Eksodi i madh i shqiptarëve i 6 marsit 1991 është subjekti i librit “Ditar nga Ferri i Brindisit”, shkruar nga Giuseppe Marphionna, i promovuar në Brindisi me rastin e 20-vjetorit të eksodit shqiptar dhe që së shpejti pritet të dalë në tregun shqiptar. Ky libër tregon ditët e eksodit të madh shqiptar dhe “fatin mesdhetar” të qytetit. Në atë kohë, autori, i ri në moshë, ishte kryebashkiak i qytetit të Brindisit. Libri tregon se si papritmas autori u gjend përballë një vale njerëzish plot dhimbje, të lënduar dhe të uritur, që kërkonin më parë bukë se liri. “Ndërsa i kërkoja Qeverisë të ndërhynte me ushtri, një tjetër ushtri spontane, e përbërë nga burra, gra dhe fëmijë nga Brindisi, pa pritur pëlqimin e ndonjë autoriteti, kishte zbritur tashmë në mënyrë të pavarur në shesh, për t’u ardhur në ndihmë me çdo kusht fëmijëve, grave dhe burrave të shënjuar nga vuajtja dhe uria”, shkruan Giuseppe Marphionna në parathënien e këtij libri. Për atë vepër gjigante asistence masive, qyteti i Brindisit u nderua me çmim nga organizatat kryesore humanitare si UNICEF-i dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe iu propozua qeverisë që t’i njihej Medalja e Artë për Vlera Qytetare.











