Irani në udhëkryq historik!

Feb 17, 2026 | 7:30

JORGJI KOTEDR. JORGJI KOTE

Takimi më 11 shkurt në Shtëpinë e Bardhë midis Presidentit amerikan Trump dhe Kryeministrit izraelit Netianahu, i gjashti brenda një viti me rezultatet e tij të njohura ishte ngjarja më e fundit në zinxhirin e zhvillimeve shpërthyese dhe protestave të fuqishme masive të shtypura me dhunë të pashembullt nga regjimi satanik i mullahëve në Teheran. Bashkë me ndërhyrjen e pritshme ushtarake amerikane, e cila është vetëm çështje kohe ato mbeten në qendër të vëmendjes së politikës, medias dhe opinionit publik ndërkombëtar për shkak të shumë aktorëve dhe faktorëve jetikë gjeopolitikë.

Duke nisur nga pozicioni gjeografik kyç i Iranit në një rajon plot grindje, luftëra dhe konflikte, sundimit brutal 47-vjeçar të regjimit të Mullahëve, pasuritë e mëdha nëntokësore dhe sidomos naftës cilësore, praninë e tij te Grupimi BRICS dhe aleanca me Kinën dhe Rusinë; bashkë me pasojat e mundshme në rastin e përmbysjes me ndërhyrje ushtarake të regjimit dhe ndryshimit të sistemit politik me një shtet progresiv anti-islamik. Aktualisht regjimi i Mullahëve në Teheran ndodhet në pozitat më të dobëta të 47 viteve të tij. Vendi është tronditur nga pakënaqësitë e mëdha me shtrenjtimin ndjeshëm të kostos së jetës dhe shtypjen e egër që kanë shkaktuar protesta masive.

Akoma më dramatike për regjimin paraqitet gjendja e tij jashtë vendit me humbje dhe goditje të rënda. Kështu, Izraeli, të cilin Irani ka synuar ta asgjësojë si shtet, falë ndërmjetësimit amerikan, falë marrëveshjeve të bashkëpunimit me shumë vende arabe, dikur kundërshtarë të tij – Arabia Saudite, Katari e deri te Libani dhe veçanërisht me Marrëveshjen e Paqes në Gaza i ka forcuar ndjeshëm pozitat e tij. Lufta e tij e suksesshme 12-ditore në muajin qershor, e mbështetur nga bombardimet shkatërruese amerikane edhe kundër objekteve të tij bërthamore tregoi se Irani nuk është aq i fortë sa duket. Veç të tjerash, ato i kanë dhënë goditje dërmuese imazhit dhe perceptimit publik të Iranit dhe sidomos regjimit të tij. Zhvillim tjetër negativ për Iranin ishte rënia e Assadit në Siri dhe zëvendësimi i tij me një qeveri, e cila ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me SHBA-të, BE-në dhe Izraelin. Për pasojë, Irani ka humbur shumë korridore jetike të transportit tranzit nëpërmjet të cilave ai furnizonte tri “ushtritë e tij rezervë” Huthët, Hizbullahun dhe Hamasin; këta të fundit janë dobësuar ndjeshëm pas sulmeve të vazhdueshme izraelite dhe vrasjes së liderëve të tyre kryesorë. Për pasojë, ato vazhdojnë të gërryhen, duke humbur forcën dhe kohezionin e tyre të brendshëm.

