Itali, pranga nipit të Naim Zyberit

Mar 28, 2011 | 11:37

Arrestohet në Itali, nipi i Naim Zyberit, i dënuar për “evazion fiskal” dhe i shpallur “nor ngrata” nga autoritetet e drejtësisë.I riu shqiptar që u arrestua mëngjesin e së shtunës në Imperia të Italisë, është Florenc Zyberi, 23 vjeç, nipi i Naim Zyberit, një prej “të fortëve” të Tiranës, të vitit 1992. Sipas mediave italiane, Zyberi u ndalua nga policia fillimisht për verifikim, pasi po lëvizte në rrugë gjatë orëve të vona, bashkë me një shqiptar tjetër. Pas ndalimit, ai ka rezultuar “i dyshimtë” për policinë, e cila ka vendosur të kryente një kontroll në apartamentin e tij. Në momentin e parë të përballjes me forcat e policisë, Florenc Zyberi ka paraqitur një pasaportë me emër tjetër, e cila ishte prodhuar 20 ditë më parë në Tiranë. Kjo, sipas policisë, tregon se Zyberi është futur ilegalisht në Itali, pasi deri pak ditë më parë mund të ketë qenë në Shqipëri për të prodhuar pasaportën, si dhe për të ndryshuar emrin në gjendje civile. Në pasaportën e re të Zyberit, gjeneralitetet ishin Florjan Byberi, ndërsa atësia dhe datëlindja ishin të njëjta me personin që rezultonte “non grata”, i përzënë nga Italia. Megjithë emrin e ndryshuar, Florenc Zyberi është zbuluar nga gjurmët e gishtave. Sipas mediave italiane, që i referohen burimeve nga Policia e Imperias, Zyberi, veç dënimit prej një vit e gjysmë “për evazion fiskal”, tashmë do të akuzohet edhe për “kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “shkelje të ekspulsiv”, që i kishin vënë autoritetet e drejtësisë.
ARRESTIMI
Pas lëvizjeve të dyshimta në rrugët e qytetit të Imperias në Itali, të dy të rinjve, skuadra e policisë u është vënë mbrapa rreth orëve të para të mëngjesit, për të kryer një verifikim ndaj tyre. Në momentin kur Florenc Zyberi është futur në banesën e mikut të tij, edhe ai shqiptar me dokumente të rregullta, me iniciale D.E., policia ka ndërhyrë, duke ushtruar edhe një kontroll banese. Mësohet se gjatë kontrollit, janë gjetur 3 armë pistoleta, që ata i mbanin pa leje, bashkë me 21 fishekë. Pas kërkesës së forcave të policisë për të paraqitur një dokument identifikimi, Zyberi ka paraqitur një pasaportë shqiptare, me emrin Florjan Sali Byberi, me të cilën ishte pajisur vetëm 20 ditë më parë në Tiranë, pasi kishte ndryshuar emrin e mbiemrin në gjendjen civile. Nga ana tjetër, pas verifikimit të gjurmëve të gishtave, është zbuluar se personi i ndaluar, quhet Florenc Zyberi, 23 vjeç, i cili ishte dënuar në vitin 2010, me një vit e 6 muaj burg për “evazion fiskal”. Madje veç dënimit, ai ishte shpallur edhe “non grata” dhe nuk kishte më të drejtë hyrje në shtetin italian. Sipas medieve italiane, nga ana e autoriteteve policore të emigracionit në Imperia, ende nuk është vendosur nëse 23-vjeçari nga Tirana, do të qëndrojë në qeli atje, për t’u përballur me akuzat, apo do të depërtohet drejt Shqipërisë. Bashkë me Zyberin, policia italiane arrestoi edhe shqiptarin tjetër, D.E., i cili rezultoi me patentë false.

NAIM ZYBERI

Naim Zyberi, ishte i njohur në Tiranë si “i forti” që banonte në zonën e Trenit të Vjetër që sot quhet “Medreseja”. Ai njihet si njeriu që ekzekutoi Gaz Muçën në vitin 1992 në kryeqytet. Naim Zyberi është i dyshuar edhe për vrasjen e Artur Grorit. Zyberi është ekzekutuar më gjashtë gusht të vitit 1997 në spitalin San Paolo të Milanos dhe autor i dyshuar i vrasjes së tij është Arben Grori.

AKUZAT

Florenc Zyberi, nipi i Naim Zyberit, u arrestua në Itali, mëngjesin e së shtunës, pasi rezultoi të kishte shkelur vendimin e autoriteteve italiane, që nuk e lejonte më të futej ne Itali. Por përveç kësaj, ai ishte i dënuar me 1 vit e 6 muaj burg për “evazion fiskal” dhe për këtë ishte shpallur edhe “non grata”. Ndërsa veç kësaj, tashmë Zyberi akuzohet se ka hyrë ilegalisht në territorin italian dhe për armëmbajtje pa leje.

© Panorama.al

Te lidhura