Integrimi dhe zgjedhjet, zbardhet takimi Fule-Topi

Mar 30, 2011 | 13:58

TIRANË- Rivendosja e dialogut konstruktiv mes palëve politike në Shqipëri, realizimi i zgjedhjeve me standarde dhe plotësimi i 12 kushteve për integrimin në BE kanë qenë në qendër të takimit mes presidentit të vendit Bamir Topi dhe komisionerit për zgjerim në BE, Stefan Fule.

Komisioneri Fule theksoi se për përmbushjen e duhur të standardeve për integrim evropian, para së gjithash, duhet të rivendoset dialogu institucional për kapërcimin e ngërçit politik dhe rikthimin e besimit mes palëve, të respektohet Kushtetuta, shteti i së drejtës dhe pavarësia e institucioneve të pavarura që të ushtrojnë detyrat e tyre kushtetuese.

Duke bërë apelin e tij për zgjedhjet, Fule dekalroi se “sa më të qeta, të ndershme, objektive dhe ligjore të zhvillohen zgjedhjet lokale në vend, aq më pozitive dhe e dobishme do të jetë e ardhmja për Shqipërinë, pasi në këtë mënyrë Bashkimi Evropian do të vlerësojë plotësimin e standardave integruese të Shqipërisë, sidomos për çështje të lirive thelbësore të njeriut, të shtetit të së drejtës, të pronës, forcimit të demokracisë, lirisë së medias, zhvillimit me sukses të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.”

Nga ana e tij, kreu i shtetit garantoi komisionerin se “Shqipëria do të dijë të plotësojë kushtet dhe detyrimet e kërkuara për anëtarësimin në familjen evropiane dhe se do të gjejë vullnetin e duhur për të përmbushur standardet e kërkuara, si tregues të angazhimit të pandërprerë jo vetëm të institucioneve të shtetit, por dhe të qytetarëve shqiptarë, të cilët aspirojnë integrimin evropian”.

Topi ka theksuar më tej se me vullnetin e duhur të partive politike dhe angazhimin serioz të tyre, duhet të ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 të realizohen me sukses të plotë.

© Panorama.al

Te lidhura