Një faktor tjetër i disfavorshëm për Iranin ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë më 8 gusht 2025 në Shtëpinë e Bardhë, me praninë dhe ndërmjetësimin e Presidentit Trump. Kjo mbasi sidomos Azerbajxhani është nyje kyçe në Kaukazin Jugor dhe vendi i vetëm midis Rusisë dhe Iranit. Irani është tronditur nga ndërtimi i “Rruga Trump për Paqe dhe Begati Ndërkombëtare (TRIPP), e cila duke kaluar në Azerbajxhan dhe Armeni do lidhë Kaukazin Jugor me Europën, Azinë Qendrore dhe Jugore. Teherani e ka kundërshtuar me ashpërsi, por pa rezultat. Sepse në lojë janë amerikanët, të cilët këto ditë, nëpërmjet vizitave të zv.Presidentit J.D. Vance nënshkruan marrëveshje partneriteti strategjik në fushat e mbrojtjes dhe ato ekonomike me Bakunë dhe Jerevanin. Gjithsesi, kjo që treguam është vetëm gjysma e tablosë. Gjysma tjetër akoma më e keqe për regjimin e mullahëve në Teheran është se dy aleatët e tij të mëdhenj, Rusia dhe Kina, praktikisht “po e lenë atë në baltë”. Me gjithë aleancën e tyre në BRICS dhe premtimet e mëparshme, Moska dhe Pekini po tregohen indiferent, duke e lënë Teheranin “në mëshirë të fatit”. Kjo qasje ruse dhe kineze shpjegohet me faktin se ato po e pranojnë “butë” që Lindja e Mesme të jetë zonë amerikane e influencës, në këmbim të lëshimeve të tyre, duke filluar nga Ukraina por jo vetëm.

Moska dhe Pekini po e shohin qartë se regjimi islamik nuk ka të ardhme; sa për livrimet e naftës iraniane, ato mund të zëvendësohen pa vështirësi. Shkurt hesapi, për Moskën dhe Pekinin Teherani “ka pak qar por shumë zarar”! Këto ngjarje dhe zhvillime të pafavorshme për regjimin e kanë motivuar popullsinë që të marrin rrugët dhe sheshet e të dalin në protestat më të mëdha nga viti 1979 kur u rrëzua Shahu i Iranit, me shumë shpresa në përmbysjen e regjimit të Mullahëve dhe me pritshmëri të larta për mbështetjen e Presidentit Trump. E megjithatë, prapë regjimi vazhdon të tregojë dhëmbët dhe muskujt. Ai mbetet i rrezikshëm, shtypës dhe gjakatar; forcat e tij kanë vrarë deri tani të paktën mbi 15.000 civilë, me mijëra të tjerë janë plagosur dhe prangosur etj.. Sipas edhe shumë ekspertëve, në këto kushte dhe rrethana, ekziston bindja se ndryshimi i shumëpritur nuk vjen dot vetëm nga brenda, siç pretendoi disa kohë më parë liderja e opozitës kryesore MEK, Maryam Marjavi, por vetëm me ndërhyrjen ushtarake amerikane, e cila në fakt u premtua dhe shërbeu si motiv për shpërthimin e protestave masive. Mirëpo, kjo ndërhyrje ushtarake ende nuk ka ndodhur, edhe pse mbetet si opsion i hapur, edhe pas paralajmërimeve të ditëve të fundit të Presidentit Trump.

Sipas ekspertëve, kjo shpjegohet me praninë dhe ndikimin e aktorëve dhe faktorëve madhorë të mëposhtëm, brenda dhe jashtë Iranit: Brenda vendit, përpara një ndërhyrje të mundshme ushtarake amerikane i do dhënë përgjigje e duhur pyetjes madhore “What comes after” pra “Po pastaj, çdo të ndodhë?”. Më konkretisht, kush do ta zëvendësojë këtë regjim, cili do të jetë roli i opozitës, cili është lideri që gëzon mbështetjen më të gjerë dhe sa garanci jep ai ose ajo se në Iran nuk do të përsëritet përvoja negative e Pranverës Arabe?.

