Interi, 2 pikë larg Milanit, humb Lusion

Mar 21, 2011 | 10:13

Beteja e gjatë në ndjekje të Milanit vazhdon dhe po jep frytet e saj. Pas fitores me Leçen, për të parë nëse sulmi do të japë frytet e tij, duhen pritur 12 ditë, deri më 2 prill kur do të luhet derbi i Milanos.Zikaltrit paraqiten në ndeshjen e madhe me 2 pikë distancë dhe pa Lusion, me shumë mundësi për ta lënë pas Milanin. Kjo falë Palermos dhe Xhampaolo Pacinit. Sulmuesi italian në Mynih kishte luajtur rolin e spektatorit, ndërsa kundër Leçes ka qenë protagonist, duke i dhuruar tri pikë shumë të rëndësishme Interit. Goli që vendosi fatin e takimit u realizua në minutën e 52: pak më parë kishte testuar reflekset e Rozatit me një goditje me kokë, pastaj ka stopuar mrekullisht me gjoks pasimin e Tiago Motës dhe e ka çuar në këndin e portës së rivalëve me një diagonale të saktë. 1-0 për Interin dhe të gjithë mund të shkojnë në shtëpi, sepse edhe Hulio Sezar kishte dëshirë për hakmarrje dhe në minutën e 85-të i ka thënë “jo” Bertolaçit, i cili ka tentuar të barazonte për miqtë. Skuadra e Leonardos ka arritur të sigurojë 3 pikë shumë të nevojshme, ashtu siç bëjnë të mëdhatë edhe në ditët më pak të lavdishme. Tek fitorja është rikthyer edhe Juventusi. Bardhezintjë mposhtën me vështirësi 2-1 Breshian. I pari që shënoi ishte Milos Krasic në minutën e 23. Por 3 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të pjesës së parë, Breshia barazon me anë të Eder. Në pjesën e dytë, Juventus vazhdon trysninë mbi kundërshtarët në kërkim të golit të avantazhit dhe marrjes së trepikëshit i munguar që prej katër ndeshjesh. Këmbëngulja e bardhezinjve, u shpërblye në minutën e 68, kur Del Piero gjen rrjetën kundërshtare. Minutat në vijim nuk ndryshuan rezultatin, Juventus fiton 2-1. Në ndeshjen e luajtur më herë, Roma barazoi në transfertë përballë Fiorentinës 2-2. Protagonist për verdhekuqtë në këtë ndeshje ishte kapiteni Toti me dy golat e shënuar që e ngjisin atë në kuotën e 201 golave me fanellën romane. Ndërsa Udineze vazhdon marshimin e saj. Friulianët edhe këtë herë, arritën të fitojnë pastër, 2-0 përballë Katanias. Sampdoria dështoi përballë Parmës në fushën e saj, duke u mundur 0-1. Kievo mundi po në transfertë Barin 1-2, ndërsa Bolonja e Xhenoa barazuan 1-1.

© Panorama.al

Te lidhura