Ish të përndjekurit, 1.5 mld lekë për dëmshpërblimin

Mar 9, 2011 | 11:02

TIRANË- Një nga vendimet e mbledhjes së sotme të qeverisë është ai për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë.

Sipas kryeministri Sali Berisha, ky është një vendim i rëndësishëm dhe qeveria ka parashikuar tashmë fondin që do të shkojë për ta.

Vendimi përcakton masën e dëmshpërblimit për 408 ish të dënuar politikë të regjimit komunist, kërkesat e të cilëve kanë përmbushur kriteret ligjore dhe që kanë vuajtur dënimin e kryer me burg nga data 30.11.1944 deri më 01.10.1991, si dhe për familjarët e të dënuarve me dënim kapital (të pushkatuar apo të ekzekutuar). Shuma e masave financiare e përllogaritur sipas këtij vendimi, në total është 1 526 724 105 lekë.

Ne fjalen e tij, kryeministri Berisha kërkoi nga ministria e Drejtësisë të përparësojë dëmshpërblimin e ish të dënuarve që janë mbi moshën 75 vjeç, si dhe të rishihet përllogaritja e dëmshpërblimit për këtë kategori, duke i vlerësuar këto si kërkesa të drejta të tyre.

“Zoti ministër i Drejtësisë, këtë sistem shpërndarjeje që kemi, e kemi të drejtë, por është e domosdoshme që ish të dënuarit në moshën mbi 75 vjeç t’i përparësojmë në mënyrë absolute. Personat mbi këtë moshë mund të përfitojnë të parët, por edhe mund t’u rritet kësti, d.m.th mund të bëhet një përllogaritje e veçantë mbi moshën 75 vjeç”- tha Berisha.

Berisha sugjeroi qe përveç përparësimit që mund t’u bëhet në renditje, mund t’u bëhet edhe një përparësim në sasinë që marrin.

© Panorama.al

Te lidhura