Ish-shefi i policisë vjen nga SHBA për të varrosur vëllezërit e vrarë

Mar 21, 2011 | 10:03
2 VELLEZERIT E VRARE NIK PJETRUSHI DHE GJOVALIN PJETRUSHI
2 VELLEZERIT E VRARE NIK PJETRUSHI DHE GJOVALIN PJETRUSHI

SHKODER – Lotët kanë qenë të pakursyera në familjen Pjetrushi, e cila përcolli dje dy djemtë e saj, Nikë dhe Gjovalin Pjetrushi. Ata u ekzekutuan në një pritë mëngjesin e së premtes nga Admir Tafili, pak kohë pasi kishin lënë shtëpinë e tyre, në fshatin Grudë e Re. Në ceremoninë mortore ishte i pranishëm dhe vëllai i tyre, ish-shefi i policisë, Prelë Pjetrushi, i ardhur nga Amerika, ku jeton me familjen e tij që prej kohës së atentatit, ku mbeti i plagosur. Bashkë me të kanë mbërritur dhe dy djemtë e tjerë të familjes, emigrantë në Gjermani dhe Angli. “Qofshi faqebardhë që morët pjesë në hidhërimin tonë, por ju lutemi na lini të qetë e mos na shqetësoni, pasi as ne nuk po ju shqetësojmë”, kanë qenë këto fjalët e familjarëve të viktimave Pjetrushi, drejtuar tentativës së gazetarëve për të marrë ndonjë prononcim ose për të filmuar ceremoninë e varrimit të Nikë dhe Gjovalin Pjetrushit. Ceremonia e varrimit është zhvilluar në orën 13.00 të ditës së diel, në varrezat e fshatit dhe në të kanë marrë pjesë me qindra persona, jo vetëm të zonës por edhe miq, të afërm dhe dashamirës të familjes Pjetrushi. Madje, në ceremoninë mortore të dy vëllezërve Pjetrushi, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të lartë të komunës Rrethina. Nikë dhe Gjovalin Pjetrushi, përkatësisht 31 dhe 25 vjeç, u ekzekutuan me armë zjarri mëngjesin e së premtes në fshatin Grudë e re, 12 km larg qytetit të Shkodrës, teksa po shkonin në punë. Autori i dyshuar për këtë ngjarje është 36-vjeçari Admir Tafili, i cili u arrestua rreth 12 orë pasi kishte kryer krimin, në një lokal në periferi të qytetit të Tiranës.        r.d

© Panorama.al

Te lidhura