Avokati Genc Gjokutaj ka folur për media pas lirimit të Sali Berishës nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe çdo masë tjetër sigurie.
Ai tha se Gjykata konstatoi se për zotin Berisha nuk ekzistojnë kushtet apo kriteret për asnjë masë.
“Mbi bazën e kërkesës tonë, sot gjykata revokoi masën që nuk ka as kushte as kritere. Sot Berisha është është u lirë dhe pa asnjë masë sigurimi ndaj tij.
Nuk mund t’ju relatoj dosjen. Gjykata konstatoi se për zotin Berisha nuk ekzistojnë kushtet apo kriteret për asnjë masë. Prokuroria kërkoi arrestin në shtëpi, por lirimi ishte kërkesa jonë. Kërkesa është bërë këtu pas vendimit të GJK”, tha Gjokutaj.
Kujtojmë se Berisha prej datës 30 dhjetor të vitit 2023 ndodhet në arrest shtëpie, pasi ish-kryeministri refuzoi që të zbatonte masën “detyrim paraqitje” ndaj tij duke e konsideruar si antikushtetuese.
“Zëvendësimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.112, datë 20.10.2023, verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lënë në fuqi me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal shtrëngues “arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, i biri i Ram-ës dhe i Shiqere-s, i datëlindjes 15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr. personal E40701031R, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal”, thuhej në vendimin e GJKKO-së të datës 30 Dhjetor 2023.
Sali Berisha është marrë i pandehur nga Gjykata e Posaçme për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, për dosjen “Partizani”.
Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar, duke e cilësuar vendimin për vendosjen e tyre nën arrest shtëpie si përpjekje për asgjësimin e opozitës.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al