima 1 u dëmtua, duke paraqitur një kërcënim serioz për shpërthim. Nëse kjo ndodh, atëherë ekspertë të fushës mendojnë se ky do të jetë incidenti i tretë më i rëndë nuklear në histori. Edhe një reaktor i tretë në impiantin Fukushima 1 ka mbetur me ftohës të bllokuar. Kryeministri Kan ka pranuar se situata në Fukushima 1 është e rëndë. Por ai siguroi se “nuk do të ketë një Çernobil tjetër”, duke iu përgjigjur shqetësimeve mbi incidentet nukleare pas tërmetit. Ambasada e Francës në Tokio ka ftuar qytetarët francezë të largohen nga kryeqyteti japonez dhe rrethinat e tij, për shkak të rreziqeve të lidhura me tërmetin, përfshirë “rrezikun e kontaminimit”. Limiti i ligjshëm i radioaktivitetit ka kaluar në centralin nuklear Fukushima 1, në brigjet verilindore të Japonisë, ku dje u verifikua një shpërthim, sipas Tepco (Kompani e Energjisë elektrike në Tokio), operatori i centralit nuklear. Tepco ka shtuar se nuk ka kërcënim të menjëhershëm për shëndetin e njeriut. Më parë, kjo kompani ka njoftuar se do të japë disa valvula, që të lëshohen avuj për të ulur presionin më reaktor. Masashi Goto, një ish-projektues i centralit nuklear japonez, ka akuzuar qeverinë se nuk thotë të vërtetën mbi rrezikun. Në një konferencë për shtyp në Tokio, ai tha se Japonia po drejtohet drejt një krize shumë të rëndë, pasi një nga reaktorët e impiantit Fukushima-Daiichi është “shumë i paqëndrueshëm” dhe pasojat e shpërthimit të tij do të ishin të tmerrshme. Sipas televizionit publik, NKH, re tymi kanë sinjalizuar edhe në një tjetër central nuklear të Prefekturës Miyagi. Edhe ftohësi i impiantit në centralin nuklear të Tokait, në prefekturën e Ibarakit (120 km nga Tokio), është bllokuar. Lajmin e konfirmoi komandanti i zjarrfikësve, i cituar nga agjencia Kyodo. Në Onagawa është deklaruar gjendja e jashtëzakonshme, pas regjistrimit të niveleve radioaktive të tepërta. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Nukleare (AIEA) e konfirmoi këtë informacion, të marrë nga autoritetet japoneze. Sipas zyrtarëve japonezë, tre reaktorët e centralit janë nën kontroll. Sinjale keqfunksionimi në reaktorin e centralit të Onagawa-s nisën gjatë mëngjesit të djeshëm më daljen e avujve, sipas Aiea. Autoritetet fillimisht kanë rritur presionin e sistemit, e më pas janë përpjekur të ftohin impiantin, duke i hedhur ujë deti. Sipas autoriteteve japoneze, ka mundësi të ketë një akumulim hidrogjeni. Agjencia Meteorologjike Japoneze e ka hequr alarmin e cunamit në të gjitha brigjet e arkipelagut, që tani presin dallgë jo më të larta se 50 cm.

Në shtëpinë lundruese

Një 60-vjeçar ka mbijetuar për mrekulli, pasi dallga e cunamit ka shkulur shtëpinë e tij dhe e ka marrë përpara zvarrë për 15 kilometra të tërë. Ai u gjet në majën e çatisë nga ajo që kishte mbetur prej shtëpisë së tij, të kthyer në mjet lundrues në det dhe u shpëtua dje nga ushtria japoneze. Ngjarja ndodhi në prefekturën e Fukushimës. Hiromitsu Shinakawa i ka shpjeguar ushtrisë, se kishte shpëtuar duke u zvarritur në majë të çatisë, por bashkëshortja e tij ishte rrëmbyer nga cunami.

Ishulli i zhvendosur

Tërmeti i fuqishëm, që ka goditur Japoninë të premten, ka shkaktuar zhvendosjen me 2,4 metra të ishullit Honshu, ishulli qendror i arkipelagut japonez. Lajmin e dha në CNN, Kenneth Hudnut, një gjeofizikant i “U.S. Geological Survey”. Ndërkohë Agjencia Meteorologjike Japoneze e shikon “të mundshme”, një tërmet të ri të magnitudës 7, në rajonin mes Sendait dhe Tokios, rreth 100 km në veri të kryeqytetit japonez. Mundësia më e madhe është që tërmeti të ndodhë gjatë tri ditëve të ardhshme.

Kan: Kriza më e rëndë që pas Luftës II Botërore

Kryeministri japonez, Naoto Kan, tha se Japonia po përballet me krizën më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas tij, janë 12 mijë të shpëtuarit deri tani nga zonat e goditura prej tërmetit e cunamit të së premtes. Kan ka falënderuar nga zemra qytetarët për “gjakftohtësinë në këto rrethana shumë të vështira”. Kryeministri japonez ka urdhëruar dyfishimin e numrit të ushtarëve të forcave të mbrojtjes, për operacionet e ndihmës në verilindje të vendit. Numri i ushtarëve të angazhuar pritet të shkojë në 100 mijë.

Frikë nga shiu radioaktiv, tërmeti ishte 9 ballë

Pas incidenteve në centralet e Fukushimës, në Japoni tani është rritur frika se materiali radioaktiv, i shtyrë në lindje në paqësorit, mund të bjerë sërish në tokë në formën e shiut, i parashikuar për sot në mbrëmje. Lajmi u dha nga televizioni shtetëror japonez. Magnituda e tërmetit që goditi Japoninë është rivlerësuar 9 ballë, më e lartë se matja e mëparshme 8,9 ballë. Lajmin e dha Agjencia Meteorologjike Japoneze, duke shtuar se bëhet fjalë për një nga tërmetet më të fuqishëm të regjistruar ndonjëherë.

Energjia me racion, nisin “black out”–et

Që sot e deri në fund të prillit, energjia në Japoni do të jetë me racione. Do të ketë shumë shkëputje të programuara në disa zona të Japonisë, përfshirë edhe kryeqytetin Tokio. Qeveria japoneze ka paralajmëruar se do të ketë black out-e të shpeshta të energjisë elektrike në Tokio dhe Tohoku. Lajmin e dha ministri i Ekonomisë dhe Industrisë, Banri Kaieda. Naoto Kan tha se shkëputjet e energjisë do të jenë të programuara. Energjia do të racionohet të paktën për një muaj.

© Panorama.al

Te lidhura