Përgjigjet për këto pyetje janë të ndërlikuara për shkak të diktaturës 47-vjeçare, shtypjes së egër të opozitës, mungesës së medias së lirë, shoqërisë civile etj.. Problemi tjetër i madh është se opozita në Iran është e ndarë dhe e përçarë në qindra pjesë, madje, sipas disa analistëve, ajo ishte më e bashkuar në vitin 1979. Lidhur me personalitetet kryesore opozitare po flitet shumë për djalin 65 vjeçar të ish Shahut, Reza Pahlavi, shtetas amerikan, i cili edhe ditët e fundit ka premtuar se do të kthehet në Teheran dhe të vihet në krye të frontit opozitar për një qeverisje të re, por pa u shprehur lidhur me mundësinë e rikthimit të mbretërisë. Ai paraqitet njeri i sjellshëm, me vizion dhe me mbështetje që duket se po shtohet ditët e fundit. Megjithatë, Reza Pahlavi ende nuk e ka konsensusin e nevojshëm, madje për shumë tingëllon ironike që shpëtimin nga një diktaturë ta gjejnë duke rikthyer djalin e Shahut famëkeq. Atëherë, lind natyrshëm pyetja, sa ia vlen kjo sakrificë dhe përmbysje e këtij regjimi? Ndaj, edhe në një seancë plenare të Europarlamentit në Strasburg më 20 janar, shumica kundërshtuan sugjerimin e disa eurodeputetëve për të dëgjuar Reza Pahlavin dhe për ardhjen e tij në pushtet.

Veç kësaj, Reza Pahlavi e ka cenuar vetë integritetin dhe besueshmërinë e tij kohët e fundit, sepse ishte ai që bëri qysh në fillim thirrje për t’u ngritur kundër regjimit, duke e siguruar për mbështetjen dhe ndërhyrjen e SHBA-ve, çka nuk ndodhi; mirëpo kjo ka krijuar pakënaqësi të mëdha te protestuesit, të cilët e kanë paguar shumë shtrenjtë lëvizjen e tyre dhe pa ndonjë perspektivë fitimtare për opozitën. Alternativë e fortë opozitare është Organizata Muxhahedine e Popullit (MEK) me seli në Paris dhe në Manzë. Ajo është themeluar më 20 korrik 1981. Presidente e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iraniane (NCRI) që praktikisht është Parlament në egzil është Maryam Rajavi. NCRI-ja ka shtrirje në 220 qytete. Siç dihet, qysh në vitin 2013 rreth 3.000 drejtues, përfaqësues dhe simpatizantë të MEK-ut janë strehuar në Kampin e Manzës. Mirëpo e kaluara e tyre plot incidente, peripeci, mbështetja që i kanë dhënë Irakut, të shpallur si organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe pastaj të shpallur të pafajshëm dhe në përgjithësi mungesa e besueshmërisë brenda vendit, për shkak të këtyre problemeve dhe qëndrimit për një kohë të gjatë jashtë Iranit, sfidave dhe realiteteve të tij nuk janë shumë premtuese as për MEK-un dhe as për NCRI-në dhe Marjavin.

Në këto kushte, alternativë e besueshme, por sërish jo e sigurt mbeten dy nobelistët e Paqes që ndodhen në burg, Narges Mohammadi dhe Mostafa Tajzadik. Megjithatë, beteja e tyre në krye të një opozite të fuqishme dhe qëndrimit amerikan ndaj atij regjimi e bën fitoren e tyre shumë më të vështirë se sa marrjen e Çmimit Nobel. Problemi tjetër i madh për opozitën iraniane është se Administrata e Presidentit Trump deri tani nuk ka shfaqur interes dhe ca më pak entuziazëm për atë në përmbysjen e regjimit dhe zëvendësimin e tij me një sistem demokratik jo islamik. Madje, Trump nuk u prononcua fare as në konferencën e shtypit më 20 janar. Për pasojë, edhe në rastin e një ndërhyrjeje ushtarake, kalimi i mundshëm i pushtetit në duart e opozitës do të kushtëzohet nga qëndrimet dhe interesat amerikane. Më thjesht, a duan SHBA-të që në Iran të ketë një opozitë demokratike, apo thjesht të ndërrojnë kuajt e pushtetit, me qëllim që ashtu si në Venezuelë, edhe ata në Teheran të jenë marioneta në duart e SHBA-ve ose edhe një shtet vasal? Tashmë dihet se SHBA-të nuk e bënë operacionin për kapjen e Maduros për hir të demokracisë dhe opozitës, ndaj ka rrezik që kjo të mos ndodhë as në Teheran.

