Irani ka paraqitur një propozim të ri për SHBA-në, duke bërë një hap të pjesshëm pas dhe duke u shprehur i gatshëm për negociata, edhe pa heqjen paraprake të bllokadës detare.
Sipas burimeve ndërkombëtare, Teherani propozon që të diskutohet njëkohësisht për hapjen e Ngushtica e Hormuzit dhe për çështjet e sigurisë, ndërsa kërkon garanci nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndalimin e sulmeve dhe lehtësimin e bllokadës ndaj porteve iraniane.
Një tjetër pikë kyçe e propozimit është programi bërthamor. Irani pranon të diskutojë për të, por kërkon në këmbim heqjen e sanksioneve amerikane.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump është shprehur i rezervuar.
“Ata duan marrëveshje, por nuk jam i kënaqur. Do të shohim çfarë do të ndodhë”, deklaroi ai.
Irani ka bërë të ditur se është gati të ulet në tryezën e bisedimeve në Pakistan në fillim të javës së ardhshme, nëse Uashingtoni tregon gatishmëri për dialog.
Ndërkohë, palët mbeten larg një marrëveshjeje për çështje kryesore, si hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit dhe kufizimi i programit bërthamor iranian.
Situata vjen pas javësh tensioni të lartë. Irani ka kufizuar kalimin në Hormuz, një rrugë ku kalon rreth 20% e naftës globale, ndërsa SHBA ka vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane për të rritur presionin.
Pavarësisht përplasjes, kontaktet diplomatike vazhdojnë përmes ndërmjetësve si Pakistani, Katari, Egjipti dhe Turqia, duke lënë ende hapësirë për një zgjidhje diplomatike.
© Panorama.al












