Dy histori të rralla shprese u pasqyruan dje në Japoni, ndërsa një grua 70-vjeçare dhe një djalë 20-vjeçar u gjetën të gjallë në qytetet e rrënuara, katër ditë pas cunamit të tmerrshëm.Raportimet e mediave japoneze flasin edhe për një vajzë vetëm katërmuajshe të mbijetuar për mrekulli. Shpëtimi i tyre ndodhi ndërkohë kur Agjencia Kombëtare e Policisë në Japoni i trembet vdekjes së 10 mijë qytetarëve nga tërmeti dhe cunami. Skuadrat e shpëtimit po përballen me vështirësi të vazhdueshme për të gjetur të mbijetuarit, pasi kohë pas kohe toka e Japonisë tronditet nga dridhje të vazhdueshme dhe shpesh aspak të lehta. Dje u ndjenë tronditje 6,4 ballësh në zonën verilindore të Japonisë. E mbijetuara 70-vjeçare u gjet mes rrënojave në qytetin e shkatërruar të Otsuchi-t. Raportimet në mediat e Japonisë thanë se ajo vuante nga hipotermia dhe u dërgua në spital, por nuk rrezikonte jetën. Një djalë rreth të 20—ve u shpëtua në qytetin e Ishimakit në prefekturën e Miyagi-t, ku vetëm një ditë më parë u gjetën 2 mijë trupa pa jetë. Më shumë se 70 mijë shtëpi janë shkatërruar nga tërmeti me magnitudë 9 ballë. Ndërkohë, kompanitë ajrore po përpiqen të shmangin fluturimet në Tokio. Një prej tyre, “Lufthansa”, i ka anuluar të gjitha fluturimet për në kryeqytetin japonez, të paktën deri të dielën nga frika e radioaktivitetit në ajër. Megjithëse ekspertë të fushës kanë deklaruar se situata do të qartësohet brenda 48 orëve, nëse do të marrë për mirë apo për keq. Situata në një prej qyteteve më të goditura nga cunami, Sendai, është tragjike. Shtëpitë janë shkulur nga themelet dhe janë përplasur në terminalin e aeroportit, nga lart mund të shihet shumë pak tokë, vetëm sipërfaqe të tëra të mbuluara nga uji, avionët janë të zhytur në baltë dhe makinat janë tërhequr nga dallga e stërmadhe zvarrë dhe janë akumuluar si hedhurina në një vend. Situata është përtej të imagjinueshmes. Ndërkohë, në prefekturën e Fukushimës, situata humanitare është vërtet kaotike. Mijëra njerëz tentojnë të largohen prej tokave që rrethojnë centralet e Fukushimës, edhe pse mund të ndodhen me dhjetëra kilometra larg. Gjendja e qindra mijëra të evakuuarve është e rëndë. Ata ende përballen me mungesën e ushqimit, ujit dhe ngrohjes, por edhe rëndesës psikologjike. Ekspertë të OSBE-së, e kanë vlerësuar situatën në Japoni njëlloj si me atë të 11 shtatorit në SHBA, për sa i përket reagimit të tregut. “Nga vlerësimet e mundshme, paraqitet një situatë e ngjashme me atë që ndodhi pas 11 shtatorit: fillimisht një shokim i dukshëm, pra reagimi negativ i tregjeve dhe në fund përgjigjja e koordinuar e autoriteteve monetare”, komentoi Pier Carlo Padoan, zv/sekretar dhe kreu ekonomist i OSBE-së.
Kryebashkiaku kërkon falje
Bashkiaku i Tokios, ultrakonservatori Shintaro Ishihara, ka kërkuar falje pas deklaratës së tij të një dite më parë, se tërmeti shkatërrues i së premtes ishte për japonezët “ndëshkim nga qielli” për shkak të “egoizmit” japonez. “Tërheq atë që kam thënë dhe kërkoj thellësisht falje”, tha Ishihara, duke shtuar se kur ka bërë deklaratën, nuk ka marrë parasysh ndjenjat e viktimave. Bashkiaku 78-vjeçar që u përfshi në polemika, të hënën u shpreh se “politika japoneze është e ndërtuar me egoizëm dhe populizëm” dhe kishte ftuar njerëzit të “përdorin cunamin për të hequr egoizmin që ka oksiduar mentalitetin japonez për shumë kohë”.
Bursa del jashtë kontrollit
Bursa e Tokios del jashtë kontrollit dhe rrëzohet me 14,4 për qind për shkak të vështirësive në menaxhimin problemeve në impiantin nuklear të Fukushimës dhe rreziqet nukleare. Nikkei bie me 8.257,56 pikë. Bursa e Tokios në fund të ditës ka mbyllur me një ulje prej 10,55 për qind të treguesit të Nikkei, duke shënuar uljen e tretë në historinë e saj.
“Apokalips”
Komisionari evropian për energjinë, Gunther Oettinger, e konsideron situatën në Japoni “apokalips dhe besoj se fjala është veçanërisht e përzgjehdur mirë”. Deklarata e tij u bë para komisionit të industrisë, kërkimit dhe energjisë në Parlamentin Europeian në Bruksel. “Çdo gjë është jashtë kontrollit, për mua nuk mund të përjashtohet as më e keqja në orët apo ditët në vijim”, tha ai. Oettinger tha se vlerësimi i incidenteve nukleare ka kaluar nga niveli i rrezikut 4, në atë 6 brenda 24 orësh.
Wikileaks
Qeveria japoneze, e favorizuar nga sjellja “mur gome” tipike e burokracisë në këtë vend, por edhe nga fuqia e siguruar prej kompanive elektrike, vazhdon të mbështesë, nga njëra anë një politike nukleare “antike”, dhe nga ana tjetër, “kufizon marrjen e informacionit për publikun dhe deputetët”. Kjo sjellje ka si synim që të “mbulojë” disa “incidente nukleare”. Kështu thuhet në një kabllogram të diplomacisë amerikane të publikuar dje nga WikiLeaks.
Shtyhen zgjedhjet
Qeveria japoneze e Kryeministrit Naoto Kan, do të propozojë sot në Parlament shtyrjen e zgjedhjeve administrative të parashikuara edhe në disa prefektura të goditura nga cunami i së premtes. “Është një situatë e jashtëzakonshme. Ka, mes të tjerash, edhe shkëputje të vazhdueshme energjie. Nuk është e mundur të garantohen zgjedhjet demokratike”, ka shpjeguar ministri i Çështjeve të Përgjithshme, Yoshihiro Katayama. Zgjedhjet do të shtyhen 2 deri në katër muaj në varësi të situatës.
BE: Nuk ka radioaktivitet në Europë
Komisioni Europian ka njoftuar se nuk ka rrezik radioaktiviteti në Europë, pas shpërthimeve të njëpasnjëshme të reaktorëve me material nuklear në Japoni. “Për momentin nuk ka tregues se nivelet e tepërta të radioaktivitetit të godasin pjesë të tjera të Japonisë apo Europës”, tha zëdhënësi i KE, Olivier Bailly, duke theksuar se situata do të monitorohet vazhdimisht.
© Panorama.al