Ndaj, edhe në rastin e Iranit, besohet se SHBA-të po udhëhiqen nga doktrina transaksionaliste, pra interesi i fitimit tregtar dhe naftën e tij cilësore. Duke e përdorur edhe atë si armë kundër Kinës, Rusisë dhe kundërshtarëve të tjerë. Ja pse për ta duket se ka më shumë rëndësi që pasardhësi i mundshëm i Kameneit të vihet në shërbim të qëllimeve të tyre maksimaliste tregtare; duke pranuar se Irani dhe Lindja e Mesme është zonë e influencës amerikane dhe e askujt tjetër. Në këto kushte, nuk përjashtohet as një operacion i ngjashëm me atë të kapjes së Maduros për asgjësimin e Kameneit dhe zëvendësimin e tij me Reza Pahlevin ose një figurë tjetër “kukull”, edhe pse kjo paraqitet disi më e vështirë se në Karakas. Këtë e ka lënë të kuptohet edhe vetë Presidenti Trump ditët e fundit kur ka bërë thirrje për ndryshimin e udhëheqjes në Teheran, por duke ndjekur politikën “tërhiq e mos e këput” me kërcënime, sanksione dhe me “kulaç” ujdish tregtare.

Përveç këtyre shkaqeve dhe arsyeve të brendshme iraniane, SHBA-të e kanë shtyrë ndërhyrjen ushtarake edhe për disa shkaqe gjeopolitike përcaktuese. Së pari, ato vetë kanë nevojë për më shumë kohë që të marrin masat e nevojshme për të siguruar më mirë trupat e shumta që kanë të dislokuar në vendet e Gjirit dhe bazat e tyre ushtarake, të cilat do të pësonin dëmtime jo të vogla gjatë hakmarrjes iraniane. Sepse siç pohojnë shumë ekspertë, sado i dobët regjimi, ai prapë gëzon mbështetje në segmente të popullsisë të lidhura me pushtetin dhe mbi të gjitha tek ushtria dhe Garda Revolucionare. Së dyti, pas kërkesave nga vetë Izraeli, mbasi kërkon kohë të jetë gati për çdo situatë, si edhe nga Turqia dhe Katari, të cilat i druhen përshkallëzimit të situatës nëse SHBA-të nuk e rrëzojnë shpejt regjimin.

Mirëpo, vazhdimi i luftës do të ishte me pasoja tejet të rënda për tregjet ndërkombëtare, çka do të shkaktonte humbje të mëdha për ato vende si edhe për SHBA-të. Për pasojë, ato nuk do të përfitonin dot ujditë dhe fitimet e majme tregtare nga nafta, për shkak të destabilizimit të tregjeve dhe tronditjeve të çmimeve. Ja pse, Izraeli dhe aleatët e tjerë në vendet arabe i kanë kërkuar administratës amerikane që të ketë gati një plan dhe objektiv të realizueshëm strategjik lufte kundër Iranit, që lufta të përfundojë shpejt dhe pa asnjë shans përshkallëzimi.

Në këto kushte, pas aeroplanmbajtëses “Lincoln”, SHBA-të po përgatitin dërgimin në rajon të një aeroplanmbajtëse tjetër të madhe. Praktikisht, ato po zbatojnë të ashtuquajturën “gunboat diplomacy” ose diplomacinë kërcënuese ndaj Iranit me prani të shtuar të anijeve të luftës, nëse negociatat dështojnë. Nga ana tjetër, shtyrja dhe vonesa në ndërhyrjen ushtarake në Iran, apo ca më keq akoma, kufizimi i saj në një operacion të tipit Maduro do të ishte tragjedi e vërtetë për popullin dhe zhgënjimi përfundimtar për opozitën iraniane; kjo do t’i çelte rrugën kaosit dhe anarkisë, vazhdimit të shtypjes dhe dhunës nga një regjim i ri, edhe pse pa Kamenein dhe krijimit në Iran të një konflikti të “ngrirë”.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura